Aktualitet12 Shtator 2019, 19:50

Profil/ Aleksandër Frangaj: metamorfoza e lezhianit që u pasurua nga politika

Shkruar nga Pamfleti

Profil/ Aleksandër Frangaj: metamorfoza e lezhianit që u pasurua nga politika

Miqtë të afërt të tij përmendin rastin e një krenarie të Sandrit para viteve `90 që mbushi Lezhën duke thënë se gjatë qëndrimit në Tiranë kishte arritur të takohej me Tefta Radin, një episod tejet kuptimplotë ky për ta kuptuar metamorfozën e tij në kohë.

I shkolluar për muzikë në të mesme dhe menaxher vatrash kulture në Akademinë Artave (po të ishim ende nën komunizëm, ndoshta do ishte njeriu kryesor që do udhëhiqte grupin e Lezhës për në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës), Aleksandër Frangaj u kthye në njeriun më të fuqishëm të medias audiovizive në vend, praktikisht një pushtetar që nuk bie nga froni.

Djali nga Lezha, njësoj si një “grumbull” bashkëpatriotësh iu sul Tiranës njësoj si pionerët e Amerikës dikur Perëndimit të egër në SHBA.

Nga gazetar i një periodikes shpërthyese që botohej në Lezhë, “Koha Jonë”, Aleksandër Frangaj u bë kryeredaktor i saj pas një spostimi të një grupi gazetarësh që nuk e pëlqenin linjën e kritikave ndaj pushtetit të Partisë Demokratike, në fillimet e viteve `90.

Bashkë me Nikollë Lesin, Frangaj u kthye në çiftin drejtues të së përditshmes që u shndërrua në dritaren më të fortë të mendimit kritik dhe akuzues ndaj PD-së.

Por realisht, popullaritetin e fitoi kur u burgos dy herë nga pushteti i Sali Berishës, me akuzën se ka hapur lajme që “prekin sigurinë kombëtare”.

Dhe gjyqtar i njërit prej proceseve ka qenë pikërisht Arben Ristani, numri dy i PD-së sot, i cili dhe ky më pas u burgos me akuzën e korrupsionit.

Dalja nga burgu e riktheu kryeredaktorin e atëhershëm të “Koha Jonë”, në një emër mjaft të famshëm, megjithëse nuk firmoste shumë shkrime me emrin e tij.

Ishte i heshtur, nuk fliste kurrë, por sapo nxirrte zë nga goja e kishte me shkrepëtima dhe seriozitet maksimal.

Pas burgosjes, Nikollë Lesi e bëri Frangajn jo vetëm bashkëpunëtor por edhe bashkëpronar, duke i dhënë 40% të aksioneve. Nuk kaloi shumë dhe Frangaj u përplas me Lesin duke bërë një gazetë paralele. Kjo solli një sherr aq të madh sa provokoi një “paralizë” në ambjentet e mendimit dhe shtypit opozitar asokohe.

Me ndërmjetësimin e Soros-it, Frangaj dhe Lesi u pajtuan, duke hyrë në dorën e kryeredaktorit një shumë prej 120 mijë dollarësh.

Pas një pauze të shkurtër, në vitin 1996, Aleksandër Frangaj me një shumë të konsiderueshme për kohën në xhep, formoi një shoqëri të përbashkët mediatike, Media 6, me dy biznesmenë të fuqishëm të kohës: një francez dhe një shqiptar, përkatësisht Juliene Roche dhe Marsel Skëndo.

Së bashku me ta hapi revistën Klan ku mori disa firma të Koha Jonë: Armand Shkullakun, Andi Bushatin, Sokol Ballën dhe Blendi Fevziun.

Një vit më pas, në një kënd te rruga “Myslym Shyri”, hapën televizionin me të njëjtën emër Klan, i cili u kthye në një media “anti-Berishë”.

Frangaj ishte drejtori i televizionit dhe diçka më shumë, një menaxher që zotëronte dhe administronte të mirat materiale të atyshme. Ndërkaq, duke pasur një marrëdhënie të ngushtë me qeveritë socialiste të kohës, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, nga ku arriti të marrë pasurinë e madhe arkivore mbi 40-vjeçare, të cilën e transferoi lehtësisht në Klan-in e tij, ku punonin thuajse të gjithë regjizorët, montazhierët, por edhe shumë teknikë të RTSH-së, që vetëm rrogën merrnin në gjigandin mediatik.

Por në vitin 2002, pas një afrimi të kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano me bosat realë të Klan-it, francezin Roche dhe Marsel Skëndon, Aleksandër Frangaj bëri dy manovra të mëdha: nuk i la bashkëpronarët e tij t’i afrohen televizioni të tyre dhe u afrua ngushtë me Sali Berishën, liderin e opozitës, që e kishte sulmuar pa fund.

U afrua aq shumë sa Klan u kthye në portën e hapur për Partinë Demokratike. Në zgjedhjet e vitit 2005, televizioni Klan shpalli fitoren e PD-së ende pa u mbyllur kutitë e votimit, duke përdorur emrin e “Gani Bobit”.

berisha_tv_klan

Në vitin 2005, Aleksandër Frangaj u bë paradhoma e pushtetit të Sali Berishës dhe manovra e parë e tij ishte nxjerrja jashtë nga prona e tyre e dy bashkëpronarëve Skëndo e Roche, të cilëve u mori edhe televizionin e parë shqiptar me pagesë Sat Plus, duke iu dërguar një lezhian si administrator dhe një çetë të armatosur pushteti.

Me largimin e bashkëpronarëve, Aleksandër Frangaj u kthye në bosin e vërtetë të medias në vend ku emëronte anëtarët e KKRT-së, drejtorët e televizionit publik dhe çdo enti tjetër rregullator.

Menaxhoi miliona të reklamave të qeverisë duke u bërë distributori dhe prodhuesi i imazhit të qeverisë “Berisha”. Në mjediset e PD-së, Aleksandër Frangaj konsiderohej si zv.kryeministri real i vendit që emëronte dhe shkarkonte këdo.

Kulmin e arriti në 21 janar 2011 ku fshehu e kërcënoi edhe gazetarin e tij të televizionit të dytë që krijoi, ABC, pikërisht Fatos Mahumtajn, i cili u plagos në bulevard. Sajoi sikur 4 qytetarët i vrau dikush nga larg dhe mbrojti Berishën në ditën më të keqe të tij.cili-frangaj-rama-1024x700

Por me largimin e tij të pashmangshëm iu afrua dalëngadalë Edi Ramës, të cilit gjatë kohës në opozitë i dërgonte të fala me anë të Sonila Meços.

Ky afrim u bë aq i fortë, sa ai tashmë urdhëron eskavatorët e qeverisë për të prishur ndërtimet e disa privatëve që nuk i pëlqente të kishin fusha pranë vilës së tij në Qerret…/tesheshi.com/

P.S: Artikulli është shkruar në vitin 2015, por që nga ajo ditë Sandri i Lezhës është shndërruar në një oligark të fuqishëm, të cilit i “ha palla” majtas e djathtas e për bëmat e të cilit do të shkruajmë në vazhdim…

Dossier aleksander frangaj metamorfoza e lezhianit që u pasurua nga politika Profil