Kosova 4 Prill 2023, 10:11

Dita e dytë e gjykimit në Hagë, avokati i Hashim Thaçit: UÇK s'ka qenë e përfshirë në akte terroriste

Shkruar nga Pamfleti
Dita e dytë e gjykimit në Hagë, avokati i Hashim Thaçit:
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Avokati i ish presidentit, Hashim Thaçit i cili është duke e mbrojtur në Gjykatën Speciale thotë se në asnjë moment, ai nuk ka pasur motiv për t’i bërë veprimet e përmendura dje në aktakuzë.

Në fakt, për palën mbrojtëse, edhe pse ka pasur dhunë nga UÇK-së nuk ka ardhur si pasojë e qëllimeve dashakeqe për pushtet përmes organizatës, por se dhuna ishte e kuptueshme pasi ishte një larje hesapesh pas luftës. Pra çdo akt, çdo veprim nuk kanë qenë terroriste pasi nuk kanë qenë të organizuara, përkundrazi kanë qenë në thelb zemërata e popullit të kthyer pas luftës.

“Thaçi nuk kishte asnjë motiv si subjekt politik për t’i bërë këto veprime.

Në një raport të CIAS-s thuhet se UÇK nuk ishte e përfshirë se nuk kishte asnjë veprim terrorist. Thaçi e dinte se nuk do e arrinte dot pavarësinë e Kosovës pa ndihmën e SHBA-ve. Krimet janë kryer, por jo të motivuara. Thaçi se ,mohon se krime janë kryer gjatë dhe pas konfliktit, e ka informuar këshillin e OKB por kundërshton pretendimin se kanë qenë me qëllime politike.

Nga vjen kjo dhunë? Se dhunë ka pasur. Dhuna ishte rezultat i veprimeve të pakontrolluara dhe të paorganizuara. Ishte larje hesapesh, sepse kishte mungesë të institucioneve pas luftës. Kishte zemërate nga populli të kthyer pas luftës. Hakmarrja ishte motiv për të kundërshtuar. Në asnjë moment nuk u fol për hakmarrjen e një popullate gjatë luftës.”- tha avokati i Thaçit.

Një ditë më parë, të hënën, u dëgjuan Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa sot do të mbajë fjalën, secili nga ekipet e mbrojtjes.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Kujtojmë se ditën e djeshme qytetarë të shumtë protestuan para Gjykatës Speciale në Hagë, pasi nisi gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarët dolën me pankarta të ndryshme, ku përmes tyre kërkonin lirinë e ish-krerëve të UÇK-së.

“Mos ma gjyko lirinë”, “Marshojmë për UÇK-në”, “UÇK, NATO”, “Kosova viktimë, Serbia agresore”, ishin disa nga pankartat e protestuesve.

 

gjyqi në hagë ish krerët e uÇk