Rama si Gjukanoviçi, opozita shqiptare si ajo e Malit të Zi: skenarë të njëjtë me pasoja fatale

Rama si Gjukanoviçi, opozita shqiptare si ajo e Malit të Zi: skenarë të njëjtë me pasoja fatale

Nuk thonë kot të vjetrit se “kufiri kufirin e han, komshiu komshiut i ngjan”, për të perifrazuar faktin se gjithnjë ka përplasje për kufirin, por dhe komshinjtë ngjajnë me njëri tjetrin deri në detaje.

Kjo shprehje vlen më së miri edhe për situatën politike në Shqipëri e në Mal të Zi, ku gjasat janë për përsëritje të të njëjtit skenar.

Bëhet fjalë për partitë që janë pushtet në Shqipëri dhe Malin e Zi dhe që si për koncidencë liderët respektivë të tyre, Edi Rama në Tiranë dhe Milo Gjukanoviç janë aleatë me njëri tjetrin.

Po kështu edhe në Malin e Zi, lideri i opozitës malazeze, Nebojsha Medojeviç është një aleat me liderin e opozitës shqiptare Lulzim Basha.

Këta dy të fundit kanë si mik të përbashkët ish kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski.

Si liderët në pushtet të të dyja vendeve, ashtu dhe ata në opozitë janë në qendër të goditjes për korrupsion dhe afera.

Por për hir të së vërtetës Rama dhe Gjukanoviç me sa duket kanë vendosur të qëndrojnë gjatë në pushtet, pikërisht për shkak të rrugës së gabuar që kanë zgjedhur dy liderët e opozitës në vendet respektive për të fituar votat dhe për të marrë revansh politik.

Milo Gjykanoviç ka 27 vite që udhëheq Malin e Zi, herë President dhe herë kryeministër i vendit, duke kryer “rotacion” pushteti vetëm me mbështetësit e tij më të afërt brenda të njejtës parti.

Edi Rama është në mandatin e dytë dhe me gjithë keqqeverisjen, akuzat për korrupsion, përvetësim të parave të shqiptarëve dhe mungesës së investimeve, arriti që në mandatin e dytë të fitojë pushtetin i vetëm pa pasur nevojë për aleatët e mandatit të parë.

Madje kërcënon me mandate të tjera, duke treguar qartë ambicien për tu çimentuar në qeverisjen e vendit me ose pa aleatë.

Në Malin e Zi, Gjukanoviçin e lë në pushtet opozita e dhunshme dhe me sytë hapur nga Rusia, duke sulmuar ndërkombëtarët SHBA dhe BE dhe duke ushtruar dhunë, madje dhe atentate ndaj Presidentit aktual.

Rezultati ka qënë gjithnjë katastrofik përballë një Gjukanoviçi që e anëtarësoi Malin e Zi në NATO përkundër kundërshtisë së opozitës dhe tashmë ka hapur negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE, duke qënë një vend kandidat potencial.

Pra, me gjithë akuzat 27 vjeçare që ka mbi supe, dhe me të drejtë të gjitha akuzat janë reale pasi është një vend i korruptuar  me një demokraci të kufizuar, Gjukanoviç ia ka dalë që të ketë dhe përkrahjen e SHBA e të BE dhe të qëndrojë 27 vite në pushtet.

Thjesht dhe vetëm se përballë ka një opozitë të dobët, që mungesën e alternativës kërkon ta kompensojë me dhunë dhe me orientim anti-Perëndimor dhe pro-Rus.

Po të shohim sjelljen e opozitës në Shqipëri të udhëhequr nga Lulzim Basha është thuajse e njëjta me atë në Malin e Zi dhe për të keqen e shqiptarëve rrezikon ta lërë në pushtet Edi Ramën shumë gjatë.

Lulzim Basha dhe lidershipi i opozitës, njësoj si opozita në Malin e Zi nuk po i drejtohet aspak alternativës për të bindur votuesin që të votojë për të në zgjedhjet e radhës, por po i drejtohet rrugëve anësore të dhunës ndaj gjithçkaje, akuzave në salla të mbyllura.

Pra kanë lënë takimet me njerëzit, forcimi i partisë dhe i janë drejtuar rrugëve më të lehta, facebookut dhe rrjeteve sociale, videopërgjimeve të rastësishme që rezultojnë shpesh fallso dhe kauzave spontane, ku qytetarët nuk e gjejnë veten.

Njëherësh opozita e drejtuar nga Basha, pavarësisht deklaratave për orientim perëndimor të saj, nuk lë gjë pa thënë kundër ambasadorëve dhe “burokratëve” të Brukselit sipas saj, që nuk po penalizojnë “Ramën dhe qeverisjen e korruptuar, kriminale dhe të kanabizuar PS”.

Sulmet ndaj ambasadorit amerikan Donald Lu si dhe ambasadores së BE Romana Vlahutin si të financuar nga Rama, Sorosi apo dhe të korruptuar dhe të përzier në afera, janë shprehja më e qartë e qëndrimit të opozitës shqiptare kundër Perëndimit.

Njëherësh ia vlen të përmendim këtu faktin që kreu i PD Lulzim Basha i ka sytë nga Rusia dhe për këtë po hetohet për lobimin në SHBA me para ruse nga ish agjentëve të KGB.

Ka një hetim në SHBA nga FBI amerikane por edhe në Shqipëri nga Prokuroria shqiptare për këtë akuzë, ku kompani ruse nga parajsat fiskale kanë sponsorizuar lobimin e Bashës në SHBA.

Ndaj SHBA dhe BE nuk e kanë mbështetur këtë opozitë anti Perëndimore, madje kanë shfaqur shqetësim për ndikimin rus tek lidershipi i saj të kryesuar nga Basha.

Në këtë kontekst, opozita shqiptare po ecën në gjurmët e opozitës në Malin e Zi me të gjithë sjelljen e saj të dhunshme dhe anti- Perëndimore, duke i garantuar Edi Ramës dhe Partisë Socialiste një qëndrim të gjatë në pushtet.

Përsëritja e precedentit “Gjukanoviç” në Shqipëri do të ishte me pasoja fatale për shqiptarët, thjesht  dhe vetëm se i ra për pjesë një opozitë dhe lidership antiperëndimor./Pamfleti

Loading...
error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti