Kosova12 Prill 2023, 15:34

Plagosja në Veri, serbët ngrihen në protesta; mediat e Beogradit paralajmërojnë tensione në prag të zgjedhjeve

Shkruar nga Pamfleti

Plagosja në Veri, serbët ngrihen në protesta; mediat e Beogradit

Plagosja e një qytetari serb në veri të Kosovës ka rikthyer tensionet. Një ditë më parë u bë e ditur se polica kishte qëlluar në drejtim të një automjetit, i cili nuk u është bindur urdhrave të policisë. Për pasojë u plagos Milan Jovanoviç. Kjo solli valë reagimesh në Serbi, ndërkohë që sot kanë plasur protestat.

Disa qytetarë u mblodhën te ura e Bistricës, afër Zveçanit, aty ku dhe mbeti i plagosur i riu serb. Me pankarta “Kush është i radhës”, “Largohu që këtu”, “Evropë, po na qëllojnë”, ata kanë kërkuar tërheqjen e njësive speciale nga veriu i Kosovës.

Ndërkohë mediat serbe paralajmërojnë tensione në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në veri.

Ndërsa po i afrohemi 23 prillit, ditës kur duhet të mbahen zgjedhjet lokale për katër komunat në veri të Kosovës, po përjetojmë gjithnjë e më shumë tensione në rritje. Kjo nuk çon në qetësim të situatës, por përkundrazi në rritje të tensioneve. BE-ja duhet urgjentisht të gjejë një mënyrë për të zbatuar gjithçka që është rënë dakord në Bruksel dhe të detyrojë të dyja palët të nënshkruajnë, sepse nëse vazhdon kështu, kam frikë se po hyjmë në një fazë kritike të destabilizimit që nuk i shkon askujt për shtat”, tha për “Danas” Fatmir Seholi, nga Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike.

Sipas tij, askush nuk është i interesuar për destabilizimin në Kosovë dhe për këtë arsye autoritetet e rendit dhe ligjit në Kosovë duhet të forcojnë strukturat e tyre, me të vetmin synim që të gjithë personat e çfarëdo nacionaliteti të sillen para drejtësisë sa më shpejt dhe me efikasitet.

“Është shumë e çuditshme që pas arritjes së marrëveshjes në Ohër, kemi vetura të djegura në veri, si dhe incidente që vetëm krijojnë tensione”, thotë Seholi.

Politologu Ognjen Gogiç, megjithatë, mendon se nuk ka trend të rritjes së frekuencës së incidenteve, por kjo nuk do të thotë se ka një përmirësim të dukshëm të situatës së sigurisë, por se është vazhdimisht e keqe.

Karakterizohet nga të shtëna të herëpashershme, djegie makinash dhe arrestime, të gjitha në rrethana të pashpjegueshme”, tha politologu, raporton "Danas".

Ai tregon se marrëveshja e BE-së ishte një qëllim në vetvete. Nuk zgjidhi asnjë çështje kontestuese. Kjo është arsyeja pse tensionet janë rinovuar. /Pamfleti

veriu i kosoves tensione konflikt