Kosova22 Dhjetor 2022, 09:46

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Pas rastit të së mërkurës lidhur me foshnjën e vdekur në Pejë, i cili tronditi opinionin publik, është kërkuar dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se kryeministri Kurti i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi do duhej të dorëhiqet pas këtij rasti skandaloz.

“Ministria e Shëndetësisë tash e sa muaj është pa ministër adekuat, por që rolin e tij e luan kryeministri si i vetemëruar kryetar i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi. Ky i vetemëruar “ministër” pas këtij skandali do të duhej automatikisht të jepte dorëheqje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Për rastin kanë reaguar edhe kryetari i kësaj partie më të madhe opozitare, Memli Krasniqi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Që të dy kanë kritikuar Qeverinë për mosemërim të ministrit të ri të Shëndetësisë edhe pas rreth 80 ditësh që nga dorëheqja e ish-ministrit Rifat Latifi.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë javës së kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Një foshnje e cila kishte lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë.

Lidhur me këtë rast Spitali i Pejës ka njoftuar mbrëmë se janë suspenduar shtatë punonjës.

“Spitali të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet në njoftim.

Prishtine Albin Kurti Foshnja e vdekur në Pejë PDK