Aktualitet22 Tetor 2019, 15:17

Rama bllokon ngritjen e SPAK, përmes këshilltarit të Arta Markut në KLP shtyn vendimin

Shkruar nga Pamfleti
Rama bllokon ngritjen e SPAK, përmes këshilltarit të Arta Markut

Rama bllokon ngritjen e SPAK, përmes këshilltarit të Arta Markut në KLP shtyn vendimin

Kryeministri i është bashkuar “boshtit të së keqes” Berisha-Meta-Basha-Monika për ta shtyrë sa më shumë ngritjen e institucionit që do hetojë “peshqit e mëdhenj”. Një situatë e tillë ka krijuar shqetësim te SHBA, ku në mesditë në zyrën e kreut të KLP, Ibrahimi ka zbarkuar Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Jorgan K. Andrews i caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve e Çështjeve të Zbatimit të Ligjit. Prezentë dhe Leyla Moses- Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri dhe Julie Craven e Michelle Lakomy, të OPDAT

Edi Rama nuk dëshiron ngritjen e SPAK, institucion ky i drejtësisë së re i cili do të hetojë dhe dërgojë në burg “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare.

Partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE kanë investuar shumë në ekspertizë, mbështetje logjistike dhe para për ngritjen e SPAK, ndërkohë që kreu i qeverisë shqiptare në vend që të krijonte të gjitha kushtet ligjore për ta ngritur këtë institucion, i është bashkuar “boshtit të së keqes” Berisha-Meta-Basha-Monika për ta shtyrë sa më shumë konstituimin e tij.

Frika nga hetimi i zullumeve të qeverisjes gjashtë vjeçare, që fillojnë nga koncesionet miliona euroshe të dhëna me PPP pa konkurrencë dhe transparencë e deri te dhënia “qyl” e pasurisë kombëtare për trafikantët ndërkombëtarë të drogës, siç ishte rasti më i fundit i Kepit të Rodonit, ka bërë që Rama të kthehet nga “atlet” i ngritjes së SPAK në kundërshtarin më të egër të tij.

Për të bllokuar ngritjen e këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë së re, Kryeministri Rama po përdor Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe dobësinë e saj për t’u zgjedhur Kryeprokurore për një mandat 7 vjeçar, e cila është e gatshme të bëjë gjithçka.

“Fushëbeteja” për zvarritjen e ngritjes së SPAK tashmë është kthyer Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ku “vegjeton” dhe “zgjohet” sa herë merr urdhër, ish-këshilltari i Arta Markut, anëtar në këtë institucion, Besnik Cani.

Kështu, sa herë që KLP diskuton për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, ose ngritjen e SPAK, mbledhjet hasin në vështirësi e shtyhen për arsye proceduriale të pazakonta.

Teksa Kuvendi i vënë nën presion nga SHBA-BE kërkon nga KLP që brenda muajit dhjetor të zgjidhet kryeprokurori i ri e të ngrihet me numër minimal prokurorësh, Struktura e Posaçme Antikorrupsion SPAK, menjëherë fillon “ngecjet” në debate procedurale dhe pa arsyetim.

Dhe sa më shumë shtrëngohen afatet pas kërkesave të partnerëve tanë ndërkombëtarë, aq më të shpeshta po bëhen seancat plenare që dështojnë në KLP, kur në tryezë diskutohen çështje që lidhen me këto dy tema.

Në mbledhjen e kësaj të hëne, KLP kishte në axhendë edhe diskutimet mbi numrin e prokurorëve që do të nisnin punën te Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Aktualisht, tetë është numri i prokurorëve që kanë kaluar të dyja shkallët e Vettingut dhe që janë kualifikuar si kandidatë për SPAK, nga 15 që ishte numri i kandidatëve të shpallur nga KLP disa muaj më parë.

Pjesa tjetër ose nuk ka kaluar Vettingun, ose janë shkarkuar nga Vettingu dhe në grupin e atyre që nuk e kanë kaluar Vettingun ndodhet dhe Besnik Muçi, që së fundmi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta, ku dhe është betuar në mënyrë tepër të çuditshme.

Theksojmë se SHBA e BE, përmes misioneve të tyre në Shqipëri OPDAT e EURALIUS janë shprehur pro procedurës së ngritjes së SPAK me 8 anëtarë, por ish-këshilltari i Arta Markut që këmbëngul në urdhërin e Ramës, Besnik Cani, nuk është dakord.

Pavarësisht se Kushtetuta sanksionon se numri i prokurorëve të kësaj trupe duhet të jetë jo më pak se 10 prokurorë, për të plotësuar këtë vakuum është propozuar që dy prokurorë të emërohen si të komanduar nga KLP, një zgjidhje e pranuar dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Por shqyrtimi i kësaj formule nuk ka gjetur dakordësinë brenda KLP, pasi prokurori Besnik Cani, ish-këshilltar i kryeprokurores Arta Marku, e shtyu mbledhjen me argumentin se s’kishte marrë në kohë projekt-aktet që duhet të diskutoheshin në këtë mbledhje.

Cani tha se projekt-aktet i ishin dorëzuar vetëm ditën e premte dhe jashtë orarit zyrtar të punës, duke mos përmbushur kushtin ligjor që kërkon që anëtarët e KLP-së të njihen me projekt-aktet të paktën 7 ditë para seancës plenare të miratimit, ose rrëzimit të tyre.

“Lidhur me thirrjen e mbledhjes së sotme, unë nuk kam marrë njoftim në orarin zyrtar të punës. E-maili ka mbërritur në orën 16:47 të datës 18, ditë e premte. Vetëm sot kam pasur mundësinë të aksesoj këtë rend dite dhe të shoh vetëm disa prej akteve. Kërkoj që mbledhja të shtyhet dhe të na jepet afati 7-ditor”, tha Cani në fillim të mbledhjes.

Kreu i KLP, Gent Ibrahimi shprehu mospajtim me kërkesën e anëtarit të trupës që drejton, por përballë rregullores u detyrua që të deklaronte mbylljen e mbledhjes dhe dhënien e afatit kohor të kërkuar nga Besnik Cani.

Ish këshilltari i Kryeprokurores që është dhe anëtar i KLP, është i njëjti prokuror që një javë më parë po për “mungesë njohjeje dokumentesh” kërkoi shtyrjen e miratimit të metodologjisë për sistemin e pikëve të renditjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Një situatë e tillë ka krijuar shqetësim te SHBA, ku sot në mesditë në zyrën e kreut të KLP Gent Ibrahimi ka zbarkuar Zv. Ndihmes Sekretari i Shtetit të  SHBA, Jorgan K. Andrews i caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, i cili mbikqyr programet e kësaj byroje në Europë, Azi, përfshirë dhe Afganistanin e Pakistanin.

Në takim janë të pranishme dhe Leyla Moses- Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri dhe Julie Craven dhe Michelle Lakomy, i OPDAT. “SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri”, mësohet të ketë thënë në takim zyrtari amerikan, i shqetësuar për bllokimin e ngritjes së SPAK dhe BKH.

Situata është shumë agravuese dhe pritet së shpejti një zgjidhje emergjence përtej kryeministrit Edi Rama dhe këshilltarit të “shërbëtores” së tij Arta Marku që e ka “zarin” e saj në KLP./Pamfleti/

Kryesore përmes këshilltarit të Arta Markut në KLP shtyn vendimin Rama bllokon ngritjen e SPAK