Kulture23 Shtator 2018, 14:35

Pusi që ndryshoi historinë e Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
Pusi që ndryshoi historinë e Shqipërisë

 

Pusi i parë i naftës në botë

Në vitin 1859, Edvin L. Drejku, një faturino treni në pension, duke përdorur një motor të vjetër me avull, me qëllim që të nxjerrë naftë shpoi një pus 22 metra të thellë, afër Tajtësvillit në Pensilvani, SHBA.

Kjo ngjarje shënoi fillimin e epokës së naftës.

Shpejt, blerja me ngut e tokave dhe shpimi i puseve u bë një ndër bizneset kryesore në të ashtuquajturat rajone nafte në Shtetet e Bashkuara. Në ato vite ishte e zakonshme të dëgjoje për njerëz që papritur bëheshin të pasur dhe për të tjerë që e humbnin pasurinë e fituar. Si për ironi, Edvin Drejku, njeriu që hapi pusin e parë të naftës në Pensilvani, ishte njëri nga ata që e humbën gjithë pasurinë e tyre.

Pavarësisht nga lulëzimi i jashtëzakonshëm i tregtisë së naftës, e ndoshta për shkak të këtij lulëzimi, industria e naftës në Pensilvani shpejt pësoi për herë të parë humbje. Çmimi i naftës ra nga 20 dollarë për fuçi në 10 cent për fuçi. Mbiprodhimi dhe spekulimi çuan në uljen e menjëhershme të çmimeve, e si pasojë disa puse shteruan shpejt. Një kujtim i veçantë i atyre kohërave është qyteti i Pitolit, në Pensilvani, i cili sot ka mbetur një qytet fantazmë. Ai u ndërtua, lulëzoi dhe pastaj u braktis. E gjithë kjo ndodhi në një hark kohor prej pak më shumë se një viti e gjysmë. Këto ulje-ngritje do të bëheshin pjesë e pandashme e historisë së naftës.

Pusi i parë në Shqipëri

Astrit AVDULAJ

Zbulimi i vendburimeve të naftës në shumë pjesë të tjera të botës pati një ndikim të madh në ekonomi dhe në politikë. Sigurimi i burimeve energjetike, sidomos të hidrokarbureve, ka përcaktuar gjeopolitikën, ndërtimin e strategjive afatgjata të fuqive të mëdha, si dhe ka qënë shkaku kryesor i rivaliteteve, konflikteve dhe luftrave në planetin tonë. Rasti i Shqipërisë tregon qartë se zbulimi i naftës një shekull më parë ndryshoi qasjet gjeopolitike të kohës, duke ndaluar copëtimin e Shqipërisë Londineze dhe garantimin e qenies së shtetit të parë të shqiptarëve.

Për gjurmë të naftës në territorin shqiptar, historianët e lashtësisë shprehen që gati 20 shekuj më parë. Në mars të vitit 1875, Qeveria Osmane dha të drejtën koncesionare për kërkime të bitumit të Selenicës duke krijuar mundësinë e një industrie të re nxjerrëse shqiptare, e cila për shumë vite mbeti e vetmja industri minerare në vend. Me rilindjen e këtij aktiviteti minerar Shqipëria tërhoqi vëmendjen e gjeologëve të ndryshëm, të cilët realizuan në disa pjesë të territorit, zhvillimin e disa kërkimeve gjeonaftëmbajtëse.

Rreth vitit 1914, gjeologët e ushtrisë italiane, e cila ishte vendosur në ishullin e Sazanit, vunë re në det shënja nafte dhe, duke i gjurmuar ato, zbuluan se vinin nga Lumi i Shushicës, i cili kalon në Drashovicë të Vlorës. Shumë të interesuar ata zhvilluan studime të gjithanshme dhe projektuan shpimin e një pusi nafte.

***

Kështu, plot një shekull më parë me fillimin e 6 mujorit të dytë të vitit 1917 nën drejtimin e kapitenit Plate të Marinës Italiane, të gjeologut Madalena dhe të teknikut të naftës inxh.Amoretti, në luginën e Shushicës afër fshatit Drashovicë filloi puna për shpimin e një pusi për nxjerrjen e naftës. Aty u morën shenja të naftës në thellësinë 71,4 m , 81 m , 119 dhe 125 m dhe në thellësinë 101 m, u eksperimentua niveli produktiv i pusit, nga i cili u nxorën fillimisht 3,500 litra në ditë. Ky ishte shpimi i pusit të parë të kryer në territorin shqiptar, me anë të të cilit u konfirmua ekzistenca e naftës në Shqipëri. Për më tepër rezultoi të ishte një naftë cilësore e lehtë me densitet 0,78-0,94 gr/cm kub.

