Aktualitet10 Shtator 2019, 16:18

Rama përgatitet për koncesionin e ri me PPP-të, miliona dollarë për matësa inteligjentë energjie

Shkruar nga Pamfleti
Rama përgatitet për koncesionin e ri me PPP-të, miliona

Rama përgatitet për koncesionin e ri me PPP-të, miliona dollarë për matësa inteligjentë energjie

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku del “zbuluar” në kundërshtinë  për matësat inteligjentë. Projekti është deklaruar nga ish-ministri Gjiknuri, i cili evidentonte rëndësinë e dhënies së këtij shërbimi privat përmes PPP-ve. U zbatua një projekt “pilot”, duke testuar 50 mijë matësa të këtij lloji. Kostoja fillestare 150 milionë dollarë, kompania “Deutche Telekom” filloi prodhimin e 9300 matësave. Tani, gati projekti për të “dorovitur” oligarkët klientë të kryeministrit

Qeveria e Edi Ramës po bën një përgatitje serioze për të futur sistemin e kontrollit të rrjetit energjitik nën regjimin e rreptë të matësave inteligjentë të energjisë.

Teksa e kanë evidentuar si fjalën e fundit të shkencës dhe një projekt të madh të së ardhmes për të ulur në maksimum humbjet në rrjet dhe vjedhjen e energjisë, qeveria shqiptare dhe më saktë ministria përkatëse ka që në vitin 2015 që po teston këtë projekt madhor.

Ndërkohë që financimi për matësat inteligjentë do të bëhet përmes koncesionit me PPP-të e famshme, të cilave Edi Rama dhe ministrat e tij nuk u ndahen, pasi kanë përfitime prej miliona eurosh apo dollarëshe prej tyre.

Por menjëherë ka reaguar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku, e cila thotë se dikasteri që ajo drejton ka kërkuar konsulencë ndërkombëtare për vendosjen e matësave inteligjentë të energjisë dhe jo koncesion për matësa.

Në lidhje me këtë procedurë prokurimi, Ministria e Ballukut nëpërmjet një shkrese zyrtare thekson se s’bëhet fjalë për koncesion, por për marrje konsulence, që do të përcaktojë edhe standardet e matjes së energjisë që do të ndiqen në të ardhmen.

Kjo ministri zyrtarisht saktëson se BERZH së fundmi ka publikuar një kërkesë për shpallje interesi për Asistencë Teknike për Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë, OSHEE dhe OST për përgatitjen e një strategjie të re për Matjen e Politikat Standarde për matjen e energjisë elektrike.

Çka nënkupton që, matësit aktual mund të zëvendësohen me matësat e rinj inteligjentë të energjisë më të avancuar, të cilët do të identifikonin edhe humbjet në rrjet.

Megjithatë shqetësimi se ky ishte koncesioni i radhës i qeverisë ishte i drejtë, pasi në dokument thuhej se fillimisht do bëhej një analizim i matësave që janë aktualisht në treg dhe do të shikohet mundësia që të vendosen matësit e rinj të mundshëm që mund të jetë investim përmes një privati me PPP.

Pra bëhej fjalë për koncension blerjeje të këtyre matësave, pavarësisht se më pas u përgënjeshtrua nga ministria e Ballukut duke e cilësuar një prokurim për marrje konsulence, që do të përcaktojë edhe standardet e matjes së energjisë që do të ndiqen në të ardhmen.

Por një deklaratë më herët e ish-ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri e ka nxjerrë zbuluar përpjekjen e Ballukut për të mbuluar faktin se po përgatitet një koncesion i madh miliona eurosh për t’iu dhënë përmes PPP-ve të famshme, një oligarku, klient të Ramës.

“Jemi duke studiuar disa opsione sesi OSHEE të mund të hyjë në një PPP, p.sh përsa i përket sistemeve inteligjente të matjes, por duke bërë një fizibilitet shumë të mirë ekonomik. Atë jemi duke bërë, në mënyrë që të dihet qartë se çfarë avantazhesh do të sjellë ky projekt.

Nisur nga ky fizibilitet ekonomik, ne po ndjekim të gjitha shkallët bazuar në legjislacionin e koncesioneve, për të bërë të mundur këtë partneritetit.

Patjetër, sektori energjitik në të gjithë botën zhvillohet nëpërmjet pjesëmarrjes së kapitalit privat dhe e thashë se një pjesë e mirë e kontratave tona janë të partnerit publik-privat”, ka deklaruar mbi dy vite më parë Gjiknuri, asokohe ministër i Industrisë dhe Energjetikës.

Për pasojë OSHEE ka investuar në blerjen e 50 mijë matësave inteligjentë, për ta përdorur në zona “pilot” ku pagesa e energjisë është në nivele të ulta dhe humbjet në rrjet janë të mëdha.

Ishte planifikuar që në vitin 2016 të përfundonte pajisja e të gjithë konsumatorëve shqiptarë me matësa inteligjentë, duke nxjerrë zbuluar deklaratën e ministrisë së Ballukut se ka nevojë për konsulencë dhe studim fizibiliteti për këtë punë.

Në atë kohë kompania “Deutche Telekom” filloi prodhimin e 9300 matësave inteligjentë, për t’u instaluar në zonat më problematike të Shqipërisë dhe projekti-pilot për vendosjen e tyre kishte nisur.

Këto lloj matësash sipas OSHEE në atë kohë ishin për Tiranën në 4 zonat më problematike: Bathore, Paskuqan, Allias dhe Babrru, që kanë krijuar shumë probleme në pagesat e energjisë së konsumuar.

Mendohej për një financim fillestar prej 150 milionë dollarësh në sistemin e matjes, nga 420 milionë dollarë financim në të gjithë sektorin energjitik.

Pra ideja e koncesionit përmes PPP-ve për matësat inteligjentë të energjisë s’është një spekulim apo “utopi”, sikurse thonë drejtuesit e lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, por një projekt i qartë dhe i testuar vite më parë që pritet të startojë së shpejti./Pamfleti/

Kryesore miliona dollarë për matësa inteligjentë energjie Rama përgatitet për koncesionin e ri me PPP-të