Editorial21 Gusht 2019, 15:58

Rama peng i të “fortëve” të Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Rama peng i të “fortëve” të Berishës

Rama peng i të “fortëve” të Berishës

Tom Doshi, Artur Bushi, Armando Prenga, Elvis Roshi dhe Valdrin Pjetri, trafikantët dhe kriminelët kamikazë të “markës” PD, që kanë uzurpuar pushtetin e socialistëve

“Dashuria” e Edi Ramës me të “fortët” e Sali Berishës ka filluar që pas zgjedhjeve të vitit 2009, të cilat i humbi për pak vota, ndërsa pushtetin për shkak të aleancës së ish kreut të PD me Metën. Nga “shija” e keqe që i la kjo humbje, u krijua tek Rama dhe bindja e thellë se, pa të “fortët” nuk e merr dhe as e mban dot pushtetin.

Këtë bindje e shprehte hapur në çdo bisedë me miqtë, bashkëpunëtorët, mbështetësit, madje dhe në debat me kundërshtarët politikë.

Pikërisht në këtë kohë Rama afroi shumë të fortë në PS, duke kaluar dhe në “sinorët” e Berishës për të marrë nën “çadrën” e tij pikërisht këta kamikazë, me justifikimin se mblidhnin vota .

Rasti më tipik është Tom Doshi, i cili kaloi përfundimisht te Rama, duke u bërë madje “kapidan” të Veriut dhe futur në dorë jo vetëm PS, por dhe të gjitha emërimet e shkarkimet në administratë e polici, nga Kruja e deri në Vermosh e Dibër.

Pas një debati gati dy vjeçar, pavarësisht se Doshi e kërcënoi se “do t’i priste kokën si të zogut”, Rama i “gëlltiti” kërcënimet dhe fyerjet, duke i dhënë “kartabiankë” për Veriun.

Tom Doshi ka qënë një kamikaz i djathtë që mblidhte vota vetëm për PD si i “fortë”, ndërsa kaloi te Rama si një njeri i ardhur nga skutat e errëta të krimit dhe trafikut të drogës.

Pikërisht për këto krime dhe trafiqe Tom Doshi është shpallur “non grata” dhe nga SHBA.

Ndërkohë që Armando Prengën në Kurbin, i njohur historikisht si një kamikaz i Pal Dajçit dhe që mblidhte vota për PD, e kandidoi për deputet, duke ia bërë “peshqesh” kësaj zone.

Këtë skenar e vazhdoi me të inkriminuar të tjerë, që i aktivizoi në fushatën e vitit 2013-tës, për t’i parapërgatitur për më pas si krerët e ardhshëm të bashkive.

Të gjithë këta persona të inkriminuar që i mori “kuti postale” nga Berisha, i përfshiu në listat e deputetëve, në administratë dhe i kandidoi për kryetar bashkie.

Kështu veproi në Krujë me Artur Bushin, në Kavajë me Elvis Roshin, kështu bëri dhe së fundmi në Shkodër, ndonëse pa sukses me Valdrin Pjetrin, të cilët i “pilotoi” në bashkitë bastione të PD.

Pavarësisht se kishin akuza të forta mbi kurriz, që fillonin që nga trafiku i drogës dhe vijonin me trafikun prostitutave, Rama e ka bindje se me këta lloj tipash të “fortë”, mund të mbajë pushtetin.

Ndonëse ka dështuar me Roshin, që dha dorëheqjen si i dënuar për përdhunim në grup dhe trafik droge, me Prengën i cili kërkoi që me armë të marrë Lagunën e Patokut, dhe me Pjetrin që ishte dënuar me burg në Itali për trafik droge, Rama vijon të promovojë të “fortët”.

Në administratën qëndrore e të bashkive, nga Tepelena, Durrësi e deri në Kamzë, janë emëruar njerëz që kanë lidhje me krimin, të cilët qeverisin bashkitë vetëm përmes forcës.

Dhe ky “fiksim” i Ramës ka koston e vet dhe në PS, ndoshta e vetmja parti realisht në opozitë, pasi qeverisja është uzurpuar nga miqtë dhe ish drejtorët e Ramës, si dhe ish njerëzit e Berishës./Pamfleti/

Editorial Rama peng i të “fortëve” të Berishës