Tre të dyshuarit për atentatin ndaj Lulzim Kullës në janar të 2018 janë liruar nga paraburgimi. Gjykata në seancën e së hënës ka dhënë masën “detyrim paraqitje” për Endri Çopja, ndërkohë dy të tjerët janë liruar 2 muaj më parë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e 13 janarit 2018 në lagjen “Rus” në Shkodër, ku mbetën të plagosur 8 persona, mes tyre dhe shënjestra Lulëzim Kulla, i njohur si “i forti” i Shkodrës.
Policia njoftoi atëherë se së në atentat u përfshinë 7 persona, ku u arrestuan shtetasit Endri Çopja 29 vjeç dhe Argel Lulaj 31 vjeç, të dy banues në Elbasan. Gjithashtu u arrestua në flagrancë Serxho Teta, 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Veprime që pengojnë̈ zbulimin e së vërtetës”.Të tre këta persona tashmë kanë lënë qelinë.
Prokurori i çështjes, Albert Murçaj, pretendoi në momentet kur kërkoi arrestimin e tre personave të lartpërmendur se kishte filmime dhe prova të tjera, të cilat tregojnë veprimet e atentatorëve ndaj Lulëzim Kullës.
Sipas Murçajt, atentatorët shkuan nga Elbasani drejt Shkodrës me një makinë tip furgon dhe prej aty zbritën motorin, të cilin e parkuan pranë makinës së Lulëzim Kullës. Shpërthimi u bë me telekomandë dhe supozohet se u përdorën 900 gramë tritol.
“Nuk jemi ne ata që vendosën tritolin”, kanë këmbëngulur në sallën e gjyqit gjatë gjithë kohës tre të arrestuarit. Provat e Prokurorit nuk kanë qenë bindëse për Gjykatën, e cila i la të lirë.