Aktualitet16 Korrik 2019, 10:42

“Rama ik”, po as ata as Rama nuk flasin për zhbërjen e 2008-s

Shkruar nga Pamfleti

“Rama ik”, po as ata as Rama nuk flasin për zhbërjen e 2008-s

Pushteti i blerë që nga viti 1996 u bë rruga e qëndrimit në krye të piramidës, sepse askush nuk u ndëshkua; oligarkia përmes politikës u bë kabineti në hije i kryeministrit të tashëm, dhe, nëse në mbledhjet e qeverisë i duhen përballë e anash ekipi i ministrave, në qeverinë paralele i duhen dy a tre biznesmenë të shfaqur dhe disa oligarkë në hije, përmes të cilëve financohen të pandëshkuarit dhe hapet rruga e të korruptuarve.

Shkruan Bedri Islami

Pak ditë më parë, në një intervistë të gjatë me median greke, presidenti i vendit, Ilir Meta, theksoi se “nëna” e së keqes në Shqipëri është Edi Rama.

Shefi i opozitës, kreu i Shqup-it politik, Basha, po ashtu, jo vetëm në gjuhën shqipe, thotë se vetëm largimi i Ramës sjell prosperitet e zhvillim dhe se pa ikur Edi Rama nuk do të ketë kurrë paqe!

Aleatja e tij në LSI, njëkohësisht edhe bashkudhëtarja e presidentit, e ka luftë të saj largimin e Edi Ramës, duke kërcënuar se, sa më larg të qëndrojë ai në pushtet, aq më i madh do të jetë ndëshkimi i tij.

Lideri i PD-së, në fakt njeriu që tërheq të gjitha fijet pa e çarë kokën nëse është e ditur apo jo një gjë e tillë, Berisha, i ka caktuar edhe vitet e burgimit të Ramës, të cilat do të jenë, sipas tij, 37 vite. Më herët ai kishte deklaruar se Ramën do e hedhin në Lanë, do e zvarrisin.

Të jetë vetëm Rama gogoli i gjithë kësaj lemerie nga ku po kalohet tash 30 vite? Të jetë vetëm ai shkaktari i gjithë zezonës që është grumbulluar dhe që sjell vetëm stanjacion, kobzi dhe mjerim?

Të ketë qenë koha para Edi Ramës e rrethuar me mrekullira, luks, punësim dhe zhvillim që befas u ndalua?

Nga kanë ardhur këto “filiza” të politikës që premtojnë mrekullinë dhe që, sipas tyre, vetëm një gur i madh u paska zënë rrugën e përparimit, vajtjes në Europë, luftës ndaj oligarkisë?

Shqipëria, në fakt, i njeh të gjithë këta “mesia” të zhvillimit që sot po tundin flamujt e përparimit dhe e di se kur ata janë bërë pjesë e politikës, çfarë kanë bërë në kohën e tyre; e di fare mirë se si të njëjtët që sot proklamojnë të ardhmen, e kanë fundosur të djeshmen, e kanë përdhosur atë, e kanë nxirë, ndërsa vetë, secili prej tyre sot jeton në kamje dhe luks.

Më i riu prej tyre në politikë është Basha – 14 vite duke lodruar nga njëri post në tjetrin dhe duke lënë emrin e tij në disa nga zezimet më të rënda të kësaj pjese të historisë.

Më i vjetri prej tyre – Berisha, njeriu që në dhjetorin e vitit 1990, si militant , u nis të shuante një lëvizje politike studentore, që drejtohej nga një banor i Tropojës, nga ishte vetë ai dhe që, pasi doli nga banesa e Ramiz Alisë në natën e errët të 8 dhjetorit, mori përsipër “fillimin” e ri të një dinastie të vjetër.

Mes tyre Meta dhe Kryemadhi, të ardhur në të njëjtën kohë në politikë; njëri në të gjithë postet e mundshme qeveritare dhe me të gjithë miqtë dhe armiqtë e tij politikë, që nga Nano, me të cilin u nda, tek Majko, ku herë akullnaja e herë verimi ishin të përbashkëta, tek Berisha, të cilin e burgosi e pastaj e bëri pikë të dobët, duke i dhënë dorën Ramës si shef bashkie e duke i marrë krahun si kryetar kuvendi e president. Me të gjithë dhe kundër të gjithëve. Kur ka dashur i ka rrëzuar nga pushteti, kur nuk ka mundur është bërë njëri nga tri majat e institucioneve qendrore.

