Kosova13 Shkurt 2024, 20:16

E zuri orteku i dëborës, humb jetën një turiste në Brezovicë

Shkruar nga Pamfleti

E zuri orteku i dëborës, humb jetën një turiste në

Një grua ka humbur jetën sot si pasojë e një orteku bore në Qendrën e Skive në Brezovicë, në jug të Kosovës.

Zëdhenësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se viktima ishte një shtetase e huaj e moshës 54-vjeçare.

“Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës. Ekipe të policisë dhe ekipe të kërkim shpëtimit janë atje dhe për informata tjera do t’ju njoftojmë me kohë”, tha Veseli.

Shërbimi për Kërkim dhe Shpëtim Malor i Kosovës tha se pasditen e të martës kishte mbërritur një thirrje për ndihmë në pjesën e quajtur “Foleja e Shqiponjave” në qendrën e skive, e cila njihet si zonë e rrezikshme nga shkëputja e ortekëve të borës.

Ekipet e shpëtimit i kishin dhënë ndihmën e parë mjekësore viktimës në vendin e ngjarjes, por nuk kishin arritur ta mbanin në jetë.

“Pas evakuimit të trupit nga ekipet mjekësore është verifikuar vdekja e skiatores, shtetase e huaj”, tha ky shërbim.

Shërbimi bëri thirrje për kujdes të shtuar gjatë rrëshqitjes me ski jashtë shtigjeve zyrtare, për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

brezovice