Pasi miratoi me vendim qeverie, emërimin në punë të paktën të një spiuni në administratën shtetërore, ditën e djeshme Edi Rama ka guxuar të shkojë akoma më larg se kaq. Sipas mendjes së sëmurë të një diktatori që po formësohet çdo ditë e më shumë, në formën e tij me të keqe, Rama dje ka postuar në Instagram një tjetër vendim që duket se ka kohë që e sjell ndër mend.
“Koha për një përshkallëzim të ri kundër korrupsionit”, shkruan Rama. “Po punojmë për një program nxitjeje kundër heshtjes dhe denoncimit me provë të abuzuesit. Çdo student denoncues që sjell provë për presion korruptiv nga kushëdoqoftë, zeron tarifën e merr bursë njëvjeçare”. E thënë ndryshe, Edi Rama po mundohet të infektojë edhe brezin e ri që, nga halli, ka fatin të jetojë në këtë vend. Ai po nxit atë që Enver Hoxha e beri më shumë se 70 vjet më parë, brumojen e spiunëve në çdo cep të atdheut. Veçse Edi Rama ka shkuar më tej: ai premton edhe shpërblime për spiunin…
Pra lëvizja e radhës e Kryeministrit të sëmurë Shqipatr është ngjizja e farës së keqe edhe brenda universiteteve. Vjen kohë, kohë pas një vendimi të ngjashëm që Edi Rama pat marrë për administratën civile: është e detyrueshme për çdo drejtues që të punësojë të paktën një persona, detyra e të cilit de facto është të spiunojë tek eprori atë që ndodh ndër punonjësit e tjetër, për këtë sshërbim ata marrin pagën dhe mbajnë veshët ngrehur. Mirëpo edhe pse kjo metodë (një Zot e di çfarë pret Edi Rama të dalë nga kjo strategji) rezultoi një lëvizje krejtësisht e gabuar sepse stimuloi shpifjet, informacionet e gabuara dhe largimet nga puna të profesionistëve të vërtetë, ai sërish nuk heq dorë. Shënjestra e radhës janë universitetet.
E meqë aty nuk bëhet më fjalë për të punësuar, Edi Rama i ka prekur aty ku çdo studenti të këtij vendi i dhëmb më shumë: tek paratë që duhen për të mbyllur një vit shkollor. E përkthyer ndryshe “programi i nxitjes kundër heshtjes” i Edi Ramës është që studentët të fillojnë të spiunojnë pedagogët, sekretarët apo pjesën tjetër të administratës së universiteteve.
Shumë mirë nëse Edi Rama do ti japë fund korrupsionit. Do të ishte një iniciativë e shkëlqyer edhe pse pakkush do ta besonte në këtë vend që pikërisht ai, Ai që korrupsionin e ka çuar në kulmet e veta, me dorën e vet, dashka të vërë rregull. Por a i jepet fund korrupsioni me spiunlliqe të kësaj kategorie? A është normale të nxisësh studentët dhe ti tundosh ata në këtë mënyrë? Ku e ka dëgjuar Edi Rama këtë formulë që po mundohet të aplikojë dhe pse askush nuk ka guximin t’i thotë psikopatisë së tij, Ndal?
Në çfarë dimesioni jeton vallë Edi Rama?
Përgjigjen e kësaj pyetjes së fundit është e vështirë ta japë ndokush, ama e sigurta është që tanimë Edi Rama ka marrë përfundimisht formën e diktatorit, madje atë më të shëmtuarën e mundshme. Ai po aplikon atë që Enver Hoxha bëri me shqiptarët më shumë se 70 vjet më pas. Po ta ndjekim rendin e ngjarjeve, përsëritja e historisë është tmerrësisht e frikshme.
Me të ardhur në pushtet Enver Hoxha pushkatoi të gjithë të shkolluarit dhe intelektualët e vendit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Rama. Nuk i pushkatoi dot, por i dëboi, iu hoqi të drejtën e fjalës, punës, jetës.
Me të ardhur në pushtet Enver Hoxha e shpalli gjithë popullin ushtar. Proletariati dhe fuqia e tij. Këtë bëri edhe Edi Rama. I tha të madhi e të vogli se do të bashkëqeveriste bashkë me ta, se zëri i tyre do të ishte zëri i pushtetit të tij. Me këtë filozofi ai jep çdo javë spektaklin e tmerrshëm dhe të shëmtuar të qytetarëve që dalin para kamerave të ERTV dhe falenderojnë udhëheqësin për zgjidhjen e halleve. Kulti i Individit!
Me të ardhur në pushtet Enver Hoxha deklaroi se tanimë pushteti do të ishte në dorë klasës punëtore. Këtë bëri edhe Edi Rama. Largoi nga vetja çdo profesionist të mundshëm dhe i dha pushtet çdo individi të pashkollë, të paidentitet, pa pikën e formimit dhe të dalë nga kënetat e së keqes. Me ata po qeveris sot e gjithë ditën.
Me të ardhur në pushtet Enver Hoxha instaloi mjetet e tij të propagandës. U ndalua fjala e lirë, shtypi i lirë, leximi, muzika filmat. Këtë ka bërë edhe Edi Rama. Bleu 90% të medias shqiptare dhe propaganda është ushqimi i përditshëm i shqiptarëve.
Me të ardhur në pushtet Ener Hoxha aplikoi sistemin e spiunit. Gjatë diktaturës së tij shqiptarët u shndërruan në spiunë të njëri tjetrit pa pagesë. Këtë bëri edhe Edi Rama veçse ai shtoi edhe shpërblimin. Instaloi në administratë njerëz që paguheshin vetëm për të spiunuar. Tani farën e keqe do ta shtrijë tek të rinjtë edhe pse është mëse i qartë se çfarë pjell një fushatë e tillë spiunimi.
Me të ardhur në pushtet Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë vendin e vetëm të lulëzuar të botës dhe armiqtë e jashtëm i vuri në grykë të topit. Edi Rama nuk e ka bërë ende këtë (jo se nuk do, por se nuk ia mban). Ama edhe kjo ditë nuk duket e largët për të. Në konferencën e djeshme për shtyp të Donald Tusk, sinjalet që u dhanë ishin se Evropa ka ndër mend ta mbajë gjatë mbas dere Shqipërinë. Por sipas mendësisë së diktatorit trashëgimtar, sidoqoftë ne vazhdojmë të jemi kopështi i lulëzuar i Evropës.
Zoti e shpëtoftë Shqipërinë!/Pamfleti