Ekonomi28 Gusht 2019, 13:44

Rama mashtron BE, borxh i fshehur 100 milion euro nga entet publike për janar-prill 2019

Shkruar nga Pamfleti
Rama mashtron BE, borxh i fshehur 100 milion euro nga entet publike për

Rama mashtron BE, borxh i fshehur 100 milion euro nga entet publike për janar-prill 2019

Qeveria socialiste, pas heqjes nga lista e borxheve të miliona eurove të hedhura për koncesionet, ka fshehur dhe borxhet që shteti i ka OSHEE për energjinë. Ndërsa merr masa drastike ndaj punonjësve të administratës që vonojnë pagesën e faturës së energjisë, duke i pushuar nga puna apo duke arrestuar debitorë të vegjël, ndërmarrjet publike të zhytura deri në grykë i toleron. Fshehja e këtij fenomeni, një makinacion për të kërkuar borxhe të reja

Qeveria e socialistëve vijon të mos jetë e sinqertë me Bashkimin Europian në lidhje me borxhin real që Shqipëria ka në total, duke vijuar me avazin e mandatit të parë të manipulimit të shifrave.

Duke qënë se makinacionet financiare me borxhin, e paraqesin atë shumë më të ulët se sa është në realitet, i garantojnë mundësinë për aplikim për borxhe të tjera të reja, Rama përmes Ministrisë së Financave paraqet shifra fiktive në qeverinë e BE.

Në fillim ka lënë pa përfshirë në rezultatin përfundimtar të borxhit, miliona eurot e hedhura përmes koncesioneve, të cilat në fund të herës janë një barrë financiare që do të paguhet në të ardhmen nga taksapaguesit shqiptarë.

Ndërsa tani qeveria e Ramës ka lënë pa përfshirë në listë, borxhet që entet publike i kanë ndërmarrjeve të tjera shtetërore, një borxh i brendshëm ky që rëndon arkën e shtetit.

Gropa e madhe financiare e grumbulluar vit pas viti nga ana e enteve publike ka bërë që të përkthehet në humbjen e aftësisë likujduese ndaj kompanive shtetërore, kryesisht energjisë.

Këto detyrime të institucioneve shtetërore, në formën e energjisë së papaguar, teksa rriten viti pas viti, kanë rikthyer sërish krizën e borxheve të fshehura që rrezikon t’i faturohet qytetarëve shqiptarë në të ardhmën.

Kjo është një faturë e fshehur e cila rrjedh nga keqqeverisja, abuzimi me paratë e qytetarëve dhe nga mungesa e përgjegjshmërisë së administratës publike.

Më konkretisht, Enti Rregullator i Energjisë informon zyrtarisht se në katërmujorin e parë të vitit 2019, institucionet publike, kryesisht ndërmarrje me pronësi shtetërore, i kanë OSSHEE rreth 9.6 miliardë lekë ose afërsisht 78 milionë euro borxh.

Kjo ka bërë që detyrimet të zgjerohen me rreth 5 për qind në raport me fundin e vitit 2018, shifër që me gjithë TVSH dhe asetet e tjera të arrijë në vlerën e 100 milionë eurove.

Borxhet totale të OSHEE-së kanë ardhur në rënie të lehtë në 4-mujorin e parë si pasojë e uljes së detyrimeve nga sektori i biznesit privat e familjeve, por nga ana tjetër detyrimet që institucionet shtetërore kanë ndaj operatorit të shpërndarjes së energjisë, po vijnë në rritje nga viti në vit.

Në fund të 4-mujorit të parë, detyrimet që vetë shteti dhe entet e tij i kanë OSHEE-së u rritën me 228%, edhe pse në vitin 2014 qeveria vendosi sanksione të forta ndaj enteve që nuk shlyejnë energjinë elektrike nisur nga vlera e lartë e borxhit që gjeti qeveria “Rama” kur erdhi në pushtet.

Ministria e Financave para dy vitesh lëshoi një udhëzim që njësitë shpenzuese gjatë përdorimit të fondeve buxhetore të planifikuara për “mallra dhe shërbime” me prioritet të urdhërojnë pagesat për shërbimet e furnizimit me energji elektrike në kushtet e mungesës së likuiditetit ose planit të arkës, respektohet renditja e përcaktuar ne udhëzimin e posaçëm.

Me tej financat kërkuan që strukturat përgjegjëse për thesarin në degë të verifikojnë listën e debitorëve të dërguar nga OSHEE çdo muaj dhe autorizojnë pagesën e faturave të tjera, vetëm nëse njësia shpenzuese nuk rezulton me detyrime të papaguara në këtë listë.

Mirëpo as ku udhëzim nuk ka funksionuar teksa shihet që borxhet po pësojnë rritje nga viti në vit. Qeveria dhe ndërmarrjet në pronësinë e saj janë duke cenuar rëndë zbatimin e planit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë, ku ulja e borxheve është në themel të këtij plani.

Ndërkohë qeveria është treguar tepër e ashpër me konsumatorët familjarë, duke marrë masa drastike ndaj të punësuarve në administratë që vonojnë faturat e energjisë, të cilët largohen me ceremoni nga puna.

Ndërsa nuk kanë munguar as prangosjet e debitorëve të vegjël familjarë, ndërkohë që ndërmarrjet shtetërore dhe pushteti vendor që janë deri në grykë në borxhe me OSHEE, jo vetëm që nuk janë ndëshkuar, por dhe u është fshehur borxhi. Një sjellje me dy standarde e qeverisë./Pamfleti

Ekonomi borxh i fshehur 100 milion euro nga entet publike për janar-prill 2019 Rama mashtron BE