Ekipi i shpimit, i entuziazmuar me rezultatet e marra, e vazhdoi punën deri në 6 mujorin e dytë të vitit 1918 duke e çuar pusin deri në thellësinë 200m. Në këtë fazë për efekt të ruajtjes së sekretit u vendos të ndërpritet puna dhe vetëm në vitin 1924 të dhënat e marra nga pusi i shpuar në Drashovicë u bënë publike nga gjeologu Madalena.

Shqipëria dhe gjeopolitika në Ballkan në fund të Luftës së Parë Botërore

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane në 28 Nëntor 1912, e realizuar nga diplomati i shquar Ismail Qemali ishte shumë e rëndësishme për krijimin e një shteti shqiptar. Ky akt i kryer në kushtet kur, si rezultat i Luftrave Ballkanike gati i gjithë territori ishte i pushtuar nga ushtritë e fqinjëve veriorë dhe jugorë, nuk mund të realizohej pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të Perandorisë Austro-Hungareze dhe ndikimin pozitiv të Italisë, e cila kishte interesat e veta.

Mbas tetë muajsh, më 29 Korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër caktoi kufijtë e Shqipërisë, duke lënë jashtë trojeve etnike rreth 60% të territorit dhe dy të tretat e shqiptarëve. Gjithashtu Shqipëria do të ishte për dhjetë vjet nën mbikëqyrjen e fuqive të mëdha nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, KNK nuk funksiononte më, mbasi pjesëtarët e tij ishin pjesë të dy palëve ndërluftuese, ndërsa Shqipëria u kthye thjesht në një shesh lufte të këtyre palëve.

Në vitin 1914 Italia qëndroi në pozicion asnjëanës, duke pritur ofertën më të mirë nga palët. Ofertës së Antantës për t’u rreshtuar me të, Ministri i Jashtëm i Italisë iu përgjigj homologut të tij britanik me një memorandum të dërguar në 29 Mars 1915, i cili ndër pikat kryesore përmbante planin për copëtimin e Shqipërisë. Ky plan u përfshi në Traktatin e Fshehtë të Londrës, i nënshkruar nga palët më 26 Prill 1915. Një muaj më vonë Italia i shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë.

Lufta e Parë Botërore përfundoi në 11 Nëntor 1918 me fitoren e Antantës. Pasojë e kësaj lufte ishte rënia e katër perandorive, dy nga të cilat ajo Austro-Hungareze dhe Gjermane kishin qënë baza për krijimin e shtetit shqiptar. Shqipëria nuk kishte marrë pjesë në luftë, por ajo kishte qënë shesh lufte dhe plaçkë lufte e përcaktuar për t’u ndarë. Përfituesit e kësaj plaçke ishin në radhët e fituesve të luftës: Italia një nga katër fuqitë kryesore; Greqia megjithëse ishte rreshtuar me Antantën nga fundi i luftës dhe Serbia, e cila me 1 Dhjetor 1918, vetëm njezetë ditë mbas mbarimit të luftës, me mbështetjen e Antantës ishte bërë pjesë e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene.

Konferenca e Paqes e Parisit u mblodh nga 18 Janari 1919 deri në 21 Janar 1920. Në kuadër të kësaj konference u përpilua dhe marrëveshja për copëtimin e Shqipërisë midis Italisë dhe Greqisë e firmosur në 29 korrik 1919 nga Titoni-Venizellos. Të gjitha gjasat e kohës tregonin se copëtimi i Shqipërisë dhe asgjësimi i pavarësisë së saj ishin të sigurta.

Gjeopolitika e naftës në fillim të shekullit të Njëzetë

Në vitin 1901 britaniku William D’Arcy mori koncesionin të zbulojë dhe shfrytëzojë burime nafte në Iran. Në vitin 1908 u zbulua naftë dhe në vitin 1909 u krijua Shoqëria Anglo-Persiane e Naftës (APOC). Në vitin 1914 vetë Qeveria Britanike mori kontrollin e kësaj kompanie.

