Kosova15 Shkurt 2024, 10:29

Vuçiç nuk mund të jetë Tito dhe Serbia nuk mund të jetë më kurrë Jugosllavia unitarise

Shkruar nga Fadil Lepaja
Vuçiç nuk mund të jetë Tito dhe Serbia nuk mund të
Ëndërra e Vuçiç për të qenë Tito /

Të drejtat e serbëve dhe ‘të drejtat’ e Serbisë në Kosovë

Nëntitulli i këtij shkrimi shpreh thelbin e konfrontimit politik nëpër konferenca, takime, apo në media, në mes të kryeministrit kosovar Kurti dhe presidentit serb Vuçiç. 

Beteja e fundit, për dinarin serb, e cila erdhi pas përmbylljes me marrëveshjen për targat, dokumentet etj,  është paketuar nga propaganda zyrtare serbe si një shkelje e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.

Presidenti serb Vuçiç, në këshillin e Sigurimit të OKB, shpalosi para botës esencën e asaj që po ndodhë: Serbia në mënyrë dramatike por edhe tragjikomike po ngatërron “të drejtat” e Serbisë me të drejtat e serbëve etnik, qytetarë të Kosovës. Duke mos arritur me asgjë të dokumentojë shkeljen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, propaganda serbe manipulon me emocionet, me besimet dhe me ëndrrat e një pjese të minoritetit serb për rikthimin e Serbisë mitike, mesjetare në Kosovë.

Por, angazhimi për “të drejtat” e Serbisë në Kosovë, nuk has në përkrahjen e perëndimit politik por as në qarqet intelektuale.  Pas largimit të detyruar nga Kosova, me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, të motivuar me evitimin e katastrofës së shkaktuar humanitare në Kosovë, të shkaktuar nga regjimi serb në përpjekje për spastrim etnik, të drejtat e Serbisë mbi këtë territor tashmë  janë ende temë vetëm aty-këtu në forumet ndërkombëtare ku vendoset me veto (dhe ku fuqitë jo perëndimore e kanë këtë të drejtë).

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi është kujdesur dhe ka punuar me të gjitha qeveritë e Kosovës, përfshirë edhe këtë të sotmen që komunitetet të gëzojnë të drejtat e tyre sipas parimeve më të avancuara evropiane për komunitetet pakicë.

Argumenti kryesor se Serbia zyrtare nuk po lufton për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë është angazhimi i vazhdueshëm i shtetit serb të bllokojë integrimin e komunitetit serb në shoqërinë kosovare, në institucione dhe në aktivitete të ligjshme shoqërore e politike, në mbrojtje të interesave të tyre por edhe në përmbushje të obligimeve qytetare.

Serbia zyrtare, duke i trajtuar qytetarët e Kosovës si shtetas të Serbisë, po e pengon integrimin e tyre  në institucione dhe shfrytëzimin e të drejtave dhe obligimeve të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Por halli i presidentit serb natyrisht nuk ka të bëjë me të drejtat e serbëve, por me përdorimin e serbëve për qëllimet politike dhe ushtarake të Serbisë e cila aktualisht ndodhet në udhëkryq.

Serbia nuk ndodhet vetëm mes lindjes dhe perëndimit, dhe kjo ndarje gjeopolitike dhe gjeostrategjike tashmë është shfromësuar me lëvizjen e kufirit të demokracive perëndimore kah lindja dhe me depërtimin e faktorëve të tjerë gjeopolitik drejt Evropës.

 Derisa nga perëndimi kemi një presion të jashtëzakonshëm për tu distancuar nga Rusia, në anën tjetër ndikimi i fuqishëm rus, brenda Serbisë dikton të tjera drejtime. Fryma evropiane në Serbi është ende e brishtë dhe oligarkët e rinj të pasuruar nga luftërat, por edhe nga bizneset me Rusinë, janë më tepër të  rreshtuar në kampin klero- nacionalist serb.

Forcat evropiane në Serbi kërkojnë ndërrime demokratike dhe bashkëpunim me fqinjët, njohje të realitetit të ri dhe rrugën e përbashkët euroatlantike, ndërkohë që kisha ortodokse serbe dhe ajo ruse në bashkëpunim po angazhohen që Ballkani të rikonfigurohet sipas interesave serbe, brenda projektit të ashtuquajtur të Serbisë së Madhe, të formuluar para dy shekujsh në programin politik ekspansiv e nacionalist serb me emrin “Nacertania” të autorit Ilija Grashanin, të cilin jo pa arsye Kryeministri Kurti e përmendi në KS të OKB si ideologun e Presidentit serb Vuçiç.

A është presidenti serb me Perëndimin apo me Rusinë? A është presidenti serb për Serbinë e Madhe apo për Serbinë evropiane e cila do të duhej të udhëhiqte politikë krejt tjetër rajonale në se do të synonte Evropën? Natyrisht, është e vështirë të thuhet me siguri. Një gjë është e sigurt, disa lojtarë të mëdhenj po përpiqen të kalërojnë kalin e klero-nacionalizmit serb e cila aktualisht është fuqia më madhe politike në Serbi.

A ka dilema ende se kah po shkon Kisha ortodokse Serbe në këtë presion të dyanshëm ndaj Serbisë?

A janë të qëndrueshme akuzat e Kryeministrit Kurti për politikën zyrtare serbe që udhëhiqet nga programi i Ilija Grashanin?

Nuk ka asnjë dyshim se presidenti i Serbisë po mobilizon serbët rreth këtij programi i cili në esencë ka tendencë që të fuqizohet duke u distancuar nga faktori rus dhe gjerman, në përpjekje për të dominuar rajonin.

Projekti i “Serbisë së madhe” nuk është analog me një Serbi në orbitën ruse, si e mendojnë shumica, por është më tepër formati i një Jugosllavie unitare (plus Shqipëria), të dominuar nga Serbia dhe neutrale në raport me BE dhe Rusinë, veçse në vend të formulës as me këta as me ata, presidenti Vuçiç po provon formulën edhe me këta edhe me ata, dhe këtu është pika e afrimit të tij me kryeministrin hungarez Orban. 

Një projekt i tillë, i cili së voni u provua edhe me emrin “Ballkani i Hapur”, nga ku Edi Rama hoqi dorë së fundmi, nuk sjell paqen në regjion as e mundëson integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vuçiç me apo pa vetëdije nuk po arrin të kuptoj se janë disa rrethana që e bëjnë të pamundur që ai të jetë një Tito serb, e këto janë: ideologjia e vdekur e socializmit vetëqeverisës dhe ambiciet serbe për dominim në rajon, të cilën më nuk e pranon askush.

Ëndrra e Vuçiç, të zëvendësojë Titon dhe të ringjallë Jugosllavinë  Unitariste, është e pamundur si e tillë. Këtë e vërtetoi historia 30 vjeçare e luftërave dhe përpjekjeve për paqe në Ballkan./Pamfleti

vuçiç tito serbia jugosllavia unitariste