Rama, në të gjashtë vitet e qeverisjes së tij, qoftë si liberal në fillimet e saj, qoftë si autokrat në vazhdimin e tashëm, është i pesti i domosdoshëm i kësaj klase politike që, ndërsa nuk e bëri shtetin, u bë pjesë e shkatërrimit të shtetit.

Më energjik së të pestë sëbashku, ai krijoi hapësirën e dëmshme ku ndëshkimi u shpall vetëm motiv, por jo akt konkret, u bë rrugë drejt pushtetit, por që i mori frymën shtetit; u shpall domosdoshmëri, por u bë harresë, u shpërfol, por fitoi të drejtën e mbijetesës; nga ndëshkimi përmes ligjit u bë shpërblimi i gjakut të derdhur.

Kriza e tashme nuk është asgjë tjetër veçse harresa e ndëshkimit të krimit, dalja nga frika e atyre që duheshin ndëshkuar, e në mos për tjetër, për të vrarët e 21 janarit dhe të hedhurit në erë të Gërdecit.

Pushteti i blerë që nga viti 1996 u bë rruga e qëndrimit në krye të piramidës, sepse askush nuk u ndëshkua; oligarkia përmes politikës u bë kabineti në hije i kryeministrit të tashëm, dhe, nëse në mbledhjet e qeverisë i duhen përballë e anash ekipi i ministrave, në qeverinë paralele i duhen dy a tre biznesmenë të shfaqur dhe disa oligarkë në hije, përmes të cilëve financohen të pandëshkuarit dhe hapet rruga e të korruptuarve.

Katërshja e Tiranës, e cila predikon mrekullinë pas largimit të Ramës janë të gjithë të provuar, jo një herë, por disa herë; janë nga ata që kanë mbyllur grykën e thesit ku është futur një shoqëri e tërë dhe e hapin si me pikatore, vetëm kur ndjejnë frikën e pushtetit të tyre.

Të përjetshëm mbi forcat politike dhe mbi vetë shtetin, ata nuk bëjnë shtet, ata bëjnë rokadën e qeverisjes, ndarjen e viteve kur njëra palë duhet të jetë në pushtet e tjera në opozitë. Aq sa i ngjajnë njëri tjetrit kur janë në qeverisje, aq edhe i ngjajnë kur janë në opozitë.

Të kesh besim se ata që të fundosën, disa nga të cilët deri para gjashtë vitesh në pushtet e të tjerë deri para dy viteve do të thotë të humbësh edhe një herë shansin për të lëvizur nga e mbara; do të thotë t’u besosh fatin e një vendi atyre që e kanë nëpërkëmbur dhe që tani, pasi janë tallur e na kanë përqeshur, i duket e drejtë e natyrshme, e ligjshme, që të jenë përsëri në qeverisje, në pushtet, të jenë ata që vendosin për diellin e për shiun, për jetën e pasjetën.

Si ata, si Rama duan ndërrimin e vendeve, duke e ditur se shuma nuk ndryshon, por nuk duan ndërrimin e sistemit. Sistemi është i përbashkët, qeveria është e ndashme në dy pjesë, në një cikël që përsëritet dhe që në fund të fundit të çon drejt asgjësë.

Pushtetarët tanë veshën mantelin e centaurit; ata që u ngritën për të hequr të përjetshmit, u bënë vetë të përjetshëm. Ata që u shfaqën si liderë, u bënë sundues. Të pajisur me kartën e rreme të fillimit të ri të përbashkët, ata u bënë të pasurit e pazakontë. Të ngritur kundër jetës së disa bllokmenëve, ata u bënë superbllokmenë, krijuan kastën e re të pushtetit të autokratik-demokracisë dhe përmbysën vlerat.

Njerëzit që nuk kishin mbjellë një pemë, bënë thirrjen për të përmbytur vreshtat, masivet me plantacionet e agrumeve, pyjet e ullinjve, shembën gjithçka që mund të shembej dhe krijuan shkretinë e pamendueshme më herët. Pardesybardhët u bënë mantelhekur.

Nëse i sulmon në pushtetin e tyre, të marrin frymën; të gatshëm për të nxjerrë në shitje gjithçka, deri nderin, ata e sollën vendin në këtë gjendje.

U bënë jo vetëm të përjetshëm, por edhe e konceptojnë veten se duhet të jenë të tillë. E kundërta për ta është fatalitet. Tani për tani, për ta dhe ata që marrëzisht i pasojnë.