Në fund të shekullit të Nëntëmbëdhjetë, nga kërkimet e bëra, ishte rritur besimi se në Mesopotami (Iraku dhe Siria) që ishte pjesë e Perandorisë Osmane, kishte rezerva të konsiderueshme nafte. Për këtë arsye në vitin 1912 në Stamboll u krijua Kompania Turke e Naftës (TPC), ku aksionerë ishin shoqëri të mëdha europiane, si Deutsche Bank, Kompania Anglo Saksone e Naftës, Banka Kombëtare e Turqisë dhe biznesmeni turk me origjinë armene C.Gulbenkian. Në vitin 1914, kur Shoqëria Anglo Persiane e Naftës zotëronte 50 përqind të kapitalit të TPC, ajo mori premtimin për dhënien e koncesionit nga Qeveria Osmane, por fillimi i luftës i ndërpreu planet për kerkimin e naftës. Ishte pikërisht konflikti për zotërimin e burimeve të naftës së Irakut një nga shkaqet kryesore, që çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.

Gjatë luftës nevojat për naftë dhe rëndësia e saj u rritën jashtëzakonisht shumë; pa karburant nuk mund të lëviznin luftanijet, aeroplanët, tanket dhe mjetet e tjera të motorizuara. Shërbimet inteligjente të shteteve dhe të kompanive të mëdha, kishin përparësi çdo informacion që lidhej me mundësitë e kërkimit dhe zbulimit të vendburimeve të reja të naftës. Megjithë synimet e italianëve për të mbajtur sekret të dhënat e pusit të shpuar në Drashovicë, qarqe të interesuara, në radhë të parë anglezët, i morën informacionet e duhura dhe filluan ta shohin Shqipërinë si një vend me interes të madh dhe të bëjnë projekte për të siguruar përfitimet e veta.

Henry Berenger, shkrimtar dhe politikan i shquar francez, në 12 Dhjetor 1919 i shkruan një notë kryministrit të vet Zhorzh Klemanso nga Londra, ku ai kishte për detyrë të përgatiste takimin e ardhshëm France-Britani në kuader të Konferencës së Paqes, në funksionin e Komisionerit të Përgjithshëm të Naftës dhe të Lëndëve Djegëse, në të cilën theksonte se “Ëho ëill have the oil ëill have the domination” (Kush do të ketë naftën do të sundojë).

Garantimi i burimeve të naftës mori prioritet absolut mbi çdo interes tjetër të fuqive kryesore të Antantës, që dolën fitimtarë të Luftës së Parë Botërore. Kjo u tregua më së miri në Konferencën e San Remos mbajtur në 19-26 Prill 1920, pasuar nga Traktati i Sevrës në 10 Gusht 1920, që përcaktuan interesat e këtyre fuqive të mëdha, të cilat lidheshin me rikonfigurimin e territoreve të ish Perandorisë Osmane dhe në rradhë të parë me Mesopotaminë, ku mendohej se kishte rezerva të mëdha të naftës. Mbas këtij rikonfigurimi, TPC mori nje koncesion për naftë nga Qeveria e Irakut në vitin 1925 për 20 vjet. Në Tetor 1927 në Kirkuk të Irakut u zbulua naftë. Ky zbulim mbas shumë negociatave coi në rikonfigurimin e interesave të aksionerëve ku Anglo Persian Oil, Royal Dutch/Shell, Kompania Franceze e Naftës dhe NEDC (Një konsorcium prej pesë kompanish të mëdha amerikane) kishin nga 23,75% të aksioneve, ndërsa 5% mbeten për C.Gulbenkion.

Shqipëria në vitin 1920, fillim i dëshpëruar, fund i ndritur me pranimin në Lidhjen e Kombeve

Situatën e Shqipërisë në ditët e para të fillimvitit 1920 e përcakton më së miri fjala e Fan Nolit në parlament në 11 Shkurt 1924, në homazh të vdekjes së Presidentit amerikan Willson: “Në Janar 1920 një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjithë anët e vendit, i cili qe si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar prej Aleateve, ishte njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Willson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Willson jo vetëm nuk e vuri firmën, po u përgjeq edhe me Dy nota, me të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetë qeverim, dy nota që janë dy nga xhevairet më të ndritshëm të karierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë kohë të marrim frymë dhe të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot…Dhe si u hoq nga fuqia Presidenti Willson, kush e mori mprojtjen e Shqipërisë? Ishte Lidhja e Kombeve, krijesa e Presidentit Willson.”

