Kosova 7 Qershor 2023, 09:45

Prapaskenat e diplomacisë frënge dhe beteja për Trepçën e Ujmanin

Shkruar nga Sadri Ramabaja

 

Prapaskenat e diplomacisë frënge dhe beteja për
Vuçiç, Thaçi dhe Presidenti Francez Emanuel Macron

Pse çështja e Trepçës po merr përparësi mbi marrëveshjen e Brukselit, duke pretenduar të shtyjë në kalendrat greke zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Një vit më parë, me një urgjencë të pashpjegueshme publikisht, këshilltarët e sigurisë kombëtare amerikane ishin takuar me kolegët e tyre francezë.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan, u takua me këshilltarin e Presidentit Francez, Emmanuel Bonn, në Uashington, më 3 qershor. Temë diskutimi kishin: NATO-n, Rusinë, Kinën dhe Iranin, ishte shprehur zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Emily Horn, në një komunikatë me shkrim.
“Ata diskutuan për takimin e ardhshëm të udhëheqësve të G7 dhe samitin e NATO-s. Gjithashtu objekt trajtimi ishin veprimet që synojnë forcimin dhe modernizimin e NATO-s, si dhe sfidat në lidhje me aktivitetet dashakeqe në hapësirën kibernetike dhe terrorizmin. Përveç kësaj, ata diskutuan për Rusinë, Kinën, Iranin dhe rajonin e Sahelit,” ishte shprehur taksativisht Horn.
Vetëm një ditë më parë këshilltarët e sigurisë kombëtare amerikane ishin takuar me kolegët e tyre gjermanë. Për dallim nga takimi i 2 qershorit të homologëve
amerikano-gjreman, ku temë diskutimi ishte edhe Ballkani, në të dytin, siç qe bërë e njohur po atë ditë, Ballkani ishte lënë anash.
Atbotë, jo rastësisht, ishte sinjalizuar Franca nga ana e SHBA-ve për faktin se nuk pajtoheshin me prapaskenat e diplomacisë franceze në raport me Ballkanin Perëndimor.

Këto prapaskena megjithatë kanë vazhduar nën rrogoz, siç ishte vepruar edhe gjatë luftës së UÇK-së. Tashmë është sekret publik fakti se pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në malet e Berishës, kur po kërkonin intelegjencia amerikane ta vizitonin, kishte kohë që atë e kishte futur nën kontroll intelegjencia ushtarake frënge [Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake - DRM). Pasojat tashmë janë të njohura. Ky fakt do t’i jap përparësi këtij shërbimi të jetë përcaktues për ndarjen e Mitrovicës dhe promovimin e zonës gri në veri të Republikës…
Shërbimi Ushtarak i Francës dhe Kosova vazhdojnë kështu të kultivojnë bashkpunim të thellë edhe pas qershorit 1999, madje bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të suksesshëm në shumë fusha të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ka patur shkëmbime të rregullta të vizitave midis zyrtarëve ushtarakë dhe oficerëve francezë të sigurisë dhe ata kosovarë, duke përfshirë trajnimin e vazhdueshëm, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimin në fushat e inteligjencës dhe sigurisë.

Franca de fakto ishte partneri më i rëndësishëm, madje në emër të ndihmës për formimin dhe zhvillimin e Kapaciteteve të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kosovës, të kontrollojë segmentet qenësore të Shtetit.
Këto prapaskena jo vetëm të diplomacisë frënge kanë vazhduar dhe janë prezente edhe sot e kësaj dite. Produkt i tyre ishte imponimi i takimit të presidentes sonë, shkëlqesisë së saj Vjosa Osmani, në margjinat e samitit të dytë të Komitetit për Politika të Europës organizuar në kryeqendrën e Moldavisë, me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron.

Ndërkohë, merret vesh se produkt i këtyre prapaskenave është edhe dokumenti ekskluziv që flet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që publikoi portali
Albanianpost,[1] sipas të cilit Asociacioni do ketë edhe autoritet administrativ, me identitet të dallueshëm juridik, por që nuk formon pushtet të tretë.
Këtë dokument, i pari e publikon portparolli i këtyre qarqeve të diplomacisë serbo-frënge, Albanianpost. Për këtë qëllim fundja, me gjasë edhe e kanë krijuar. Por kjo është temë tjetër.
Duke arsyetuar insistimin për themelimin sa më të shpejtë të Asociacionit me kompetenca të kësaj natyre, siç shihet në dokumentin e publikuar, ai, pra Asociacioni, mund të jetë një mekanizëm që funksionon me pushtet të ndarë nga organet legjislative dhe qeveritare, por në të njejtën kohë ai nuk po formoka nivel të tretë të pushtetit!
Për ta sqaruar këtë ide, dokumenti sjellë si ilustrim, respektivisht referencë “rastin me Parlamentin Sami në Suedi” dhe funksionimin e tij “si një përzierje institucionale”.
Natyrisht hartuesit e dokumentit as që janë lodhur të kenë në konsideratë faktin historik se Parlamenti Sami është institucion i një popullsie indogjene, ndërkaq serbët në Kosovë janë kryesisht kolon të sjellur pas vitit 1913 dhe madje edhe të tillë që erdhën edhe në periudhën e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviqit. Ndërkaq që absurdi të jetë edhe më i madhë, ndryshimi rapid i hartës demografike të veriut qe bërë pas çlirimit të Kosovës, në sy të KFOR-it frances, në natën e 3 e 4 shkurtit të vitit 2000, me ç’rast qenë vrarë 12 qytetarë dhe dëbuar nga veriu i qytetit të Mitrovicës rreth 15.000 veta.
Pas përfundimit të luftës, forcat serbe dhe milicët filluan një fushatë të organizuar dhe të dhunshme për dëbimin e popullsisë shqiptare nga pjesa veriore e Mitrovicës dhe zonat tjera me shumicë shqiptare.
Dëbimi i 15,000 qytetarëve shqiptarë nga pjesa veriore e Mitrovicës ishte vazhdimi I ushtrimit të gjenocidit serb në rretha paqeje  dhe në sy të administratës së UNMIK-ut dhe njësive elitaret të KFOR-it frëng.(Vijon…)/Pamfleti

https://albanianpost.com/dokumenti-ekskluziv-me-propozimin-nderkombetar-asociacioni-do-jete-edhe-autoritet-administrativ-me-identitet-te-dallueshem-juridik-por-qe-nuk-formon-pushtet-te-trete/

prapaskenat e diplomacisë serbe trepça ujmani