Kosova18 Shkurt 2024, 11:42

Serbia gati të njohë Kosovën? Habit Vuçiç: Do të isha kampion i demokracisë, fitues i çmimit Nobel!

Shkruar nga Pamfleti
Serbia gati të njohë Kosovën? Habit Vuçiç: Do
Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se po ta njihte Kosovën si shtet të pavarur ai do të fitonte çmimin Nobel.

Vuçiç në një intervistë për “TV Prva” ka treguar se si “Serbia po vazhdon të prëballet me presione për t’i vendosur sanksione Rusisë e po ashtu për çështjen e Kosovës”.

“Pavarësisht se sa shumë gjëra nuk janë në favorin tonë dhe nuk e kemi pranuar Kosovën, Serbia nuk ka asnjë sanksion ndaj vetes. Dhe ne as nuk vendosëm sanksione ndaj Rusisë. Po të kishim vendosur do të ishim kampion i demokracisë, fitues i dhjetëra çmimeve e me njohjen e Kosovës do të merrja edhe ‘Nobelin’”, tha Vuçiç.

Vuçiç në intervistë ka treguar për takimin që ka pasur në Mynih dje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.

“Borrelli dje ishte i shokuar. Atij një ditë më parë Kurti i kishte thënë se ka ofruar pezullim tremujor, siç e ka quajtur. Po kërkojmë një zgjidhje, dikush do të ftohet në Bruksel”, ka thënë Vuçiq. “Nuk dua t’i shqetësojë njerëzit me detaje. Do të kërkojmë dhe do të mundohemi të gjejmë zgjidhje. Njerëzit nuk mund të qëndrojnë të uritur dhe duhet të gjejmë mënyrë që të qëndrojnë në Kosovë e M.”., tha ai.

Borrelli u takua të shtunën në Mynih me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Vuçiç.

Në një postim në Twitter, Borrelli të shtunën njoftoi për takimet që ka pasur në Munih me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Stabiliteti i qëndrueshëm dhe paqja në rajon mund të arrihen vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rruga drejt kësaj shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar ai në Twitter.

Vuçiç për “TV Prva” ka folur edhe për vdekjen në burg të opozitarit rus Alexei Navalny. Ai gjatë përgjigjes ka përmendur edhe vdekjen në paraburgim në Hagë të “Kasapit të Ballkanit”, Slobodan Millosheviç.

“Është tragjike kur një njeri kaq i ri humb jetën. Nuk jam organ hetues dhe aq i mençur për të ditur si të gjithë në botë që i dinë të gjitha. Nuk do të flisja as për atë që ndodhi me Millosheviqin, kjo është për analistë politikë, jo për presidentin e një vendi”, tha Vuçiç.

 

aleksandar vuçiç #kosova serbia nobel