Me mosfirmosjen e projektit të copëtimit të Shqipërisë u bë hapi i parë, por për të konsoliduar shtetformimin e shtetit të parë të shqiptarëve një projekt i ri ishte hartuar nga aleatët anglo saksonë dhe prej muajsh po punohej për zbatimin e tij.

Synimi i ketij projekti ishte që Shqipëria të ishte një shtet me pavarësi të plotë në kufijtë e vendosur në 29 Korrik 1913 në Londër të rikonfirmuar nga ndërkombëtarët, në mënyrë që ajo të kishte sovranitet të plotë qeverisje mbi territorin dhe pasuritë e veta kombëtare.

Këtij qëllimi i shërbeu mbajtja e Kongresit Mbarëkombëtar të Lushnjës në 21-31 Janar 1920, i cili miratoi Aktin Themeltar Kushtetues për Pavarsinë e Plotë të Shqipërisë, duke hedhur poshtë çdo përpjekje për cenimin e kufijve të saj. Mbasi e quajti të rrëzuar Qeverinë e Durrësit, Kongresi zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetësh, në funksionin e Kryetarit të Shtetit, Këshillin Kombëtar prej 37 vetësh, Qeverinë me Kryeministër Sulejman Delvinën dhe caktoi kryeqytet Tiranën.

Një problem i madh për Kongresin e Lushnjës ishte siguria e mbajtjes së tij, mbasi ai ishte midis dy armiqve; forcave të ushtrisë italiane që ndodheshin në Vlorë dhe forcave të qeverisë së Durrësit. Eshtë fakt i njohur se majori anglez Morton Frederik Iden kishte muaj që lëvizte nëpër Shqipëri duke takuar delegatët e Kongresit dhe organizuar sigurinë e lëvizjes së tyre. Në një nga këto lëvizje duke kaluar Urën e Matit, atij i zunë pritë i vranë dy nga shoqëruesit dhe e plagosën në krah. Megjithatë ai vazhdoi punën e tij dhe gjatë ditëve të Kongresit organizoi konkretisht forca të armatosura që mbrojtën punimet e tij. Kongresi në fillim të punimeve të tij bëri homazhe për Abdyl Ypin, një nga iniciatorët dhe delegat i tij, i cili pak ditë para u vra nga njerëzit e Qeverisë së Durrësit për të trembur delegatët e tjerë që të mos shkonin në Kongres.

Mbas Kongresit të Lushnjës, u rrit fryma atdhetare dhe filluan organizimet për të bërë reale pavarësinë e Shqipërisë në të gjithë territorin e saj. Një nga epopetë më të lavdishme është ajo e Luftës së Vlorës për të larguar prej andej ushtrinë italiane. Luftëtarët nga krahina e Vlorës dhe nga shumë krahina të tjera të Shqipërisë, të mbështetur nga Qeveria e Tiranës, filluan sulmin mbi ushtrinë italiane në 5 Qershor 1920 dhe në 2 Gusht 1920 u nënshkrua Protokolli i Tiranës, ku Qeveria e Romës deklaronte se “ Respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë”. Një muaj më vonë trupat italiane ishin tërhequr nga Vlora. Kjo ishte një fitore e madhe, por edhe një mesazh për pretendimet territoriale të fqinjëve jugorë dhe veriorë.

Në 12 Tetor 1920 Qeveria Shqiptare bëri kërkesë për pranimin në Lidhjen e Kombeve, e cila në 15 Nëntor 1920 do të mblidhej në Gjenevë në të parën Asamble të saj. Në 12 Nëntor 1920 mbërriti delegacioni shqiptar i kryesuar nga Fan Noli, i cili filloi të plotësojë dokumentacionet e pranimit. Mbas shumë debatesh, kërkesa e Shqipërisë me raportin 8 pro dhe 13 kundër, me arsyrtimin që të shtyhej deri sa të rregullohej statusi ndërkombëtar i saj, nuk fitoi në Komisionin e Pestë, i cili shqyrtonte kërkesat për pranim. Në këto kushte kryetari i këtij komisioni Lordi Cecil, përfaqsues i Afrikës së Jugut, e ngriti problemin në Asamble, duke argumentuar pranimin e Shqipërisë. Mbas mbështetjes që i bënë atij, përfaqësues të tjerë të vendeve pjesë të Perandorisë Britanike, si Kanadaja, India dhe vetë Britania, Shqipëria në 17 Dhjetor 1920 u bë antare e 43 e Lidhjes së Kombeve, me 35 vota pro, 7 abstenime dhe asnjë votë kundër.

