Kulture 8 Maj 2019, 07:30

Receta e qumështorit me miell misri, shije speciale

Shkruar nga Pamfleti
Receta e qumështorit me miell misri, shije speciale

Receta e qumështorit me miell misri, shije speciale

Një ëmbëlsirë tradicionale e cila ka një mbushje kremoze mes dy petave të holla krokante dhe e zhytur në shurup të plotë.

Mund ta keni provuar e përgatitur me shumë herë, por a ju ka shkuar mendja që mund të bëhet dhe me miell misri?

Mielli i misrit i jep mbushjes një shije akoma dhe më delikate e të lehtë.

Gjithashtu sekreti tjetër i kësaj ëmbëlsire qëndron tek shurupi i saj. Përveç sheqerit dhe lëkurës së limonit për aromë, përdoret dhe kanella.

Ju sugjerojmë ta provoni menjëherë, dhe të mahniteni me shijen e qumështorit me miell misri.

Përbërësit për 6-8 persona

-350 ml qumësht

-150 ml ajkë qumështi ( e gjeni në markete)

-40 g miell misri

-80 g sheqer

-3 të verdha vezësh

-1 vezë e plotë

-100 g gjalpë (për lyerjen e petëve)

-180 g petë të gatshme ose 4 peta

Përbërësit për shurupin

-250 g sheqer

-150 ml ujë

-Lëkurën e një limoni gjysmë luge me kanellë ose një shkop të pa bluar

Përgatitja e mbushjes

-Kjo recetë nis me përgatitjen e kremit për mbushjen e qumështorit.

-Vendosni një tenxhere në zjarr dhe shtoni qumështin dhe ajkën e qumështit.

-Më pas hidhni aty një lugë nga sheqeri, kjo metodë do të parandalojë ngjitjen e qumështit në fundin e tenxheres.

-Lëreni qumështin të zjejë, duke treguar kujdes dhe ta përzjeni herë pas here.

-Në një tas bashkoni sheqerin dhe miellin e misrit. AgroWeb.org ju këshillon që t’i përzjeni kështu pasi kremi do të jetë më i qëndrueshëm.

-Pasi t’i keni rrahur vezët hidhini tek tasi me sheqerin dhe miellin e misrit.

Me ndihmën e telit të kuzhinës përzjejini derisa të përfitoni një masë homogjene.

-Është e rëndësishme që kokrrizat e sheqerit të kenë shkrirë plotësisht, dhe që ngjyra ë fortë e vezëve të jetë një e verdhë e lehtë.

-Me një lugë merrni pak nga qumështi i ngrohtë në mënyrë që të rregulloni temperaturën e masës dhe që vezët të mos priten.

-Më pas shtojeni masën me sheqerin, miellin dhe vezët tek tenxherja e qumështit gjithmonë duke e përzjerë me telin e kuzhinës.

-Uleni zjarrin dhe vazhdoni të përzjeni derisa masa të fillojë të trashët dhe të kthehet në një krem të plotë e pa kokrriza.

-Pasi të jetë gati kremi, hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet.

Përgatitja e qumështorit

-Ndërkohë në një tigan shkrini gjalpin që do të duhet për petët.

-Merrni një tavë dhe lyejeni me pak nga gjalpi i shkrirë.

-Më pas shtroni një petë, ju sugjerojmë që ta vendosni gjysmën brenda dhe gjysmën jashtë tavës, pasi në fund, me pjesën e petëvë që keni lënë jashtë do mbuloni qumështorin.

-Një nga petat e gatshme lëreni puer në fund.

-Pas çdo pete të vendosur mos harroni ta spërkasni me gjalpin e shkrirë.

-Këtë proces do ta vazhdoni derisa të mbaroni me petët e nevojitura në recetë.

-Kremin e përgatitur më parë hidheni në tavë, dhe mundohuni ta përhapni në mënyrë të barabartë.

-Më pas vendosni petën që keni lënë mënjanë duke mbuluar sipërfaqen e qumështorit dhe gjysmat e petëve të cilat i keni lënë jashtë, filloni dhe palosini brenda tavës duke i kthyer anash.

-Çdo petë të palosur spërkateni me gjalpë të shkrirë.

-Kjo metodë nuk lejon që mbushja me krem të derdhet kur ta piqni por dhe kur ta prisni për ta servirur.

-Në fund lyejeni sipërfaqen e petëve me gjalpin e mbetur dhe vendoseni në furrë të parangrohur me 160 gradë Celsius.

Përgatitja e shurupit

Kjo ëmbëlsirë kërkon rreth një orë për t’u pjekur plotësisht, por ndërkohë përgatisni shurupin.

-Në një tenxhere bashkoni sheqerin dhe ujin dhe vendosini në zjarr derisa sheqeri të ketë shkrirë plotësisht.

-Rezultati më i mirë për shurupin, është që të mos e përzieni me lugë apo tel kuzhine, por duke tundur lehtë tenxheren sipas akrepave të orës.

-Pasi të ketë shkrirë sheqeri shtoni lëkurën e limonit dhe kanellën dhe lëreni që të zjejë.

-Tundni tenxheren me metodën e më sipërme, kështu shurupi nuk do të ngjitet.

-Lëreni të ziejë përreth 10 minuta dhe më pas largojeni nga zjarri.

-Pasi qumështori të jetë gati nxirreni nga furra dhe me ngadalë shtoni shurupin e vakët.

Lëreni ëmbëlsirën përreth një orë në mënyrë që të përthithi shurupin.

-Më pas mund ta prisni dhe ta servirni për të afërmit dhe familjarët tuaj.

Receta e Dites