Bota16 Dhjetor 2018, 13:03

Qendrat e paraburgimit për emigrantët e paligjshëm

Shkruar nga Pamfleti
Qendrat e paraburgimit për emigrantët e paligjshëm

Qendrat e paraburgimit për emigrantët e paligjshëm

Numri i emigrantëve pa dokumente që mbahen në paraburgim në Shtetet e Bashkuara po rritet. Ata gjithashtu mbahen për periudha më të gjata kohore, pa iu dhënë mbrojtja ligjore që u jepet edhe kriminelëve. Ky është përfundimi i një raporti të fundit të publikuar nga Këshilli Amerikan për Imigracionin. Siç njofton Brian Padden i Zërit të Amerikës, rastet e paraburgimit janë shtuar nën Presidentin Donald Trump, duke ngritur shqetësime mes grupeve të të drejtave të emigrantëve.

Gjatë dy dekadave të fundit, numri i emigrantëve në paraburgim është rritur nga më pak se 7,000 në vitin 1994 në më shumë se 44,000 këtë vit.

Rregullat e ashpra të emigracionit të administratës Trump e kanë përshpejtuar këtë prirje.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, mbron politikat ndëshkuese të emigracionit të administratës, duke u zotuar se kushdo që do të hyjë ilegalisht në vend do të ndalet, ndiqet dhe riatdhesohet.

“Dëshira për të gjetur punë nuk është bazë për azil sipas ligjit amerikan”, tha ajo.

Por Këshilli Amerikan për Imigracionin, një grup i pavarur, thotë se këto politika kanë prodhuar shkelje të të drejtave të njeriut për shkak të ndarjes së detyruar familjare, kushteve çnjerëzore të paraburgimit dhe mungesës së qasjes në këshillim ligjor.

“Po flasim për të drejtat themelore dhe minimumin e mbrojtjes ligjore që çdokush në paraburgim duhet të gëzojë”.

Më parë këtë vit, strategjia “Toleranca Zero” e presidentit Trump, ngarkonte këdo që kalonte kufirin ilegalisht si kriminel. Kjo rezultoi që fëmijët të ndaheshin nga prindërit e tyre. Trump e ndaloi këtë praktikë pas një protestë publike.

Në të kaluarën, azilkërkuesit shpesh lejoheshin të ktheheshin në komunitetet e tyre për të pritur ditën e gjyqit. Por administrata Trump po përpiqet gjithnjë e më shumë t’i detyrojë ata të qëndrojnë në paraburgim deri në zgjidhjen e çështjeve të tyre.

Edafe Okporo, një aktivist homoseksual i cili u largua nga Nigeria për shkak të dhunës ndaj homoseksualëve në vendin e tij, u trondit kur u arrestua pesë muaj pas kërkesës së azilit në vitin 2017.

“Më thanë se do të më fusnin në burg. Prandaj fillimisht doja të kthehesha në Nigeri, sepse nuk kam qenë kurrë në burg. Përse donin të më burgosnin? Ishte e pabesueshme për mua”.

Këshilli Amerikan për Imigracionin argumenton se paraburgimi për azil kërkuesit legjitim është kryesisht i panevojshëm.

“Shumë njerëz që ndodhen në qendrat e paraburgimit nuk janë raste problematikë, nuk janë të rrezikshëm për komunitetin dhe shumë prej tyre kanë treguar se kanë ku të shkojnë dhe se do të shfaqen në gjykatë ditën e gjyqit”.

Raporti i Këshillit Amerikan për Imigracionin kritikon procesin e paraburgimit si mungesë “përgjegjësie publike dhe transparence” dhe ngre shqetësime rreth “kushteve të papërshtatshme ose të rrezikshme të izolimit”, veçanërisht në ndërtesat e paraburgimit të operuara privatisht, të cilat, sipas kritikëve, kanë motiv për të ulur shpenzimet në lidhje me kujdesin e njerëzve, dhe për të tejzgjatur paraburgimin në mënyrë që t’u rriten fitimet./VOA

Bota Emigrantet e paligjshem qendrat e paraburgimit