Aktualitet24 Gusht 2018, 07:31

Rama përgatitet t’ua “fusë” ministrave të tij, gati të bashkëqeverisë me Bashën. Monikën dhe LSI nuk i qas në qev

Shkruar nga Pamfleti
Rama përgatitet t’ua “fusë” ministrave të tij,

Rama përgatitet t’ua “fusë” ministrave të tij, gati të bashkëqeverisë me Bashën. Monikën dhe LSI nuk i qas në qeveri, Meta i tërbuar

“Pamfleti” ka shkruajtur ditë pas dite për mundësinë e një bashkëqeverisjeje mes PS dhe PD, në një formë apo në një tjetër. Kryeministri Edi Rama në të gjitha mesazhet e tij ka lënë për të kuptuar se është gati të bashkëqeverisë me opozitën.

Nuk ka përcaktuar as kohë dhe as modalitete për futjen e përfaqësuesve të PD në qeveri, por Rama e ka garantuar Bashën se marrëveshja e 17 majit të vitit të kaluar është ende në fuqi dhe funksionon. Pavarësisht deklaratave të ashpra që kanë shpërthyer dhe do të shpërthejnë ndaj njëri tjetrit. Të gjithë këto janë në kuadrin e lojës dhe të betejës politike.

Njëherësh Rama ka bërë të qartë se Monika Kryemadhi dhe LSI nuk do qasen në bashkëqeverisje, duke tërbuar përfundimisht presidentin Ilir Meta.

Por ajo që mbetet për t’u parë është se cilët ministra do të sakrifikojë Rama për të kënaqur dhe pritshmëritë e Bashës, por dhe partnerëve ndërkombëtarë që kërkojnë një dialog politik në prag të çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE.

Rama gjithnjë është shquar për faktin që, në momentet e vështira dhe kur ndjen lëkundje tek karrigia e tij e pushtetit, të parët që sakrifikon janë miqtë e tij. Më se njëherë ai ka treguar se nuk heziton t’ua “fusë” atyre. Por tashmë dilema është kush do të jenë anëtarët e kabinetit të cilëve Rama do t’ju bëjë dalje nga qeveria.

Nëse mbështetet mbi performancën dhe ankesat e publikut dhe qytetarëve ndaj qeverisjes, i bie që ministrat që do të largohen do të jenë ata që drejtojnë dikasteret e shërbimeve.

Ma pak fjalë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj, Ministri i Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministri Turizmit e Mjedisit Blendi Klosi, Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, ministri i Shëndetësisë Ogerta Manastirliu  dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Por me sa duket nuk është ky kriteri, pasi rrezikojnë të largohen ministrat kryesorë të kabinetit qeveritar, pikërisht ministrat ku Rama ka mbështetur dhe mburrjen e tij për një qeverisje më të mirë se paraardhësit e tij.

Por që një pjesë e ministrave të tij do të ikin, kjo është e sigurtë, vetëm se varet kujt i bie “lapsi” për të ikur dhe i vihet “kryq” nga Rama.Gjithçka varet nga një mbledhje informale qeverie pritet të zhvillohet së shpejti, më saktë ditën e premte në Vlorë.

Mësohet se në këtë  takim  ku do të marrin pjesë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe si kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, do të vendoset  fati i disa prej ministrave në kabinetin qeveritar, nëse do të vijojnë në këtë detyrë apo do të largohen.

Gjithashtu ky takim do t’i paraprijë, mbledhjes së Asamblesë së PS, që pritet të mbahet në fillim të shtatorit.

Kryeministri Edi Rama, do ketë gati listën  me ministrat që do të shkarkohen, por edhe me emrat e rinj zëvendësues. Ndërkohë në media raportohet se 80% e  kabinetit qeverisës do të ndryshojë por ende nuk ka një konfirmim zyrtar.

Por, para se të bëjë këto ndryshime, kryeministri Rama, duket se do të luajë edhe dy karta të tjera. Në fillim do të provojë që të bindë opozitën, që ajo të bëhet pjesë e reformës në drejtësi, në mënyrë që  të zgjidhen organet më të larta të gjyqësorit si KLD, KLP, kryeprokurorin e ri, si dhe krerët e BKH-së dhe SPAK-ut.

Ndërkohë Opozita ka paralajmëruar një shtator të nxehtë me protesta, që në një mënyrë apo tjetër mund të tensionojnë situatën. Pasi Berisha dhe Meta janë në aleancë për ta radikalizuar situatën. Dhe Basha gjendet përballë dilemave, por dhe nën presionin e kësaj dysheje të opozitës që kërkon pushtet me çdo kusht.

Ndaj dhe karta e dytë e Ramës është ajo e një marrëveshjeje me kren e opozitës dhe njëherësh kreun e PD Lulzim Basha, gjë të cilën nuk e ka për herë të parë.

Duke i dhënë Bashës në këtë mënyrë dhe një “kamerdare” shpëtimi përballë presionit të Berishës dhe Metës për radikalizim dhe për t’i marrë partinë.

Dhe Rama mund të operojë duke shkarkuar ministrat e sulmuar nga opozita dhe zëvendësimin e tyre me emra që kanë dakordësinë edhe të spektrit opozitar. Çka i jep Bashës një fitore të vogël në tavolinë në përballjen opozitare por dhe përballë kundërshtarëve brenda PD që e akuzojnë Bashën se nuk frymëzon dhe nuk e sjell dot opozitën në pushtet.

Duket se strategjia e Ramës, dhe protestat e paralajmëruara nga opozita, s’janë gjë tjetër veçse një sinjal për arritjen e një marrëveshje politike, të ngjashme me atë të 17 majit të vitit 2017./Pamfleti

 

Kryesore gati të bashkëqeverisë me Bashën Meta i tërbuar Monikën dhe LSI nuk i qas në qeveri Rama përgatitet t’ua “fusë” ministrave të tij