Anti-Mafia17 Shtator 2018, 17:33

Rama kundër rihapjes së “Gërdecit”, rrahja e shpatullave të Berishës ditën e tragjedisë, biseda e gjatë telefonike m

Shkruar nga Pamfleti
Rama kundër rihapjes së “Gërdecit”, rrahja e

Rama kundër rihapjes së “Gërdecit”, rrahja e shpatullave të Berishës ditën e tragjedisë, biseda e gjatë telefonike me Mediun kanë një emërues: Mihal Delijorgjin

Pakti i Ramës me Berishën për mbylljen e “Gërdecit” është arritur që më 15 mars 2008, dhe nuk është cënuar për 10 vite me radhë dhe as ka ndërmend të cënohet. Cikli i mbyllur i mbështetjes për ish eskavatoristin Delijorgji, nga bashkëautor i vrasjes së 26 vetëve në biznesin e Berishës në Gërdec, dënimi në mënyrë qesharake, dalja para kohe nga burgu dhe dëmshpërblimi nga Strasburgu për “stresin”, tani trajtohet me leje ndërtimi nga qeveria

Nuk harrohet kurrë shpërthimi i tmerrshëm i punishtes së demontimit të municioneve i ndodhur në Gërdec më 15 mars të vitit 2008. Një tronditje e fortë, që u dëgjua deri përtej Tiranës, që çoi drejt shuarjes një fshat të tërë dhe që mori 26 jetë të pafajshme, plagosi, gjymtoi dhe traumatizoi mbi 300 të tjerë dhe nuk la ndërtesë në këmbë.

Për shumë vite do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve kaosi që u krijua nëpër spitalet e Tiranës, ku njerëz të përgjakur, të përgjysmuar, që ulërimin nga dhimbjet e djegiet, mbërrinin me mjete rrethanore në urgjenca, falë dhe kontributit të qytetarëve për t’u ardhur në ndihmë dhe për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Në memorien e shqiptarëve ka mbetur e skalitur sjellja e politikës në atë ditë, ku “prozhektorët” ishin drejtuar te Sali Berisha, kryeministër aso kohe, autori i ngritjes së punishtes së “vdekjes” në Gërdec, njëherësh përgjegjësi kryesor i vrasjes shtetërore, dhe te kreu i opozitës Edi Rama.

Ka qënë epike vendosja e dorës në shpatullën e ish kryeministrit Sali Berisha nga ana e ish kreut të opozitës Edi Rama, e cila mori interpretime të ndryshme, por që në fund të herës u interpretua si një mbështetje e Ramës për Berishën në atë moment shumë të vështirë për ish kryeministrin.

Në një vend normal, në një shtet normal dhe me një qeveri dhe opozitë normale, dy gjëra duhej të kishin ndodhur pas këtij krimi shtetëror: ose kryministri Berisha të kishte dhënë dorëheqjen e menjëhershme, ose në rast të kundërt Edi Rama ta nxirrte për b*the nga zyra. Asnjëra nuk ndodhi, pasi Berisha dhe politika shqiptare nuk e ka në “gen” dorëheqjen, dhe e dyta Edi Rama jo nga pafuqia por nga pazaret e ‘la’ Berishën në pushtet.

“Ulërima” dhe kërcënimet e Erjon Braçes pas aktit të “faljes” që Rama i bëri Berishës rezultuan pa efekt, përtej përplasjeve që solli më pas në grupin parlamentar të PS dhe forumet e kësaj partie.

Kreu i opozitës i asaj kohe kishte plane të tjera në mendje. Në radhë të parë kishte plan ndryshimin e Kushtetutës dhe për pasojë sistemin zgjedhor dhe futjen në fuqi të proporcionalit rajonal, fuqizimit të postit të kryeministrit etj, për t’ia ‘futur’ Metës por që më 2009 ia ‘futi’ vetes.

Ndryshimin e Kushtetutës Rama e bëri bashkë me Berishën, ndaj e ‘fali’ ditën e tragjedisë së Gërdecit, duke zhbërë për një ‘qokë’ politike 26 jetët e pafajshme dhe 300 të plagosurit e të gjymtuarit nga biznesi i vdekjes i familjes Berisha.

