Aktualitet20 Tetor 2018, 14:45

Pushteti dhe seksi

Shkruar nga Pamfleti
Pushteti dhe seksi

Pushteti dhe seksi

Sjellja e Donald Trumpit ndaj grave të mbushë me mllef. Por, thyerja e tabuve nga ana e tij bëhet me kalkulim: qëllimi është që politika e Amerikës të çlirohet nga morali.

Shkruan Thomas Assheuer

Në teatër kjo skenë është klasike – dhe duket, pak a shumë, kështu: të lodhur nga lufta dhe me tërbim të ftohtë disa njerëz qëndrojnë të shpërndarë në skenë dhe janë pafund të armiqësuar me njëri-tjetrin. Ata nuk mirëkuptohen më mes vete, secila fjalë për çdonjërin ka kuptim tjetër. Njëri mërmërit «drejtësi!», tjetri bërtet: «Ky është socializëm!» Vetëm një fjalë funksionon dhe çdokush e di cila. Fjala seks.

Kush e përcjell luftën civile semantike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atij pashmangshëm i kujtohet kjo skenë – atëherë kur qëndrimet politike përplasen me njëra-tjetrën me urrejtje metalike, kur fjalët bëhen blozë në ajër dhe i varrosin gjërat e përbashkëta të demokratëve. Duket se vetëm një temë i bën bashkë partitë në konfliktin e pafrenueshëm, tema e dhunës seksuale, së fundi në rastin e Brett Kavanaugh, të cilin tri gra e akuzuan për përpjekje për dhunim. Donald Trumpi e imponoi me kamxhik kandidatin e tij për Gjykatën Supreme; ai e përqeshi njërën nga gratë akuzuese, e imitoi dhe i kërkoi falje Kavanaugh për vuajtjen e tmerrshme, të cilën ia paskëshin shkaktuar bandat majtiste. Në anketa popullariteti i presidentit u rrit.

Duhet pyetur: përse konservatorët i qëndrojnë besnik presidentit të tyre vulgar? Përse republikanët e krishterë dhe puritanë e mbështjellin veten me heshtje domethënëse – ruajtësit e moralit dhe gardianët e pastërtisë së paprekshme të zemrave amerikane? Sepse ata e dinë se në këtë luftë kulturore nuk bëhet fjalë vetëm për lajthitje morale. Bëhet fjalë për rilindjen e kombit dhe për potencën e zhveshur nga morali të pushtetit amerikan.

Trumpi këtë e ka premtuar: «Ëndrra amerikane ka vdekur. Unë do ta bëjë atë edhe më të madhe se kurrë më parë». Poli i pushtetit konservator të Amerikës është shumë i vendosur që kombin ta çlirojë nga një moralizëm gjoja histerik, nga rregullat gjuhësore dhe mënyrat e të menduarit, të cilat, siç thuhet, vendin e paskëshin shndërruar në një shoqëri të disiplinuar, në një serrë me ajër të rëndë dhe me rregulla të gjithanshme. Sipas këtij poli konservator gjithçka është nën kontroll: raporti i natyrshëm mes gjinive, ekonomia vitale, politika sovrane. Trumpi ankohet: «Ne jetojmë në kohëra të frikshme për burrat e moshës së re. Dikush të fajëson dhe jeta jote mbaroi». Me gjasë kundër despotizmit moral të establishmentit liberal ndihmon vetëm revolucioni. Dhe si çdo revolucion ai fillon me një teprim, me shkeljen e normës morale.

Shikojmë të habitur. Zhargoni i çlirimit dhe thyerja e tabusë, të cilat, siç dihet, janë domene të së majtës, kanë ndërruar anën, sepse në shënjestër është vënë politika e identitetit, e cila pa dyshim ka prodhuar shumë marrëzi. Sipas konservatorëve këtu bëhet fjalë për një ideologji egocentrike të zbulimit të vetvetes, e cila e shkapërderdh shoqërinë dhe njerëzit e lirë i torturon me tabu shpirtvogla mbi erotikën korrekte, ndërsa ajo – siç shkruan Francis Fukuyama në numrin e parafundit të «Der Spiegel» – e harron më të rëndësishmen: plotëninë kombëtare.

