Kosova13 Mars 2024, 07:38

“Vendimi për dinarin katastrofal”/ I dërguari i SHBA vjen sot në Kosovë me mesazhe të qarta, takim 'kokë më kokë' me Osmanin

Shkruar nga Pamfleti
“Vendimi për dinarin katastrofal”/ I dërguari i SHBA vjen
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të vizitojë ditën e sotme Kosovën.

Në Prishtinë ai do të vijë me mesazhe të qarta për dialogun Kosovë-Serbi dhe për të ripërsëritur detyrimet që ka Kosova karshi marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Bëhet e ditur se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do ta presë sot në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të Presidencës, pas takimit do të ketë deklaratë për medie. Siç është paralajmëruar gjatë takimeve që Escobar do t’i zhvilloi në Kosovë temë do të jetë edhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb, për pagesa dhe transaksione të tjera në Kosovë si dhe dialogu Kosovë- Serbi.

I dërguari amerikan përveç takimit me krerët shtetërorë, e ka ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, njoftojnë mediat.

Ai, të martën me një takim online me gazetarë, foli për partneritetin mes SHBA-së dhe Kosovës. Escobar tutje ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia ta marrin seriozisht dialogun dhe e ka cilësuar dialogun në një “moment kritik”.

“I inkurajoj të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura, sidomos atë të arritur në Ohër. Kjo është njëra ndër arsyet primare që po vizitojë Kosovën.”, theksoi Escobar.

Në një konferencë për media dje para udhëtimit të tij në Prishtinë, ai ka  folur edhe për dinarin. Escobar ka thënë se SHBA i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i marrë shumë seriozisht shqetësimet e ngritura nga komuniteti ndërkombëtar.

Ai ka theksuar se SHBA s’po e konteston legjitimitetin e vendimit, por për mënyrën dhe shpejtësinë se si është implementuar.

Emisari amerikan ka thënë se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për vendimin rreth dinarit, vendim të cilin e ka quajtur “katastrofal”

“Jemi duke dëgjuar shumë raportime për vështirësitë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë parasysh , t’i marrë këto shqetësime  të komunitetit ndërkombëtar seriozisht. Ne s’po diskutojmë legjitimitetin e vendimit, por me shpejtësinë që po implementohet. Qeveria s’ka dhënë mënyrë alternative”, ka deklaruar ai.

Por, përveç udhëheqësve të institucioneve, Escobar do të takojë edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, si dhe dy liderët tjerë opozitarë, shkruan Gazeta Express. 

Pas Prishtinës, diplomati amerikan do të udhëtojmë në Vjenë për takime me OSBE-në.

escobar kosova dinari