Politike21 Gusht 2019, 18:25

Rama citon Princeshën Elia: Duhet teatër i ri dhe nëse ka mundësi të restaurohet i vjetri

Shkruar nga Pamfleti
Rama citon Princeshën Elia: Duhet teatër i ri dhe nëse ka

Aktorja që ka zgjedhur pasditen e sotme Rama për të zënë hapësirën e përditshme të postimit për Teatrin Kombëtar është princesha Elia Zaharia. I kthyer tani në një zakon, që jo rrallë herë i ka dalë huq kryeministrit, postimi i fjalëve të artistëve të ndryshëm bëhet vetëm e vetëm që kryeminstri të mundet t’i japë argument shtesë ndërtimit të Teatrit të ri.

I marrë peng nga ndërtuesi që i ka dhënë fjalën, Edi Rama duhet të bindë të gjithë që të prishet TK ekzistues dhe aty të ngrihet një “teatër modern” siç e quan kryeministri. Për këtë ka cituar pasditen e sotme vajzën e Yllka Mujos, dhe princeshën Elia, e cila e ka treguar me zgjedhjen që ka bërë për burrë se sa e dashuruar është me personat pranë pushtetit.

“Nuk mendoj se është mëkat të kërkosh parametra dhe kapacitete europiane për një teatër dinjitoz kombëtar” – citon Rama në postimin e tij.

Postimi i Edi Ramës:

Elia Zaharia, vajza e aktores së madhe Yllka Mujo, është edhe ajo një aktore e talentuar e teatrit, që njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, ka opinionin e arsyeshëm lidhur me të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar

ELIA ZAHARIA:

Nuk mendoj se është mëkat të kërkosh parametra dhe kapacitete europiane për një teatër dinjitoz kombëtar. Nëse do qe e mundur të ndërtohet ky teatër i ri modern, dhe krahas tij të restaurohet apo rikonstruktohet ai ekzistues, kjo do të ishte një zgjidhje ideale dhe ne të gjithë do të ishim shumë të lumtur! Por sa reale është në kushtet e sotme kjo dëshirë e jona? A i përmbush godina e sotme këto parametra? Këtë përgjigje ata që e njohin sadopak teatrin në brendi e dinë. Ata që e kanë parë vetëm nga fasada apo në televizor, i ftoj ta vizitojnë. Për një gjë i siguroj të gjithë ata që i kanë ndarë me dashje artistët në “me ne ose kundra nesh” – nuk ka asnjë artist që nuk e do apo nuk i dhëmb Teatri Kombëtar, përkundrazi! Të gjithë jemi teatri!

Politike