Kjo ishte një ngjarje shumë e madhe, mbasi tani për fatet e Shqipërisë nuk do të diskutohej dhe të merreshin vendime nëpër kulisa, por në institucione ku do të debatohej dhe do të dëgjohej edhe zëri i përfaqsuesve të saj.

Këto arritje të vitit 1920 janë të pashembullta në historinë e Shqipërisë dhe u realizuan si rezultat i një mobilizimi maksimal të të gjitha shtresave të shoqërisë, të cilat kuptuan se ishin para zhbërjes përgjithmonë të shtetit shqiptar. Gjithashtu pati një aktivizim maksimal të diasporës shqiptare në të gjitha fushat, në politikë, në luftë, në diplomaci, me shtyp dhe me ndihma të ndryshme.

Për të kuptuar më mirë arritjet e mëdha të vitit 1920, sidomos pranimin në Lidhjen e Kombeve, le ta krahasojmë atë me pranimin e Shqipërisë 25 vjet më vonë, kur ajo bëri kërkesën për pranimin në OKB. Megjithëse Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore u rreshtua me fitimtarët dhe numëronte 70 mijë luftëtarë që ndoqën nazistët deri në Vishegrad, ajo u pranua në OKB vetëm mbas 10 vjetësh, në 14 Dhjetor 1955 duke u bërë antari i 176 i saj! Pse u pranua edhe atëherë kur pengesat e mospranimit nuk kishin rënë kjo mbetet të analizohet!?

Shkaqet e paqëndrueshmërisë politike në Shqipëri në vitet 1921-1924

Në vitet 1921 deri në 1924 qeveritë shqiptare kanë ndryshuar 12 herë. Në këtë situatë kanë ndikuar faktorë të brëndshëm si niveli i ulët i zhvillimit ekonomik të vendit dhe pamjaftushmëria e mbledhjes së të ardhurave buxhetore, mungesa e kapitalit vendës, mungesa e përvojës demokratike të popullit dhe të qeverisjes së tij nga klasa politike etj. Për vetë gjendjen e krijuar faktorët e jashtëm kanë qënë përcaktues në situatën politike të vendit dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndikimin e vendeve fqinje me synimet e tyre territoriale, por për interesat dhe rivalitetin e fuqive të mëdha për të kontrolluar burimet e naftës që mendohej të kishte Shqipëria mbas daljes së të dhënave për pusin e shpuar në Drashovicë.

Më lart treguam se britanikët luajten rol vendimtar në përgatitjen dhe sigurinë e Kongresit të Lushnjës dhe në pranimin e Shqipërise në Lidhjen e Kombeve, që si shpërblim për këtë të merrnin monopolin në kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës, mbasi në rast se në Shqipëri do të zbuloheshin sasi të konsiderueshme nafte cilësore, për shkak të kostos së transportit ajo do të konkuronte naftën e Iranit dhe Irakut, ku ata kishin kontrollin.

Në 25 Mars 1921 nga Qeveria me kryeministër Iliaz Vrionin, u ndërmor iniciativa për të paraqitur në parlament një projekt për dhënie koncesioni të naftës për “D’Arcy Exploration Company”, një filial ky i kompanisë Anglo Persiane të Naftës. Ky projekt nuk arriti të prezantohej në parlament për shkak të krizës së kabinetit qeveritar, i cili u detyrua të krijojë një qeveri koalicioni, pasojë kjo e rritjes së rivalitetit midis aleatëve dhe ndikimit të tyre në parlamentin shqiptar.

Veçanërisht e pakënaqur nga kjo situatë ishte Italia, së cilës futja në luftë i kishte kushtuar rreth 700 mijë të vrarë, rreth 1 milion të plagosur dhe 22 miliard lira deficit buxhetor. Mosmbajtja e premtimeve të Traktatit të Fshehtë të Londrës krijoi në mbarë Italinë ndjenjën e tradhtisë nga aleatët. Kjo pakënaqësi masive, ashtu si në Gjermani barra e reparacioneve të rënda të luftës çoi në lindjen dhe marrjen e pushtetit nga nazistët, edhe në Itali çoi në rritje të përgjithshme të fashizmit dhe krijimin e qeverisë fashiste nga Musolini në Tetor 1922.

