Protesta e studentëve me objektiv të qartë kundër oligarkisë politike, Rama i tërbuar me ministren Nikolla, rektorët dhe dekanët

Rama

Lëvizja studentore ka përzënë politikanët, duke prezantuar një protestë të pastër studentore. Ka ardhur koha për një ndryshim të kësaj klase politike, në të dyja krahët, që është dominuar nga oligarkët klientelë e kupolës politike e që kanë uzurpuar vendin në të gjithë arteriet jetike të tij. Misioni u ka rënë për “hise” studentëve, që në këtë fillim dhjetori, plot 28 vite pas dhjetorit ’90, të marrin në dorë pastrimin e Shqipërisë nga këta maskarenj

 

Studentët kanë protestuar masivisht para Ministrisë së Arsimit, duke treguar qartë se janë të mirëvendosur në kërkesat e tyre, drejtuar qeverisë së Edi Ramës. Teksa vijojnë të qëndrojnë në rrugë dhe kanë përshëndetur vendimin e qeverisë për anulimin e VKM-së, ata kanë deklaruar se nuk tërhiqen derisa vendimi të jetë zyrtar dhe të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre. Kështu, Ministria e Arsimit dhe Sportit është tërhequr përballë masivizimit të protestës së studentëve, duke pranuar njërën nga kërkesat e duke shfuqizuar nenin 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 të qeverisë për tarifën për kreditet për provimet e mbartura për studentët.

“Që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat, nuk do të ketë kosto shtesë për studentët”, tha ministrja Nikolla, dy ditë pas protestës para Ministrisë.

Por studentët kanë kërkuar plotësimin dhe të disa pikave të tjera që janë parashtruar në kërkesat e tyre fillestare që kishin të bënin dhe me shtyrje e afatit të pagesës së tarifës vjetore në fund të janarit dhe pagesën me këste e tarifës vjetore, e cila duhet të përgjysmohet. Studentët protestues njëherësh kanë kërkuar dhe një përfaqësues në bordin e administrimit, kërkesë për të cilën Ministrja Nikolla është shprehur se “është e paparë”, pasi sipas saj kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës.

Lidhur me kërkesën për përgjysmim të tarifës së studimit, Nikolla tha se është në dorë të universiteteve, të cilët janë autonomë në vendime. Duke u ndalur te pika e fundit, kushtet në konvikte, ministrja u shpreh se qeveria ka investuar dhe do të investojë. Por studentët janë të pakënaqur me plotësimin vetëm të një kërkesë nga ana e Ministrisë së Arsimit, duke paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në zgjidhjen e plotë të të gjitha kërkesave, duke e masivizuar më tej reagimin ndaj qeverisë dhe oligarkëve të saj politikë. Çka do të sjellë një përshkallëzim të mëtejshëm të lëvizjes studentore jo vetëm në Tiranë por dhe në të gjitha qytetet ku ka universitete.

Protestat e studentëve të këtyre ditëve për herë të parë janë zhvilluar në mënyrë të organizuar, përfekte dhe me kërkesa të qarta, të detajuara dhe të realizueshme, pa asnjë ndikim të dukshëm politik. Kjo është vënë re dhe nga dëbimi i të gjithë përfaqësuesve politikë, kryesisht të opozitës por jo vetëm të saj, të cilët kanë tentuar të përfitojnë politikisht nga ky masivizim i reagimin të qytetëruar të studentëve, që po tregojnë se ashtu si në vitin 1990 janë gati për ndryshim.

Me sa duket ka ardhur koha për një ndryshim të kësaj klase politike, në të dyja krahët, që është dominuar nga oligarkët klientelë e kupolës politike dhe që kanë uzurpuar vendin në të gjithë arteriet jetike të tij. Dhe misioni si gjithnjë u ka rënë studentëve, që në këto ditë të para dhjetori, plot 28 vite pas dhjetorit të vitit ’90 të marrin në dorë pastrimin e Shqipërisë nga oligarkia politike. Mësohet se kryeministri Edi Rama, i cili e neglizhoi në fillim këtë protestë studentore, është tërbuar me ministren e Arsimit Lindita Nikolla, rektorët dhe dekanatet, duke u kërkuar në mënyrë urgjente gjetjen e një zgjidhje, ende pa dalë situata jashtë kontrollit./Pamfleti

 

Loading...

Loading...
WhatsApp Denonco tek Pamfleti