Dredhia e konservatorëve amerikanë është kjo: ata e përdorin tezën e shtypjes seksuale kundër shpikësve të saj. Kjo tezë u bë e njohur në vitet ’60 dhe ’70 dhe, pak a shumë, dukej kështu: deri në fillim të modernizmit përdorimi i kënaqësive ishte paturpshëm i natyrshëm, i egër, i pistë dhe i çliruar. Kjo ndryshoi me shpikjen e kapitalizmit. Tani trupat duhej të stërviteshin dhe të disiplinoheshin tamam për prodhimtari, ata u certifikuan, formatizuan dhe rregulluan. Çfarë mbeti nga dashuria romantike, këtë qytetari e sakrifikoi në altarin e martesës.

Filozofët e majtë nga kjo nxorën përfundimin: kush e çliron seksin, ai e emancipon shoqërinë, dhe – sipas tyre – pikërisht kapitalizmi do të ndihmonte këtu. Për filozofin Herbert Marcuse që në fund të viteve ’60 kishte ardhur momenti revolucionar. Kapitalizmi, sipas tij, kishte mënjanuar mangësitë dhe mjerimin e përditshëm, tashmë askujt nuk duhej t’i imponohen privime të panevojshme dhe detyrime. Tani shoqëria e tëhuajësuar mund të çlirohet dhe seksualiteti ambivalent të shndërrohet në erotikë – në një dhunti.

Natyrisht djathtistët e kuptojnë krejt ndryshe «çlirimin». Pikësëpari ata mendojnë se ideja e iluminizmit se natyra mund të humanizohet, është budallallëk, sepse, sipas tyre, natyra është mizore, e vrazhdë dhe e zymtë, shkurt: ajo na qenkësh një truall i lashtë dionistik, mbi të cilin fuqitë e jetës të kënaqësisë dhe dhunës janë në luftë. Vetëm nga kjo luftë e fuqive të jetës, ky është mendimi i dytë i tyre, krijohen vepra të mëdha, kultura të mëdha dhe kombe të mëdha – dhe kjo në argumentim të kundërt domethënë: kush i çliron fuqitë e errëta të jetës dhe i rinatyralizon, ai e çliron shoqërinë dhe ia kthen madhështinë e vjetër. Ndërsa kush i mban mbyllur në korse të moralit majtist, kush i dobëson të fuqishmit dhe i forcon të dobëtit, ai përfundon në mediokritet dhe mani. Pikërisht kjo, sipas tyre, ka ndodhur në Amerikë. SHBA-të ishin të parat, pastaj erdhën Clintonët dhe Barack Obama.

Këso mençurish darviniste nuk mund të lexohen në webfaqen e Shtëpisë së Bardhë, por në shkresurinat e të djathtës amerikane ato gjenden gjithsesi. Botuesit e tyre, për shembull, bëjnë reklamë për Julius Evola (1898-1974), një historian i kulturës shumë i lexueshëm dhe i inspiruar nga Friedrich Nietzsche, i cili, për fat të keq, ishte dashuruar në gabimin e tij dhe seriozisht besonte se mjerimi i civilizimit fillon me tradhtinë që i bëhet botës arkaike-burrërore, pra më së voni me krishterimin. Por, sipas tij, apostujt e moralit janë mashtruar: në histori nuk spërkatet ujë trëndafili, por gjak.

Ky italian nuk ka merituar diçka tjetër përveç se të bëhet idhull që adhurohet nga e djathta (edhe ish-këshilltari i Trumpit Steve Bannon e citon atë), Evola gjithmonë dëshironte të ishte këtu. Krejt ndryshe është puna me feministen amerikane Camille Paglia, e cila ngulë këmbë që të quhet libertariane. Edhe në Gjermani kjo «murgeshë epshore me shikim të Meduzës» (Paglia për veten e saj) ka pushtuar një vend në vitrinën e drunjtë të djathtistëve që lexojnë, pasi që ajo po zhvillon një betejë me pasion kundër «stalinizmit» të teorisë së përkatësisë gjinore («gender») («gratë janë kuçedra», thotë ajo) dhe spekulon gjerë e gjatë mbi intimitetin e seksit dhe pushtetit («grave u pëlqen shovinizmi»). Paglia me gjasë është e vetmja feministe, nga e cila e ndiejnë veten të mirëkuptuar maskulinistët.

