Kosova14 Shkurt 2024, 14:24

Deklaratat e O’Brien, reagon Kurti: Partneriteti ynë me SHBA nuk është në rrezik

Shkruar nga Pamfleti

Deklaratat e O’Brien, reagon Kurti: Partneriteti ynë me SHBA nuk

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk po rrezikohet. Ky reagim erdhi pas deklaratës së ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O'Brien, që një ditë më parë tha se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere pas vendimit për dinarin.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm, sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Gjatë një aktiviteti me Ministrinë e Shëndetësisë në Prizren, Kurti tha se Kosova është republikë demokratike dhe qeveria nuk i mbivendoset institucioneve të pavarura, sikurse Banka Qendrore e Kosovës.

“Banka Qendrore e Kosovës i ka dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë, shpresoj të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë, bëhet fjalë vetëm për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët”, vijoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës përsëriti se nuk do të ndëshkojnë askënd, mirëpo duan që të legalizohet dhe të formalizohet çdo transaksion financiar.

james o’brien albin kurti shba