Ekonomi11 Qershor 2019, 10:40

Qeveria zhyt ekonominë në borxh të jashtëm, efektet pozitive të kursit 39 mln euro

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria zhyt ekonominë në borxh të jashtëm, efektet pozitive të kursit 39 mln euro

Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare në tërësi ka vijuar rritjen edhe në tremujorin e parë të vitit 2019 dhe shkak për këtë zgjerim është huamarrja e qeverisë.

Banka e Shqipërisë raportoi se fundmi se Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi rreth 8,411 milionë euro gjatë periudhës janar-mars, në rritje vjetore prej 6%.

Qeveria e Përgjithshme zotëron rreth 46% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sistemit Bankar (17%), Sektorëve të tjerë (36%) dhe Autoritetit monetar (1%).

Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në fund të muajit mars 2019, detyrimet e Qeverisë së Përgjithshme u vlerësuan në 3,860 milionë euro dhe prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa.

Referuar fundvitit 2018, borxhi i jashtëm i Qeverisë së Përgjithshme u rrit me rreth 31 milionë euro. Teprica e huave afatgjata u zgjerua me rreth 35 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve ra me 4 milionë euro.

Banka e Shqipërisë argumentoi se efekti i kursit të këmbimit të valutave kryesore ka qenë pozitiv dhe në masën 39 milionë euro, ndërkohë, diferencat e rivlerësimit (ndryshime të tjera nga riklasifikimi) shënuan 5 milionë euro.

Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës Qendrore, shënon 58 milionë euro, pa lëvizje të konsiderueshme gjatë T1 2019.

Detyrimet e Autoritetit Monetar përbëhen vetëm nga alokimet e SDR-së, sepse huatë afatgjata të akorduara nga FMN u shlyen gjatë T1 2019.

Në fund të marsit 2019, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Sistemit Bankar shënon rreth 1,434 milionë euro dhe prezantohet kryesisht në formën “hua” dhe “monedha e depozita”, respektivisht në rreth 13% dhe 86% të totalit.

Gjatë tremujorit, ky sektor ka rritur nivelin e borxhit me rreth 7 milionë euro në drejtim të rritjes së detyrimeve afatgjata. Referuar nivelit të fundvitit 2018, Sektorët e tjerë kanë rritur detyrimet e tyre me jashtë, me rreth 26 milionë euro në nivelin 3,060 milionë euro.

Lëvizjet kryesore reflektojnë zgjerim të detyrimeve afatgjata në formën e “kredive tregtare” (18 milionë euro) dhe detyrimeve në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – hua ndërkompani”, (32 milionë euro).

Banka raportoi se rritja e stokut të BJB-së ka qenë kryesisht në drejtim të borxhit afatgjatë të Qeverisë së Përgjithshme si dhe të huamarrjes ndërmjet kompanive (në formën e investimit direkt).

Totali i tërheqjeve ose fluksi i borxhit të ri (huave) gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, ishte 73 milionë euro.

Tërheqjet e sektorit publik shënojnë 35 milionë euro dhe ato të sektorit privat 38 milionë euro. Detyrime të reja të borxhit të Qeverisë së Përgjithshme përfaqësojnë në masën 48% totalin e tërheqjeve gjatë periudhës. Shërbimi i borxhit të jashtëm (pagesat e principalit dhe të interesit) për tremujorin e parë 2019, shënon 88 milionë euro.

Nga këto, rreth 49 milionë euro janë pagesa të Qeverisë së Përgjithshme, 30 milionë euro të Sektorëve të tjerë, 8 milionë euro të Sistemit Bankar dhe 0.3 milionë euro të Autoritetit Monetar. Në masën 74%, shërbimi i borxhit ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 26% për shlyerjen e interesave. Qeveria e Përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjet e principalit me rreth 30 milionë euro ose 45% të vlerës së përgjithshme të principalit, si dhe në shlyerjen e pagesave të interesit për periudhën, me rreth 20 milionë euro ose 85% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia./Monitor

codramol
smile

Ekonomi Banka e Shqipërisë Borxhi i Jashtëm Bruto borxhi i jashtëm i ekonomisë qeveria