“Dora në shpatull” e Ramës për Berishën, dhe “urtësia” atë ditë e ish kryeministrit si “vajzë e virgjër” kishte dhe kompromisin tjetër mes tyre: Shpëtimin e Fatmir Mediut ministër Mbrojtjeje dhe të biznesmenit të përbashkët që ngriti “Gërdecin”, ish eskavatoristit Mihal Deligjorgji. Dhe pikërisht kjo “dorë”  e Ramës na prezantoi një fakt të dhimbshëm: Nuk u dha asnjëherë drejtësi për këto jetë të humbura nga dora vrastare e shtetit. Familjarët enden dyerve të gjykatave dhe nuk kanë gjetur asnjë mbështetje për të qetësuar sëpaku shpirtërat e tyre.

Ndërkohë që ata që bënë këtë vrasje shtetërore nuk pësuan penalizime: Sali Berisha, i pa hetuar, i pa gjykuar dhe i lirë; Shkelzen Berisha, i pa hetuar, i pa gjykuar dhe i lirë; Fatmir Mediu, i hetuar, i pa gjykuar dhe i lirë, ministër Mjedisi më vonë, e deputet aktualisht; Mihal Delijorgji, i hetuar, i gjykuar, i dënuar për turp, i lirë dhe shpërblyer për mërzinë e burgut; Dritan Minxholli, i hetuar, i gjykuar, i dënuar dhe i lirë; Ylli Pinari, i hetuar, i gjykuar, i denuar dhe i lirë; Luan Hoxha, i hetuar, i gjykuar, i dënuar, në azil në SHBA dhe i lirë; Shpëtim Spahiu e Zija Bahja, të hetuar, të gjykuar, të dënuar dhe të lirë.

 

Kur Berisha nuk “njihte” baxhanakun dhe Deviroli i quante ‘kafshë’ deri te kryeministri

Pavarësisht se Berisha ishte njeriu që e ngriti bashkë me djalin e tij Shkelzen punishten e “vdekjes” në Gërdec, përmes adoleshentit amerikan Diveroli që në komunikimin me Trebickën e ndjerë tha se “kafshët kanë dalë jashtë kontrollit, çështja shkon deri tek kryeministri”, Saliu asnjëherë nuk ka kërkuar ndjesë dhe për kortezi.

Për më tepër ish kryeministri e fshehu krimin dhe historia e fshehjes së këtij krimi ka nisur pak minuta pas tragjedisë në zyrën e ish kreut të qeverisë së asaj kohe. I informuar për tragjedinë, ai nisi me kujdes fshehjen e provës së parë dhe më të rëndë kundër tij, praninë e baxhanakut të vet, tashmë si viktimë në këtë tragjedi.

Komunikata e parë për shtyp e tij përmendte emrin e baxhanakut, por të ndryshuar nga Muhamet Hoxha në Mehmet Hoxha.

Në pamjet filmike të transmetuar publikisht dhe të lexuar me zërin e tij, vërehet një pauzë para se të përmendë emrin dhe me qetësi e lexon Mehmet në vend të emrit Muhamet.

Përpjekja e tij që në momentet e para të tragjedisë për ta devijuar të vërtetën larg tij dhe familjes se tij, ishte dhe mbeti linja politike që e varrosi ketë të vërtetë.

Këtë “ngatërresë të qëllimshme emri”, Berisha e përdori dhe dy ditë më pas në sallën e parlamentit të Shqipërisë.

Edhe pse familja e tij ishte familjarizuar me tragjedinë, dhe pse gruaja e tij Liri Berisha dhe dy fëmijët e tij ishin në ceremoninë e varrimit të baxhanakut të tij, ai vazhdonte të sillej sikur nuk e njihte Muhametin.

Berisha, një bashkëshort shembullor dhe i dhënë pas lidhjeve familjare të gruas së tij deri në detaje, po përpiqej të paraqitej para shqiptarëve si një njeri që nuk njeh baxhanakun e vet.

 Megjithatë, ndonëse ishte njeriu që kishte ushtruar presion për ngritjen e këtij biznesi dhe në të ishin involvuar Shkelzen Berisha, Fatmir Mediu, baxhanaku, miqtë e tij Mihal Delijorgji dhe Fari Balliu, ish ministrat e Drejtësisë Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj, Sali Berisha ende dhe sot e kësaj dite nuk është thirrur njëherë nga drejtësia.

“Dora” e Ramës në shpatull ka qënë dhe është një mbrojtje e fortë për të dhe një presion mbi drejtësinë.

 

Biseda telefonike e Shkelzenit me Delijorgjin dhe e Ramës me Mediun

Ndërkohë që Sali Berisha gënjente publikisht për emrin e baxhanakut të tij, duke shpresuar se shqiptarët nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, menjëherë pas tragjedisë i biri i tij, Shkëlzen Berisha, fliste në telefon me Mihal Delijorgjin.

