Kosova25 Qershor 2024, 20:19

Nesër takim me Vuçiç në Bruksel, Kurti: Shkelën marrëveshjet, Beogradi fajtor i tensioneve në Veri

Shkruar nga Pamfleti

Nesër takim me Vuçiç në Bruksel, Kurti: Shkelën

Kryeministri i Kosovës  Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të takohen nesër në Bruksel, ku do të priten nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.

Kurti thotë se në Bruksel shkon për të parë se cilat janë idetë për të ecur përpara.

“Për bindjen time të fuqishme Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale aneksin e zbatimit nga Ohri të 18 marsit, e bën normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen de facto në qendër”, tha si.

Zbatimin e kësaj marrëveshjeje Kurti e cilëson si zgjidhje evropiane të fqinjësisë së mirë, por shton se kjo nuk bëhet me Serbinë e cila e ka shkelur.

“Para se të kemi zbatim të marrëveshje kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e ish-kryeministres Bërnabiç nga 13 dhjetori i vitit të kaluar, ku Serbia u tërhoq nga marrëveshja bazike”, shprehet Kurti.

Mosrespektimi i marrëveshjes, sipas kreut të qeverisë së Kosovës, ka çuar në tensione e eskalime të tilla si rrëmbimi i tre policëve kufitar në qershor e sulmi terrorist i Banjskës ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku në shtator.

“Kemi pasur vazhdimisht tensione nganjëherë edhe eskalime, që të gjitha e kanë adresën sepse përgjegjësinë dhe fajësinë e ka Beogradi zyrtar”, vijoi Kurti.

Takimi i fundit i dialogut në nivel të lartë të negociatorëve mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb u mbajt në shtator, pak ditë pas sulmit terrorist të Banjskës.

Sipas agjendës së Bashkimit Evropian, palët do të takohen fillimisht ndaras me Borrell dhe ndërmjetësin e dialogut Miroslav Lajcak, ndërsa më pas do të mbahet takimi tre palësh.

“Takimet do të bëjnë një pasqyrë të asaj që është arritur në Dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e BE-së.