Në këtë periudhë rivaliteti midis Perandorisë Britanike dhe Shteteve të Bashkuara për zotërimin e fushave naftëmbajtëse kishte arritur kulmin. Si pasojë e pakënaqësisë për mënyrën e shpërndarjes së burimeve të naftës, veçanërisht atyre të Mesopotamisë nga ana e britanikëve, amerikanët kishin vendosur të luftonin fort për naftën në Shqipëri. Zyrat e ministrive dhe të parlamentit në Tiranë frekuentoheshin gjithnjë dhe më shumë nga përfaqësues të Sinclar Oil Company dhe nga Standard Oil Company të Neë Yorkut.

Nisi ndërkohë një fushatë e vërtetë konkruence midis partnerëve të kontraktuar të cilët vijuan të avanconin kushtet gjithnjë e më shumë për shtetin (edhe pse ishin të bindur se ata nuk do t’i respektonin) dhe influencuan në opinionin publik nëpërmjet mjeteve të shtypit lokal, duke kërkuar që të fitonin simpatinë e partive parlamentare të opozitës. Pretendentëve Anglo Saksonë u ishin shtuar edhe Francezët të cilët kishin legalizuar në Paris një “Sindikatë Franko Shqiptare” dhe dy ndërmarrje financiare private ”Shoqëria Italiane e Minierës së Selenicës” dhe “Grupi Londinez H H Rushton”. Problemi i dhënies së koncensioneve po merrte një predominancë të rëndësishme në politikën e brëndëshme e të jashtme shqiptare.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve e ndihmoi atë për njohjen ndërkombëtare. Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Paris në 9 Nentor 1921 rikonfirmoi Shqipërinë si shtet të pavarur dhe sovran, në kufijtë e përcaktuar në 1913 duke njohur de jure dhe de facto qeverinë shqiptare.

Nuk mund të themi të njëjtën gjë për mbështetjen e Shqipërisë nga Lidhja e Kombeve në drejtim të ekonomisë, megjithë kërkesat e përsëritura nga ana e qeverive shqiptare, duke ndikuar edhe këtu rivaliteti i fuqive të mëdha. Kështu kur për këshilltar financiar të qeverisë shqiptare u propozua anglezi R.S.Peterson, përfaqësuesi i Francës kundërshtoi se ai mund t’u shërbente vetëm interesave britanike në Shqipëri. Në 12 Maj 1922 Këshilli i Lidhjes shqyrtoi alternativën e marrjes së protektoratit ekonomik mbi Shqipërinë, gjë që e kundërshtoi prerë Italia, e cila s’mund ta pranonte këtë protektorat pa siguruar interesat vitale të Italisë në këtë vend. Në 21 Korrik Lidhja vendosi të dërgojë në Shqipëri Prof. Albert Calmes nga Luksemburgu, për të studiuar situatën ekonomiko-financiare të vendit. Ky ekspert përgatiti raportin ku thekson gjëndjen e keqe ekonomiko-financiare të vendit duke filluar nga infrastruktura minimale, si dhe tregon edhe mundësitë e mëdha që ka vendi për t’u rimëkëmbur, por për këtë i duhet një hua prej 50 milionë fr.ari. Raporti u shqyrtua, por as Lidhja dhe as ndonjë shtet nuk u ofroi qeverive shqiptare ndonjë hua, duke u lënë atyre si alternativë vetëm dhënien me koncesion të pasurive natyrore të vëndit.

Zgjedhjet politike të vitit 1923 kishin rritur konfliktin midis partive të ndryshme, që u acarua me shumë gjatë vitit 1924 me atentatin ndaj Ahmet Zogut në parlament në 23 Shkurt dhe me vrasjen e Avni Rustemit në 20 Prill 1924 në Tiranë. Rritja e revoltës popullore çoi në largimin e Zogut nga vendi dhe ardhjen në fuqi të qeverisë me kryministër Fan Nolin.

Noli filloi menjëherë tratativat për njohjen e qeverisë së tij nga fuqitë e mëdha. Britanikët nuk e mirëpritën, ndërsa megjithëse shkoi dy herë në Legatën Amerikane në Tiranë në 22 qershor dhe në 4 korrik, përfaqësuesi amerikan Grant Smith i vuri si kusht të parë për njohjen dhënien e koncesioneve të naftës për shoqëritë amerikane.

