Politike16 Tetor 2019, 20:50

Rama kapet pas deklaratës së Macron: Vendimi i negociatave nuk varet nga ne, shpresojmë që Franca të ndryshojë mendje

Shkruar nga Pamfleti
Rama kapet pas deklaratës së Macron: Vendimi i negociatave nuk varet

Kryeministri Rama thotë se situata e krijuar në BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk ka lidhje dy vendet, por me përplasjet e brendshme mes vendeve anëtare.

Në përfundim të takimit me Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk në Bruksel, Rama dha një intervistë A2, ku theksoi se një bllok i madh i vendeve anëtare ka rënë dakord për “PO”, ndërsa Franca i qëndron “JO”-së.

Kjo situatë nuk ka lidhje me Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut me atë që kemi bërë apo çfarë nuk kemi bërë, por ka lidhje me çfarë duan dhe çfarë nuk duan vendet anëtare. Ka një bllok të madh për “Po”, i cili kërkon vazhdimin e procesit. Pastaj ka dhe një barrikadë nga ana e Francës për të ndryshuar natyrën e procesit. Është një përplasje qasjesh brenda familjes europiane. Vazhdojnë përpjekjet intensive në të gjitha drejtimet. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm. Presidenti Tusk është një avokat i palëkundur i procesit. Kemi shkëmbyer informacionet e orëve të fundit. Përpjekjet vazhdojnë. Më e mira do të ishte një zgjidhje kompromisi, por mund të ndodhë gjithçka, çdo opsion është i hapur. Ka një përpjekje të brendshme të shumë vendeve për të bërë më të mirën dhe për të mos e lënë procesin të hyjë në hulli të panjohur.” – tha kryeministri.

Por a i druhet Rama një skenari për ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut dhe a e sheh ai këtë skenar si  jë dështim tw tij dhe tw vendit?

Ideja e ndarjes është valëvitur nga ata që nuk kuptojnë asgjë nga vendi ynë dhe mundohen të kapen pas çdo fije bari si i mbyturi. Unë mendoj se nuk jemi në këto kushte. Jemi në kushtet që shkojnë përtej një vendi apo dy vendeve. Madje, ka diskutim që edhe Serbia dhe Mali i Zi të përfshihen në një proces të ri. Pra, të ketë një frenim, një ridemsionim të procesit. Është një lojë shumë më e madhe nga ajo që na përfshinë ne si Shqipëri. Unë mbetem realist. Nuk jam as optimist as pesimist. Në datën 19 dielli do të lindë përsëri dhe ne do të vazhdojmë përpjekjen. Ne nuk e bëjmë këtë për shtetet e BE, por për veten tonë. Herët apo vonë do të vijë në tryezë. Tani kanë hyrë në lojë të gjithë të mëdhenjtë. Kancelarja e udhëheq frontin e “Po”-së. Më mirë se kaq ne nuk mund të kishim në këtë moment. Të shohim si do të përfundojë në tryezën e Këshillit.” – përfundoi Rama.

Politike