Aktualitet 5 Shtator 2019, 21:03

Rrëfehet profesori: I vura 9 vajzës së Enver Hoxhës, klasa shpërtheu në habi, ja si reagoi Pranvera

Shkruar nga Pamfleti
Rrëfehet profesori: I vura 9 vajzës së Enver Hoxhës, klasa

Rrëfehet profesori: I vura 9 vajzës së Enver Hoxhës, klasa shpërtheu në habi, ja si reagoi Pranvera

Rrëfehet Prof. Kastriot Bezati, ish-drejtor për 36 vjet i Kulturës dhe muzeve në Përmet Bezati tregon edhe momentin kur ai i ka vënë 9, Pranvera Hoxhës, vajzës së Enver Hoxhës, dhe se si klasa ka reaguar pas këtij veprimi.

Ju keni mbaruar për histori e filozofi, kur mbaruat Universitetin ku e bëtë praktikën?

Po, atëherë kishte praktikë për ata që mbaronin studimet. Për çudi, mua më çuan për praktikë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Ky gjimnaz ishte shkolla ku mësonin fëmijët e udhëheqjes. Unë shumë gjëra s’i dija dhe shkova për të dhënë mësim me atë dëshirën për të qenë korrekt dhe idealist. Një ditë çoj në dërrasë një vajzë simpatike me emrin Pranvera. Një vajzë shtatgjatë, simpatike dhe shumë e edukuar. Ajo u përgjigj mirë, por në një vend bëri një ngatërresë.

Kur u ul unë i thashë, merr notën 9. Sa thashë unë 9, gjithë klasa lëshoi një uuuuuuuuuuuuuuuuuu të zgjatur. Unë i pashë i habitur por shumë serioz. Duke parë qëndrimin tim korrekt klasa heshti. Vajza u skuq paksa dhe nuk foli fare. Kur mbaroi mësimi dhe dola nga klasa, një nxënës afrohet dhe më thotë: “Profesor, ajo vajza që i vure 9, është vajza e Enver Hoxhës.” Për një moment shtanga, por e mblodha veten. Po mirë, i thashë, unë i vura notën që meritonte, nuk e fyeva.

Si ishte Pranvera, për aq kohë sa e njohe?

Pranvera ishte një vajzë shumë e sjellshme. Mësonte në mënyrë sistematike dhe kurrë nuk bënte veprime të dallohej nga shoqet apo shokët. Ishte nxënëse e mirë, studiuese dhe me shumë edukatë. Në orën e mësimit ishte shumë e vëmendshme dhe nuk bënte kurrë veprime ta pahijshme.

Nuk reagoi kurrë për 9-n që i vendose?

Jo nuk reagoi asnjëherë. Përkundrazi, sa herë më shikonte më përshëndeste me shumë edukatë. Ishte një vajzë e formuar dhe e ditur. Madje edhe shumë vite më pas, sa herë më shikonte, më përshëndeste me respekt. Ruaj kujtimet më të mira për të.

Si ishte mësimdhënia në atë kohë dhe a kishte mitmarrje?

Mësimdhënia, ora e mësimit dhe gjithë procesi mësimor në atë regjim ishte tepër korrekt dhe me nivel. Mësuesit përgatiteshin në mënyrë sistematike dhe me shumë përgjegjësi. Atëherë mësuesit ishin të detyruar të bënin dhe mësim jashtëklase për nxënësit me rezultate jo të mira. Mësuesit ishin heronj dhe shumë herë punonin dhe në kushte të vështira. Punonin në fshatrat më të thellë ku bora ishte e pashmangshme për 3 muaj. Nuk kishte fshat pa shkollë përveç të ndonjë rasti tepër tepër të rrallë. Për mitmarrje?! As që bëhej fjalë. As nuk njihej si fenomen. As i shkonte ndërmend njeriut për diçka të tillë. Më e shumta ishte një kafe dhe konjak për mësuesit e largët që nuk mundeshin të shkonin në shtëpitë e tyre por flinim 5 ditë në fshatrat e largët.

Kishte një marrëdhënie të shkëlqyer nxënës-mësues-prind. Të tria palët ishin të interesuar për mbarëvajtjen e nxënësve në shkollë. Kërkesa e llogarisë ishte e madhe dhe komunikimi ishte tepër korrekt. Atëherë nuk mund të mendohej që një nxënës i klasës së 9-të të pinte cigare. Them për cigare, pasi për hashash as nuk njihej, as nuk njihej as nuk mendohej. Të pinte dikush hashash ishte sikur të përmbysej shkolla. Rregullat ishin rregulla dhe askush nuk luante me ta.

Nuk njihej analfabetizmi dhe shkolla 8-vjeçare ishte e detyruar dhe ishte gati të bëhej dhe e mesmja e tillë. Librat ishin të unifikuara, të mirëkontrolluara, pa gabime dhe tepër korrekte. Prindërit kishin interes të madh për fëmijët që të mësonin dhe shkolla ishte kthyer në edukatë. Nuk mund të mendohej që të luante njeri me shkollën.

Dossier