Drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Pëllumb Seferi, është konfirmuar sot në detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Në seancën e mëparshme Komisioni evidentoi 2 pasuri, një apartament të blerë në vitin 2003 dhe një tjetër në vitin 2010.
Sipas Komisionit, Pëllumb Seferi nuk e vërtetoi dot burimin e ligjshëm të parave që ka marrë hua për të blerë dy banesat, megjithatë kjo nuk ndikoi në vendimin final.
Për të vërtetuar pasaktësisë dhe mungesat e deklarimeve, Komisioni ndoqi një praktikë të re, duke i dhënë mundësinë Seferit të thërrasë dëshmitarë.
Katër dëshmitarë dhanë sqarime para Komisionit për burimin e parave që i kanë dhënë hua drejtorit të policisë për blerjen e shtëpisë, si dhe për kursimet e përfituara në bursa në Itali.
Për dy kriteret e tjera, Seferi rezultoi i pastër dhe me vlerësime në punën e tij të kryer përgjatë 22 viteve karrierë. Trupa vlerësuese përbëhej nga Ana Kapaj kryesuese, Kozeta Ndoji relatore dhe Marjeta Gjelaj anëtare.
Seferi u emërua në krye të Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në gusht të vitit 2020. Më parë ai ka qenë shef kabineti i Drejtorisë së Përgjithshëm të Policisë dhe po kështu zyrës së Interpol Tirana. Në zyrën e Interpolit ai pati punuar si specialist në fillimvitet 2000.