Tabulati i zbardhur prej Prokurorisë provoi se Shkëlzen Berisha ka folur në orën 12:48 minuta në telefon me Mihal Delijorgjin. Madje nëse sheh tabulatet e Mihal Delijorgjit, shikon se njerëzit më të afërt me të cilët ai ka ndarë shqetësimin për tragjedinë që ndodhi në tridhjetë minutat e para janë gruaja e tij, kunati dhe Shkëlzen Berisha.

Shkëlzen Berisha mohoi në fillim se ka pasur telefonata apo njohje me Delijorgjin, por pas publikimit të tabulatit nuk bëri më komente. Pra, siç shihet, në orët e para të tragjedisë kemi pasur një përfshirje direkt te familjes së ish kryeministrit Berisha për të fshehur rrethanat që lidhnin ata me këtë histori tragjike dhe me humbje jetësh njerëzore.

Ata që e njohin nga afër para shpërthimit, dëshmojnë se Shkelzeni fliste hapur për këtë biznes, madje shpesh i shqetësuar që administrata e babait të tij nuk e ndihmonte sa duhet të bënte dokumentacionin gati.

Shoqëria e tij me Fatmir Mediun në ato muaj ka qenë publike. Ata ishin bashkë në zyrë, në “Hotel Sheraton”, në makinë, në restorante dhe në daljet publike. Sipas dëshmive që dalin nga blloku i sekretares së Ministrit, rezultonte që Shkëlzen Berisha për një periudhë të shkurtër të ketë qenë aty mbi 50 herë. Këto blloqe autentike argumentojnë çdo kundërshtim që ka ardhur në lidhje me përfshirjen tashmë të provuar të Berishajve në aferën e Gërdecit.

Këto dy blloqe kanë të dokumentuara dhe të faktuara të gjitha vizitat “për kafe” që ka bërë në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të Shkëlzen Berishës. Dhe të gjitha takimet kanë të shënuara datat përkatëse dhe personat përkatës.

Nga marsi 2007 deri në mars 2008 Shkëlzen Berisha de facto ka pasur një zyrë të tijën në Ministrinë e Mbrojtjes. Pesë nga shumë bisedat që janë bërë mes Shkëlzen Berishës dhe drejtuesve te tjerë të Ministrisë duke përfshirë dhe Ministrin e Mbrojtjes janë incizuar dy prej të akuzuarve, por këto materiale janë zhdukur dhe nuk i janë dorëzuar prokurorisë.

Ndërkohë që në telefon ka qënë dhe ish kreu i opozitës, kryeministri aktual Edi Rama, por jo me Mihal Delijorgjin në atë moment, por në një bisedë të gjatë me Fatmir Mediun. Njihet miqësia e Ramës me Mediun, ndërkohë që gjithë qëllimi ishte shpëtimi i Delijorgjit.

Berisha nuk i bëri asnjëherë publike bisedat e Ramës me Mediun dhe më pas me Delijorgjin, duke i qëndruar si gjithnjë paktit të “rrahjes” së shpatullave me Ramën dhe varrosjes së kësaj ngjarjeje në Gërdec, ku u humbën jetë njerëzish.

Dhe tallja me familjarët e viktimave të Gërdecit dhe me vetë shpirtin e të humburve në këtë tragjedi u pa me dënimet qesharake që u dhanë për Delijorgjin dhe për bashkëpunëtorët e tjerë në këtë biznes vdekjeje.

Vetë Delijorgji i dënuar me 10 vite në fillim, më pas me 6 vite dhe pastaj për sjellje të mirë doli para afati nga burgu, për t’iu rikthyer me kapacitet të plotë biznesit, tashmë duke bashkëpunuar dhe me Ramën dhe me Bashën.

I gjithë shteti dhe sistemi i drejtësisë u vu në dizpozicion të Delijorgjit për t’i krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme që jo vetëm të dalë nga burgu por të marrë dhe shpërblesë për “stresin” që kishte kaluar në burg, pavarësisht se ishte bashkëautori që mori 26 jetë njerëzish.

 

Strasburgu detyron Shqipërinë të dëmshpërblejë me 15.600 euro Delijorgjin

Mihal Delijorgji “provoi” dorën e ngrohtë të Berishës dhe Ramës që për “stresin” e krijuar në burg dhe të dëmshpërblehej nga shteti shqiptar. Kështu mund të shpjegohet aplikimi dhe pranimi rrufe i ankimimit të tij kundër shtetit shqiptar nga Gjykata e Strasburgut dhe dhënia në një kohë rekord e vendimit në favor të tij nga kjo gjykatë.