Tepër e popullarizuar te djathtistët është edhe këshilla e Paglias se burrat duhet të jenë të fuqishëm dhe të shkëputen nga bota e ulët femërore duke ikur në kulturën më të lartë – nëse gratë do ta kishin pushtetin, njerëzimi, sipas saj, do të jetonte ende në kolibe. Në ofertën e saj gjendet një fjali edhe për Trumpin. «Shumë zhurmë teatrale bëhet për keqtrajtimin e grave. Pse e gjithë kjo? Nëse një grua shtrihet në kolltuk duke nxitur epshe, asnjë burrë nuk mund ta marrë atë seriozisht nëse befas thotë jo». Kjo tingëllon bizare, por edhe më bizare është se Donald Trumpi e ndien veten mirë në këtë botë. I ati i tij i lavdëronte biznesmenët e suksesshëm si «vrasës», ndërsa për të birin e tij Barronin Trump thotë me ironi brutale se ai është «i fuqishëm, i mençur, i rreptë, mizor dhe i dhunshëm – të gjitha këto cilësi që duhet t’i kesh për të qenë sipërmarrës». Për Trumpin – kjo mund të lexohet në librin «Demagogjia digjitale» e Christian Fuchsit – bota është një pellg me peshkaqenë, një «vend i poshtër dhe brutal. Ne mendojmë se jemi të civilizuar. Por, në realitet bota është e tmerrshme. Njerëzit po bëhen të mjerueshëm dhe të poshtër», por edhe «lakmia» gjithandej po ngre «kokën e poshtër».

Trump e përshkruan kapitalizmin në mënyrë aq të saktë si të ishte marksist, si një gjendje natyrore, si luftë kundër të gjithëve kundër të gjithëve. Por, çfarë të bëhet në këtë botë ujqish? Trumpi thotë: «Pranoje atë!» dhe kështu ofron një pamje spektakulare të libido-ekonomisë së tij, bile mund të thuhet: e pranon atë. Trump flet për shijimin vulgar dhe për unitetin e seksit dhe pushtetit – çdo fitore ndaj kundërshtarit për të është një kënaqësi më shumë. «Më pëlqen ta shtypë kundërshtarin dhe të nxjerrë përfitimin. Përse? Sepse s’ka gjë më të mirë. Për mua kjo është më e mirë se seksi. Dhe seksi më pëlqen».

Para se të shfrenohemi duke u mllefosur: fjalitë e Trumpit mbi seksin dhe pushtetin u japin të drejtë atyre që thonë se shoqëria liberale bazohet në një përçarje strukturore. Nga njëra anë liberalizmi e sheh qytetarin si subjekt egoist, i cili brenda kufijve të ligjit mund të bëjë çfarë të dojë. Njëkohësisht ky individ duhet të jetë qytetar i mirë moral dhe përherë të mendojë për komunitetin.

Në kohërat e qeta ekonomike ky paradoks liberal vërehet pak, gjithçka është paqësore. Por, sapo kombet të gjenden nën presion apo kur bota e jashtme shndërrohet në fushëbetejë, përçarja shpërthen – jo vetëm politikanët heqin dorë nga ngurrimet morale: ata zbulojnë egoizimin sovran dhe virilitetin e lashtë heroik, ata i shajnë leckat liberale, përbuzin feminizmin dhe gjithçka që i vë pranga kultit të fuqisë. Me një fjalë: ata e zgjedhin dikë si Donald Trumpi dhe e adaptojnë vendin e tyre në ushtrimin e pushtetit lakuriq.

Le ta përfytyrojmë një mesnatë, një takim mes Marcuses, Theodor W. Adornos dhe Michel Foucaultit. Fillimisht mes filozofëve mbretëron një moskuptim i madh, njëri flet për shoqërinë, tjetri për regjimin e diskursit. Pastaj një fjali e zymtë e Adornos: «Rezultatin e tij të fundit civilizimi e kthen te natyra». «Në obsesionin seksual të modernizmit» Foucault dëgjon «bubullimën e vdekjes». Në kremten e pushtetit Marcuse zbulon një «afinitet të thellë drejt vdekjes», «disfatën e lirisë». Këtë e kuptojnë që të tre./«Die Zeit», përshtati në shqip, Enver Robelli

Forum Donald Trump Thomas Assheuer