Kosova22 Dhjetor 2022, 10:45

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, po e monitoron nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit, përmes pranisë së tyre të shtuar në terren.

Këtë njoftim EULEX-i e ka dhënë gjatë ditës kur pritet të protestohet në pjesën veriore të Kosovës nga serbët lokalë.

EULEX ka potencuar se është duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën e veriut dhe në Zveçan.

“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e 13 ditë po e vështirësojnë jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar protestën që do të mbahet sot në Rudar të komunës së Zveçanit.

Organizimi i kësaj proteste thuhet se ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Prishtine EULEX Protesta në veri serbët e veriut të Kosovës veriu i Kosovës

Kosova