Ndërkohë që familjarët e viktimave të Gërdecit kanë 10 vite që rropaten dyerve të gjykatave pa mbërritur asnjëherë në Strasburg, ndonëse kanë humbur njerëzit të tyre më të dashur në këtë tragjedi, vetëm e vetëm, që nuk kanë mbështetjen e shtetit, ndonëse Rama u premtoi shumë.

Kështu, Gjykata e Strasburgut vendosi pas daljes nga burgu në Shqipëri, që Mihal Delijorgji duhet të dëmshpërblehet nga shteti shqiptar me 15.600 euro, pasi është mbajtur në burg përtej afateve të parashikuara me ligj. Gjatë gjyqit të dosjes “Gërdeci” Delijorgji tha para trupit gjykues se nuk kishte njohuri për demontimin dhe as i interesonte.

Sipas tij, ai ishte përgjegjës vetëm për investimet infrastrukturore në Gërdec, pa përmendur këtu Fari Balliun. Ndërsa demontimi, sipas tij, në bazë të kontratave, i takonte amerikanit Henri, që do sillte makineritë, teknologjinë dhe specialistët. Delijorgji tha se nuk kishte pasur asnjë marrëveshje me shtetin, duke lënë jashtë “loje” Berishën, pavarësisht se makinat e Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë transportonin falaa municionet drejt Gërdecit.

“Unë nuk kisha lidhje, nuk kisha asnjë kontratë me shtetin shqiptar. I kishte vetëm SAC-i edhe procesin e demontimit, edhe përgjegjësitë e tjera”, tha Delijorgji. Dhe drejtësia e shtetit shqiptar, duke e kopsitur keq dosjen, krijoi tërë premisën e duhur që Delijorgji jo vetëm të mos dënohej si duhej, por dhe të merrte lekët e qëndrimit në burg.

 

Tragjedia harrohet, Basha dhe Rama i japin leje për pallat Delijorgjit të Gerdecit

Vetëm dy vjet pas daljes nga burgu, Mihal Delijorgji, një prej shkaktarëve kryesorë të tragjedisë së shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve në mars të vitit 2008 në Gërdec, është shfaqur përsëri në skenën e biznesit të madh, përmes një ndërtimi luksoz në Rrugën e Kavajës.

Ndërsa prej 2 vjetësh ka pezulluar thuajse tërësisht dhënien e lejeve të ndërtimit, më datë 9 shtator Këshilli Kombëtar i Territorit nën drejtimin e kryeministrit Rama, vendosi miratimin e Lejes së Ndërtimit për “Godinë banimi dhe shërbimesh 9 kat mbi tokë 2 kat parkim nën tokë”, me vendndodhje në Rrugën e Kavajës, Bashkia e Tiranës me subjekt kërkues “Parc Construction’shpk’”. Shoqëria është themeluar në vitin 2005 nga Mihal Delijorgji me aksionerë 2 kompani të regjistruara “offshore” dhe prej vitit 2008 administrohet nga bashkëshortja e biznesmenit Vjollca Delijorgji.

Ndërkohë që plasi një debat se kush ia kishte dhënë lejen, Rama apo Basha, e vërteta u zbulua se ish kryebashkiaku Basha ia kishte miratuar lejen në vitin 2013-2014, ndërkohë që kryeministri Rama në cilësinë e kreut të KRRTSH e vulosi këtë leje dy vite më vonë.

Dhe Delijorgji ka marrë tendera dhe leje ndërtimi nga të gjitha qeveritë, nga gjithë kryeministrat por dhe ka vijuar biznesin e hekurit e biznese të tjera më me peshë, duke qënë gjithnjë i “dobishëm” për Ramën dhe Berishën.

Në këtë këndvështrim dosja e Gërdecit nuk do të hapet kurrë dhe kjo sepse Edi Rama është kundër rihapjes së kësaj dosjeje që do të zbardhte autorët e vërtetë të kësaj tragjedie. Pavarësisht se ekziston mundësia që përmes hetimit të vrasjes së Kosta Trebickës, e mbyllur pa autor, të hapej ky proces. Por pakti me Berishën për mbylljen e “Gërdecit” është arritur që më 15 mars 2008, dhe nuk është cënuar për 10 vite me radhë dhe as ka ndërmend të cënohet as në të ardhmen. Ka “rrahje supesh” këtu.

 

Anti-Mafia biseda e gjatë telefonike me Mediun kanë një emërues Mihal Delijorgjin Rama kundër rihapjes së “Gërdecit” rrahja e shpatullave të Berishës ditën e tragjedisë