Kosova25 Shkurt 2024, 15:49

Çështja e dinarit serb, opozita kritika Kurtit: E bëri temë në dialog, nuk u koordinua me aleatët!

Shkruar nga Pamfleti

Çështja e dinarit serb, opozita kritika Kurtit: E bëri

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, kritikon kryeministrin, Albin Kurti, se rregulloren e BQK-së që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa brenda Kosovës, e ka bërë temë në dialog. Ai thotë se për shkak të qasjes së gabuar dhe populiste të Kurtit, çështjet e brendshme të Kosovës po bëhen temë në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Pajaziti, në një intervistë për KosovaPress, thotë se veprimet e qeverisë të pakoordinuara me aleatët, po i kushtojnë shumë vendit.

Megjithëse nga ekzekutivi kanë thënë se nuk do të paraqiten në nivelin politik, në takimin e thirrur nga BE-ja, më 27 shkurt në Bruksel, Pajaziti deklaron se Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje me partnerët ndërkombëtar në Kosovë.

“Po t’i lihej në dorë BQK-së ose po të mos përzihej qeveria me tendenca që të nxjerr këtë çështje me populizëm si një sukses të qeverisë, kjo do të zgjidhej më mirë. Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje. Për më tepër e ka ngritur çështjen e dinarit si një çështje të dialogut. Kjo qeveri ka përgjegjësi të plotë që dinarin, e bëri temë të tillë, e cila po i kushton qeverisë dhe neve si vend. Këta sikur edhe herët të tjera, kanë hyrë në tema pa një marrëveshje me partnerët, ata që ne kemi pas vazhdimisht koordinim të plotë dhe pastaj tërheqja na ka kushtuar shumë”, shton ai.

Sipas tij, raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtar, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shqetësuese.

Kemi një situatë, e para prej se ne jemi shtet i pavarur që na është dhënë një qëndrim i tillë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prej aleatëve tanë sikurse ky tani. Çështjet si kjo që qeveria jonë i ka trajtuar për zgjidhje, në mënyrën si ka trajtuar, siç është dinari dhe çështje të mëhershme të tabelave, janë mënyra më populiste të trajtimit të tyre. Nuk kemi të bëjmë me një seriozitet të zgjidhjes së këtyre problemeve që kanë qenë pjesë e dialogut, por veprime krejtësisht populiste, që më shumë sesa një tentim për t’i zgjidh këto probleme një herë e mirë, kanë për qëllim joshjen e votuesve për proceset e ardhshme zgjedhore. Kjo e dëmton veçanërisht interesin tonë si vend dhe relacionin me partnerët tanë dhe miqtë tanë për më tepër”, thekson Pajaziti.

Vendimin për dinarin, Pajaziti e sheh të ndërlidhur edhe me tendencat, siç thotë për të zvarritur zbatimin e obligimeve në dialog, që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit, e arritur vitin e kaluar.

“Ne nuk e dimë fare se cili është qëllimi i kësaj qeverie. A po punon në implementimin e kësaj marrëveshje. A është e koordinuar me partnerët kyç dhe cili është qëllimi i saj. Ne po mbetemi peng i një procesi i cili po zvarritet, tash jo vetëm nga Beogradi, të cilën e dina të gjithë, por edhe nga Prishtina. Partnerët tanë po kërkojnë që qoftë edhe njëanshëm të ecet në procesin e dialogut, në mënyrë që t’i kemi në krah partnerët”, thotë Pajaziti.

Në anën tjetër, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja në Kosovë, ai thotë se PDK-ja është gati për të njëjtat dhe se ky vit mund të jetë elektoral.

Është viti i cili mund të jetë elektoral. Ne si PDK kemi kërkuar qysh vitin e kaluar procese zgjedhore dhe kemi paralajmëruar qytetarët se kjo qeveri mund të bie vendin në këtë pozicion që është tash, sidomos në raport me proceset kyçe dhe në raport me partnerët tanë. Kemi paralajmëruar dhe kemi kërkuar zgjedhje. Ne kemi menduar se kjo qeveri s’ka vizion dhe guxim me mbyllë një proces kaq të rëndësishëm. Prandaj kemi kërkuar zgjedhje. Me vet faktin që qysh vitin e kaluar ne kemi kërkuar zgjedhje, nënkupton se ne jemi të gatshëm për këtë proces”, përfundon ai.

Bashkimi Evropian ka ftuar një takim më 27 shkurt në Bruksel, mes palës kosovare dhe asaj serbe për të diskutuar, mes tjerash edhe për rregulloren e BQK-së.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk do të marrin pjesë në këtë takim, po e ka lënë të nënkuptohet se zyrtarë teknik, të nivelit më të ulët, mund të marrin pjesë. /KosovaPress

kurti