Ekonomi15 Tetor 2018, 08:12

Raportimi financiar, ndryshojnë kushtet për mikronjësitë sipas xhiros dhe aktiveve

Shkruar nga Pamfleti
Raportimi financiar, ndryshojnë kushtet për mikronjësitë

Raportimi financiar, ndryshojnë kushtet për mikronjësitë sipas xhiros dhe aktiveve

Nga 1 janari 2019 pritet që të hyjë në fuqi ligji 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” çka ka detyruar edhe Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit që të rishikojë Standardet Kombëtare të Kontabilitetit të përmirësuara duke bërë edhe përshtatjet përkatëse. Duket se një nga pikat që do të ndryshojë lidhet  me kategorizimin e mikronjësive ku tashmë kanë ndryshuar kriteret për këtë lloj subjekti.

Aktualisht me standardet e sotme mikronjësi  quhet një njësi ekonomike ku punësohen më pak se 10 persona dhe e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose totalin e aktivit jo më të madh se 10 milionë lekë. Në kriterin e dytë në rast se njëra, shifra e afarizmit ose totali i aktivit është jo më i madh se 10 milionë lekë, ajo do të quhet mikronjësi. Këto kritere duhet të plotësohen për dy vite të njëpasnjëshme.

Sakaq me propozimin e ri duket se kemi një rishikim të kushteve që kategorizojnë një subjekt si mikronjësi.

“Mikronjësi ekonomike quhen njësitë ekonomike, që në datën e raportimit nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:

a) aktivi, 15 milionë lekë;

b) të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 30 milionë lekë;

c) numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 10.Këto kritere duhet të plotësohen për dy vite të njëpasnjëshme” thuhet në dokumentin e rishikuar nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit.

Ndryshimet në dokument përfshijnë edhe specifika të tjera të vogla të cilat kanë të bëjnë më shumë me saktësime.

Sipas Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit ky standard me ndryshimet përkatëse do të zbatohet në pasqyrat financiare që mbulojnë periudhën kontabël, që fillon më ose pas datës 1 janar 2019. Ai standard duhet të zbatohet në mënyrë prospektive nga data 1 janar 2019, d.m.th pa ndryshuar pasqyrat financiare krahasuese të vitit 2018, të cilat janë përgatitur sipas kërkesave ekzistuese të kontabilitetit.

Të gjithë grupet e interesit në bazë të propozimit të nxjerrë për konsultim mund të japin sugjerimet e tyre./Monitor

Ekonomi Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit raportimi financiar