Aktualitet 3 Nëntor 2018, 17:14

Rexhep Meidani: Ç’është ky “Hermes”-i?! (Sot hajdutët janë në krye të shtetit)

Shkruar nga Pamfleti
Rexhep Meidani: Ç’është ky “Hermes”-i?! (Sot

Rexhep Meidani: Ç’është ky “Hermes”-i?! (Sot hajdutët janë në krye të shtetit)

Ja si e ka denoncuar ish-Presidenti Rexhep Meidani, kompaninë mafioze “HERMES”, të ministrit aktual Arben Ahmetaj, ish-presidenti Rexhep Mediani, pas ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, për aferën 50 milionë USD impulse telefonike për zonat rurale, të vjedhura nga “Albtelekom”, atëherë pasuri shtetërore

Para pak ditësh një mik i kthyer nga Kanadaja, duke pirë një kafe më pyeti: Ç’është ky “Hermes”-i? Fillimisht, pyetja m’u duk e parëndësishme, por më tej, pas shpjegimit të tij, mbeta jo pak i habitur.

Me pak fjalë, historia ishte kjo: I ndodhur në Kanada, rreth dy muaj më parë (janar 2004), kishte telefonuar një abonent në Shqipëri, por një operator deri në atë kohë i panjohur prej tij, i quajtur “Hermes” dhe jo si zakonisht “Albtelekom”-i e kishte sinjalizuar, se linja ishte e zënë, por ai, kaq kishte vënë re…

Historia e tij, në dukje të parë e parëndësishme, m’u pasurua “ndjeshëm” vetëm një ditë më vonë, nga një koleg, doktor shkencash në Zvicër, i cili kur po çmalleshim në Tiranë, m’u ankua për një rritje të ndjeshme, por të padrejtë të pagesës telefonike në Zvicër, vetëm kur lidhej me familjen në Tiranë.

Sipas tij, pas hyrjes fillestare në Shqipëri, ai kishte paguar në jo pak raste ende pa folur, edhe kohën e një “çelësimi” apo transferimi shtesë, të “rirënies së ziles” (“rerouting” -un e sinjalit) dhe të lidhjes fundore, me numrin konkret.

Por jo nga “Albtelekom”i, që e ka lidhjen ndërkombëtare të drejtpërdrejtë, pa këto pagesa ndërmjetëse, por nga një sistem urban në Shqipëri, me lidhje dytësore. Pra, me fjalë të tjera, ai detyrohej të paguante kështu dhe kohën shtesë të këtij “degëzimi” të ri dhe për më tepër, edhe cilësia e sinjalit kur kjo lidhje nuk bëhej drejtpërsëdrejti nga “Albtelekom”, por nga ky operator urban, linte shumë për të dëshiruar…

Por dhe pa e ditur përgjigjen e kësaj pyetjeje fillestare, nuk mund të mos më lindnin në çast, disa pikëpyetje. Për këtë, ndoshta ndikoi tek unë, krahas reagimit qytetar, kohët e fundit, ndaj të rritjes së paargumentuar të tarifave të telefonisë fikse dhe shpërthimi në media e mjediset politike, i debatit mbi problemet e marrëveshjeve të interkonjeksionit apo miratimi e fillimi i veprimtarisë së komisionit hetimor parlamentar për këto probleme.

Nga ana tjetër, më shqetësonte dhe mendimi, se kur “makutëria për kamje, përvidhet e hyn në shtëpi si mike, pastaj bëhet zonjë shtëpie e më tej kthehet në zotëruese” (K.Gibran). Ky mësim njerëzor, por dhe kjo situatë humbjesh, dyshimi e paqartësie, më ka shtyrë këto ditë, që të pyes disa specialistë të telefonisë për këto lidhje të ndërsjellta midis operatorëve, sidomos edhe për ato të dy operatorëve të telefonisë së lëvizshme, apo të operatorëve të tjerë si “Hermes”, deri tani i panjohur nga shumica e përdoruesve shqiptarë.

Në mënyrë më të veçantë më intrigonin dhe çështjet teknike të mundësisë së këtyre operatorëve për lidhje me jashtë, pa ndërmjetësimin e “Albtelekom”-it. Përveç disa përgjigjeve të vagëta për problemin e fundit, në shumicën e rasteve, përgjigja ishte një “PO”, sa potenciale po aq konkrete, madje e supozuar si e realizuar pjesërisht.

Apo në trajtë, më të “zbutur” dhe e eksperimentuar gjatë kësaj kohe të fundit, sidomos pushimeve të verës, ndërkohë që pretendohej se ligjërisht e administrativisht, lidhja me jashtë ishte e duhet të mbetet një e drejtë e “Albtelekom”-it, deri në fund të dhjetorit të vitit 2004.

Të njëjtin pohim të fundit e kam gjetur dhe në citimin e deklaratës, së fjalës së ministrit Spartak Poçi, në gazetën “Albania” (12 mars 2004, f.15).

Sipas këtij citimi: “Gjatë vitit 2003, tregu i telekomunikacioneve u liberalizua në fushën urbane dhe kombëtare, ndërsa në vitin 2004, do të liberalizohet edhe në fushën e telefonisë ndërkombëtare, duke u shndërruar në një treg 100% të liberalizuar”. Dhe kjo, thënë në këtë mënyrë, nuk mund të kuptohet ndryshe.

Gjithashtu po aty, nënvizohet se marrëdhëniet e “Albtelekom”-it me operatorët e tjerë mbështeten në marrëveshje interkoneksioni, të studiuara dhe të bazuara në eksperiencën ndërkombëtare, të miratuara nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve (ERT) dhe si të tilla nuk janë gjë tjetër veçse marrëdhënie biznesi.

Por nuk pohohej më tej, nëse ishte respektuar ligjërisht deri tani vendimi përkatës (si vendim qeverie apo si sistem rregullator i ERT-së) për këtë afat kohor, të përmendur më sipër, lidhur me të drejtën e hyrjes dhe të daljes në rrjetin ndërkombëtar.

Apo, për më tepër, sa humbje për Albtelekomin dhe fitim jo ligjor për operatorë të tjerë ka shkaktuar ky “eksperimentim” i paligjshëm… Nuk mund të paragjykohet as problemi dhe as vërtetësia e këtyre pohimeve apo citimeve, por pas pyetjes së fundit për Hermes-in u interesova të gjeja bazën ligjore përkatëse (ligje, akte ligjore e nënakte, VKM ose vendime të ERT-së, për problemin e të ashtuquajturve operatorëve publikë).

Për fat të keq arrita të shqyrtoj nëpërmjet programit “Juristi” vetëm ligjin 8618 dt.14.06.2000, i cili jep një përkufizim të liberalizuar e përgjithësues mbi operatorin publik, ndryshe nga ai i operatorit të pavarur (neni 2). Po ashtu në atë ligj, në nenin 9, pasqyrohen dhe kompetencat e detyrat e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve (ERT-së).

Në paragrafin c), d) dhe e) të nenit 9, theksohet përkatësisht, se ky ent: “Rregullon interkonjeksionin e rrjeteve të telekomunikacioneve.

Kujdeset që konkurrenca ndërmjet operatorëve të telekomunikacioneve të mbështetet në parimet e transparencës, të mosdiskriminimit dhe të ndershmërisë.

Mbron interesat e përdoruesve të shërbimeve të telekomunikacioneve nga praktikat e pandershme të operatorëve…”.

Dhe këto kompetenca nuk janë pak për problematikën e ngritur, madje zbatimi i tyre me transparencë e mosdiskriminim, ndershmëri e “pa mbyllje sysh”, do të ishte një barrierë e fortë ndaj çdo abuzimi.

Ky aspekt nuk mund të mos të jetë objekt verifikimi, në mënyrë të thellësishme, edhe nga komisioni parlamentar. Sidoqoftë, duke mos patur mundësi për të patur në duar vendimet e ERT-së apo të Këshillit të Ministrave për çështje të telekomunikacionit, më duket e natyrshme që hetimi parlamentar të ketë si pikënisje pikërisht këto vendime, më tej dokumentacionin e plotë, licencat e kontratat përkatëse midis operatorëve dhe përfundimisht bilancin e pagesave të tyre të veçanta, midis vetë operatorëve dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj organeve tatimore. Kjo, ndoshta, mund të ishte dhe një radhitje normale e çështjeve për hetim.

Nga ana tjetër, problemi themelor nuk duhet të mbetet më, si në komisionet e tjera parlamentare, pozicionimi ose loja, diskreditimi politik i një pale apo një tjetre, as “shou” e propoganda politiko-elektorale, por hetimi serioz e transparenca e plotë, zgjidhja sa më e shpejtë e problemit të zhbalancimit të pagesave midis operatorëve në veprim në Shqipëri, dhe më tej, në rast shkeljesh dhe një hetim më i specializuar deri penalizim i personave përgjegjës.

Dhe për këtë duhet studiuar me kujdes gjithçka që ka të bëjë me marrëveshjet e interkoneksionit, por dhe mundësia e ndonjë tejkalimi ligjor të tyre, qoftë dhe si “eksperimentim”, lidhur me hyrjet apo daljet ndërkombëtare.

Po ashtu i rëndësishëm, ndoshta, më i rëndësishmi, është edhe kontrolli i krahasuar i pagesave në përputhje me kontratat aktuale, nëpërmjet verifikimit paralel të operatorëve të njëkohshëm në skemën e interkoneksionit.

Në këtë mënyrë, i shërbehet konsumatorit dhe mund të arrihet, jo me ndonjë anësi politike, por në mënyrë tekniko-profesionale e administrativo-ligjore në mjaft përfundime të dobishme, si dhe mund të merren përgjigjet e domosdoshme lidhur me pretendimet e palëve, me shqetësimet e akuzat aktuale.

Vetëm me një teknologji profesionale e ekspertë auditimi të kësaj fushe, mund të sqarohet, së pari, nëse janë realizuar dhe si janë realizuar këto kontrata për pagesat, nëse ka patur raste shkeljesh apo janë lejuar këto shkelje qoftë të karakterit ligjor, qoftë të atij financiar ose të krimit ekonomik?

Dhe, së dyti, në bazë të këtyre pagesave relative midis Albtelekomit dhe operatorëve privatë (që në ligjin Nr. 8618 quhen publikë) apo midis këtyre të fundit, mund të bëhen edhe krahasimet e nevojshme me standardet botërore, për të kuptuar nëse këto marrëveshje interkoneksioni janë në përputhje ose të përafërta me këto standarde, në rast se jo, mbeten të përcaktohen përgjegjësitë individuale e zgjidhjet përkatëse.

Dhe kështu, qytetari shqiptar mund të mos ndeshet më me arbitraritete ose të “papritura” të tjera, të paktën në këtë fushë mjaft “pjellore”, sepse, në fund të fundit, edhe sipas Senekës: “Padrejtësia kurrë nuk sundon përngahera”…(Gazeta “Panorama”, datë 16 mars 2004)

 

 

Dossier (Sot hajdutët janë në krye të shtetit) Ç’është ky “Hermes”-i?! Rexhep Meidani