Në verën e vitit 1923 një projekt i ri koncesioni Anglo-Persian i ishte paraqitur parlamentit, me insistimin për t’u miratuar. Në Mars 1924 Administrata Hekurudhore Italiane prezantoi pranë qeverisë shqiptare një propozim koncesioni të një niveli të lartë teknik dhe financiar dhe me garanci të plota për të ardhmen e naftës në Shqipëri. Në 11 Tetor 1924, Fan Noli takon Musolinin, i cili i propozon nënshkrimin e një pakti ku në këmbim të kredive dhe ndihmave për ushtrinë shqiptare të miratohej propozimi koncesionar italian i naftës. Noli nuk e pranoi këtë pakt dhe pas dy muaj e gjysmë, si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të Zogut me mbështetjen e Beogradit dhe të fuqive të mëdha që i qëndronin mbas, qeveria e tij u detyrua të larghet në azil politik.

Sejfi Vllamasi, delegat në Kongresin e Lushnjës dhe ministër në qeverinë e Fan Nolit në librin e tij ”Ballafaqime politike në Shqipëri (1899-1942)” shkruan se kur ishte si emigrant politik në Paris në vitin 1934 takon Majorin Morton Frederik Iden, të cilin e kishte njohur që në Lushnjë, me të cilin ha një darkë dhe ai i thote “Vajguri që ia shkëputi Turqisë vilajetin e Mosulit për shkak të burimeve vajgurore për t’ja dhënë Irakut, po ai vajguri ju përzuri juve nga Shqipëria dhe pruri Zogun në fuqi”

Dhënia e koncesioneve nga Ahmet Zogu e bënë atë President dhe Mbret

Sapo Zogu mori pushtetin dhe qeveria e re nuk ishte formuar ende, njerëzit e tij përgatitën projektin e Konçensionit Anglo Persian Oil dhe me shpejtësi e dërguan në parlament pa asnjë diskutim, për t’a miratuar në një nga seancat e para të tij në 16 Shkurt 1925. Kjo procedurë e përshpejtuar nuk mund të mos tërhiqte vëmëndjen e qeverisë fashiste, e cila ishte përfshirë në një procedurë konkurimi dhe refuzoi të njihte legjitimitetin e këtij urdhëri politiko administrativ të parlamentit të Tiranës. Qeveria e Romës e dinte se urdhërat për këto veprime vinin nga Londra, prandaj çështja doli nga situata në një terren ndërkombtar tepër të vështirë dhe zgjidhja e tij nuk mund të realizohej pa konsensusin e Romës. Tezat kontraditore u bënë objekt i shkëmbimeve të notave të ashpra diplomatike midis Romës dhe Londrës. Për të zgjidhur këtë problem Londra dërgoi në Romë ekspertin më të mirë të saj, Sër Xhon Kadman, me një ekip të madh teknikësh dhe juristësh. U realizua kështu akordi për rishpërndarjen e zonave të kërkimit për naftë duke respektuar interesat e Italisë në fushat naftëmbajtëse. Kjo u arrit nëpërmjet një bashkpunimi shkencor dhe teknik dhe të shkëmbimit të informacioneve midis dy palëve.

Vetëm pas kësaj marrëveshjeje midis fuqive të mëdha u bë e mundur që qeveria shqiptare të japë koncesionet e para.

Sipas rendit kronologjik koncesionet e naftës të dhëna nga qeveria e Zogut ishin:

Anglo Persian Oil Co ( në mes me D’Arcy Exploration Co ), në 11 Mars 1925 merrnin antiklinalin në rrjedhjen e poshtme të Semanit përfshi zonën e Patosit me një sipërfaqe prej 34,412 hektarë.
Hekurudhat e Shtetit të Mbretërisë Italiane, në 12 Mars 1925 përfshinte zonën nga brigjet e Semanit deri në Gjirin e Vlorës dhe në luginën e Shushicës (7 zona ku përfshiheshin shenja të naftës dhe pikërisht aty ndodhej edhe miniera e bitumit Selenicë), nga ana tjetër përfshinte zonën e Devollit në Shqipërinë Qëndrore me një sipërfaqe të përgjithëshme 47,213 hektarë.
Shoqëria Italiane Minerare Selenica, S.I.M.S.A. në 2 Maj 1925 në territorin e së cilës përfshihej edhe Penkova e Drashovica me një sipërfaqe prej 2,148 hektarë.
Standard Oil Co e New Yorkut , në 29 Korrik 1925 me dy perimetra prej të cilëve një për ultësirën bregdetare, nga krahu i Lagunës së Karavastasë përfshinte plazhet deri në Vlorë dhe tjetra kufizohej në luginën në lindje të Durrësit gjithësej 51,500 hektarë.
H.H.Rushton në 12 Gusht 1925 përmblidhte zonën që kufizohej me kufirin Anglo Persian të Patosit dhe një zonë të izoluar në Mallakastër gjithësej prej 8,600 hektarësh.
Sindikata Franko Shqiptare në 18 Dhjetor 1925, kishte zonën formuar nga perimetri midis koncesioneve të më sipërm duke u zgjatur në Luginën e Shushicës si dhe dy izolime, një në zonën e Shkodrës dhe një në afërsi të Korçës në total 118,193 hektarë .
Hekurudhat e Shtetit Italian të Mbretërisë së Italisë (2 koncensione nga 15 Korriku i vitit 1925) që përfshinte tre perimetra (Nga Dumreja, Mallakastra qëndrore dhe luginën e Vllahinës) që shteti shqiptar kishte zgjedhur në verën e vitit 1925 që dështoi në konstituim. Një zonë e gjërë e cila përfshin depresivin neogjenik dhe perëndimin e vargut të Malit të Dajtit, Dumrenë Qendrore dhe një pjesë të vogël në afërsi të Vlorës, gjithësej 116,815 hektarë.
Madhësia e territorit të dhënë me koncesion përmbledh 13% të sipërfaqes së përgjithëshme të vendit. Shteti arkëtonte një tarifë fikse në franga ari prej 1,5 fr për hektar, si edhe një rentë vjetore prej 13, 5% të vlerës së produkteve të nxjerra.

Tetë vjet mbas marrjes së rezultateve të para pozitive për naftë nga pusi i shpuar në Drashovicë , projekti anglo –sakson për ndalimin e copëtimit të Shqipërisë dhe krijimin e një shteti shqiptar sovran që të marrë vendime mbi pasuritë e veta ishte realizuar. Të gjitha kërkesat koncesionare për naftë të shoqërive të huaja, u plotësuan brënda vitit 1925, mbi bazën edhe të një akordi që fuqitë e mëdha që ato përfaqësonin kishin arritur midis tyre.

Për një kombinim rrethansh këto koncesione i dha Ahmet Zogu, duke e vendosur atë në një pozitë shumë të favorshme për të plotësuar të gjitha ambiciet e tij politike. Ishte edhe në interesin e fuqive të mëdha, që qeveria që u dha koncesionet të vazhdonte dhe të ishte e fortë, prandaj ato mbështetën dhe nxitën të gjitha nismat e Zogut në ndryshimet e sistemit politik që pasuan. Shoqëritë koncesionare tashmë ishin në fazën e shpenzimeve dhe të investimeve prandaj donin të eliminonin çdo risk politik. I vetmi risk që ato tashmë donin të përballeshin ishte ajo se çfarë do t’u ofronte nëntoka shqiptare, në sipërfaqet që kishin marrë me koncesion.

Me këtë konjukturë ndërkombëtare dhe të kombinimit të interesave ekonomiko-politike shpjegohen ndryshimet politike që ndërmori Zogu. Duke eliminuar partitë politike, në vitin 1925 ai u bë Kryetar Shteti në një Republikë Presidenciale dhe me një parlament me dy dhoma, ndërsa në vitin 1928 me një Asamble Kushtetuese prej 58 vetësh e shpalli veten mbret.

Kjo është historia e pusit të parë të naftës shqiptare e treguar në njëqind vjetorin e fillimit të shpimit të tij. Gjatë dhjetra viteve në vendburimin e Drashovicës janë shpuar 78 puse, nga të cilët 49 kanë dhënë naftë. Aktualisht në punë është vetëm një pus, i cili jep një ton naftë në ditë. Ai pus rri atje në qetësinë e vet, duke bërë punën e vet dhe duke shërbyer si një foltore për t’u kujtuar të gjithë shqiptarëve se një i ngjashmi i vet një shekull më parë bëri shtet Shqipërinë dhe kondicionoi për dhjetë vjet politikën shqiptare dhe trazoi jo pak të mëdhenjtë e botës.

*Astrit Avdulaj ka kryer studimet për Ekonomi (1977) dhe ka punuar për shumë vite në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe në dikastere dhe institucione qendrore të vendit. Ka kryer një sërë studimesh me vlerë, përfshi edhe naftën.

Histori/Arkeologji