Në njërën nga intervistat e tij të para në pluralizëm, si zakonisht tek Elez Biberaj, lideri i sapozgjedhur në forcat demokratikase, pasi kishte spostuar Meksin e Hajdarin, dhe nuk e di pse kam bindjen se me Meksin si shefin e opozitës gjërat do të kishin qenë ndryshe, deklaroi se mandati i tij në kreun e PD-së do të ishte vetëm një herë, në dy vite dhe do të kishte rotacion, për të mos u krijuar kasta politike dhe Njëshi që kishte dëmtuar vendin.

Berisha dhe, pas tij, të tjerët, që në momentin që kapën një forcë politike, e menduan veten të gjithmonshëm; ndërtuan një sistem të tillë politik që nuk lejonte krijimin e një linje të re të një brezi të ri në politikë, të mendimit ndryshe; brenda pak orëve ndryshoi kushtetuta dhe shefat e partive u bënë të plotfuqishmit në partinë e tyre; rrëzimi i një qeverie u bë i pamundur, presidenti u kthye në një kukull që, edhe kur rebelohet, më shumë ngjan me një komedi se me tragjedi.

Dhe, të gjithë duan “ikjen e Ramës” por asnjëri nuk do ndryshimin e sistemit. Nuk do asnjëri një reformë të re zgjedhore, një hapje të partive, minimizimin e rolit të shefit të partisë, lëvizjen e elitave politike, hapësirën për mendimin ndryshe.

Të dalësh sot kundër shefit të partisë, shpallesh tradhtonjës apo qafir.

Shefi i qeverisë e ndryshon gjysmën e kabinetit duke ecur rrugës, ndërsa bërthama drejtuese e partisë ngre vetëm dorën.

Shefi i opozitës ngrihet vonë nga gjumi i drekës dhe kumton se duhen dorëzuar mandatet e deputetëve dhe askush nuk e di më parë këtë gjë.

Forca tjetër opozitare kthehet në një detashment politik, bën lëvizjen e radhës, largon Vasilin dhe e shtyn partinë përsëri në krahët e familjes dhe të gjithë duartrokasin, njëlloj si kishin duartrokitur më parë.

Dhe njeriu i shkretë, që ka mëkatin se di të mendojë, ka të drejtë kur i thotë vetes: po në një kohë jo të largët, kur këto që sot premtojnë hapjen e qiejve ishin në pushtet, çfarë kemi pasur më mirë dhe më të begatë.

Pushteti i tyre është i gjakosur dhe sot protestojnë për gazlotsjellës; qeverisja e tyre ishte vënë nën diktatin e familjes kryeministrore që hidhte në erë njerëz apo kërkonte pjesën e majme për një firmë të babait dhe sot i vërsulen oligarkëve që i kanë krijuar vetë; janë të njëjtët që për një puthje bakojanase falën detin e sot çirren se Rama po bën tradhti kombëtare në bisedimet me Greqinë, që i kanë bllokuar; sabotuan sa mundën luftën e UÇK-së dhe hapën dosjet për luftëtarët e kohës dhe tani shpallin se ata që luftuan dhe forca politike që i përkrahu deri në fund, qenkan të shitur; ndërtuan në gjysmë rrugët e vendit, por fitimin e morën të plotë dhe tani akuzojnë miqtë e djeshëm për korrupsion;  krijuan epideminë e universiteteve private si merimanga të zeza dhe tani bëjnë thirrje për protestë studentore ku nuk i qasin as si mbështetës.

Nuk kanë kaluar dhjetëra vite dhe po shfaqen me fytyra të reja. Të njëjtët. Brohoritësit e djeshëm të Ramës kur ishin bashkë në pushtet që tani mallkojnë pse ishin bashkë. Mallkuesit humbës të vitit 2013 që ëndërrojnë rikthimin në pushtet dhe kjo do të thotë rikthimin tek tenderët, oligarkët, pasuria dhe mëkati me pushtetin.

Rama nuk është fajtori i vetëm i kësaj gjendje.

Por PS-së, forcës më të hapur politike, më debatuese dhe mendim pranuese, nuk i falet që sot, për hir të disa posteve, vendeve parlamentare, mos keqjes me shefin, heshtin dhe pranojnë që çdo gjë të vërvitet rreth kryetarit.

Në natën e përfundimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, në vend që të ishte mes kolegëve atyre që e mbësbtesin e votijnë, Rama darkoi me dy biznesmenë të njohur.

Si të thonte , “mbarova punë me ju, shokët e partisë, tani shkova aty ku e kam zemrën”.

Dhe kjo të kujton një fjalë të vjetër, atë të kalit që kalon lumin e pastaj…

codramol
smile

Forum Bedri Islami kreu i Shqup-it politik pushteti i blerë shefi i opozitës