Kosova 2 Shkurt 2024, 20:15

Franca i kërkon Kosovës të pezullojë menjëherë vendimin për dinarin

Shkruar nga Pamfleti

Franca i kërkon Kosovës të pezullojë menjëherë

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës i ka bërë thirrje Kosovës ta pezullojë “menjëherë” vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), i cili autorizon përdorimin e euros si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.

“Franca është e shqetësuar nga hyrja në fuqi dje e vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës”, tha Ministria franceze në uebsajtin e vet.

Rregullorja e re BQK-së, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit të zbatimit.

Ky vendim, i marrë në mënyrë të ngutshme, do të ketë pasoja në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, i cili kryesisht varet nga pagesat e bëra në dinarin serb nga Serbia”, tha Ministria franceze.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar.

Por, Franca tha të premten se “në mungesë të zgjidhjeve alternative deri tani, Franca bën thirrje për pezullimin e menjëhershëm të kësaj mase, në mënyrë që të sigurohet një periudhë e mjaftueshme tranzicioni”.

Ajo i bëri jehonë thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që autoritetet kosovare ta gjejë një zgjidhje të negociueshme brenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për këtë çështje.

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar qysh prej pasluftës.

Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera. Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia.

Më herët gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendimi i autoriteteve të Kosovës për anulimin e dinarit serb është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga viti 1999, dhe se Serbia do të gjejë institucione që do të marrin licenca për të mundësuar dërgimin e parave për serbët në Kosovë.

“Në secilin prej atyre akteve, është e drejtë e Serbisë të financojë aktivitete të caktuara, shëndetësi, arsim, pensione”, ka thënë Vuçiç të premten në një konferencë për media./REL

dinari serb #kosova serbia