Aktualitet18 Prill 2019, 10:13

Rama “dorovit” familjen Berisha në Zagori, legalizon “stanin” e çobanit lazaratas në malin e Çajupit

Shkruar nga Pamfleti
Rama “dorovit” familjen Berisha në Zagori, legalizon

Rama “dorovit” familjen Berisha në Zagori, legalizon “stanin” e çobanit lazaratas në malin e Çajupit

Argita Berisha Malltezi ia kishte vënë syrin që në kohën e qeverisjes së PD për ta futur në dorë këtë perlë turistike në malin e Çajupit, ndaj dërgoi lazaratasin të vendoste “xhaketën në gozhdë”. Babi kryeministër ndërtoi rrugën deri në zonë, siç bëri me Porto Romanon e Lalzin. Ndërsa kryeministri Rama po ia bën peshqesh familjes Berisha këtë zonë, në këmbim të futjes në zgjedhjet vendore. Kështu veproi dhe në maj 2017, kur i dha Bashës 13 milionë eurot e pallatit të vjehrrit të shembur në Vlorë dhe gjysmën e qeverisë, dhe PD hyri në zgjedhje. Banorët e zonës së Zagories pritet të hidhen në revolta

Banorët e Zagories që në kohën e qeverisjes së Sali Berishës qendronin me frikë pasi kishin dëgjuar se vajza e tij, Argita Berisha Malltezi, kishte shfaqur interes për të marrë këtë perlë turistike.

Madje qeveria e asaj kohe, me insistimin direkt të ish-kryeministrit Berisha kishte bërë rrugën deri në fshatin Lliar dhe Zhej, e më tej deri në malin e Çajupit.

Dhe siç e kishte zakon Berisha, fuste në dorë pronën përmes së bijës, rasti i Porto Romanos  dhe Lalzit është më se i freskët, dhe pastaj bënte dhe rrugën, duke ia rritur vlerën 200 përqind.

Një çoban lazaratas kishte marrë me qera një copë në Sheper të Zagories dhe sipas thënies së dikurshme që “pasi vari xhaketën në gozhdë, pas dy ditësh tha se është shtëpia ime”, tashmë ka bërë përgatitjet për ta legalizuar. Por nën qeverinë e Ramës dhe me “bekimin” e tij.

Rama në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor, për të joshur Berishën që të mos bojkotojë, me sa duket ka vendosur ta “dorovisë” me tokë turistike në Zagorie.

Kështu veproi dhe para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, teksa i dha Bashës 13 milionë eurot e pallatit të vjehrrit që ia shembi në Vlorë, pavarësisht se e kishte ndërtuar në kundërshtim me ligjin, thuajse në det.

Shqetësimi aktual ka ardhur nga shoqata “Zagoria”, e cila i trembet një pazari të Edi Ramës.

“Më vjen keq që e filloj me lajme jo të mira për fatin e Zagories. Më njoftuan nga Bashkia Lobohovë, nga fshati Lliar dhe Zhej se po përgatitet vjedhja më e madhe e tokave në Zagorie. Konkretisht në Sheper u legalizua një stan i një çobani nga Lazarati, pa asnjë të drejtë ligjore.

Në Çajup po përgatitet legalizimi i stanit të çobanit që e përdor me qera malin. Historikisht Zagoria ka vuajtur nga pushtime të këtij lloji. Për Çajupin janë derdhur florinj nga banorët e Zhejit e Lliarit dhe nuk kanë mundur ta tjetërsojnë këtë perlë të Zagories.

Thirrja është: ‘Burra, të ngrihemi më këmbë në mbrojtje të pronave tona. O sot, o nesër do të jetë vonë’. Mora konfirmim nga kryetarja e Bashkisë për të qenë solidare me ne. Nuk do të lejojmë tjetërsimin e pronave tona në Çajup dhe në të gjithë Zagorinë”, përfundon deklarata e e shoqatës “Zagoria”.

Të shohim nëse Rama do të arrijë që të marrë malin e Çajupit dhe t’ia japë familjes Berisha, këtë zonë perlë turistike, tërësisht e virgjër dhe e përshtatshme për turizëm malor./Pamfleti/

Kryesore legalizon “stanin” e çobanit lazaratas në malin e Çajupit Rama “dorovit” familjen Berisha në Zagori