Aktualitet 2 Prill 2018, 16:37

Rrëfimi rrëqethës nga SHBA i profesorit të persekutuar: Motra ime 14- vjeçare përdorej në vend të kalit për tërheqje t

Shkruar nga Pamfleti
Rrëfimi rrëqethës nga SHBA i profesorit të persekutuar:

Rrëfimi rrëqethës nga SHBA i profesorit të persekutuar: Motra ime 14- vjeçare përdorej në vend të kalit për tërheqje të karrocës

Profesor Sami Repishti, njeriu simbol i përndjekjes komuniste në Shqipëri, dëshmon tmerrin e kampit të Tepelenës, përjetuar nga nëna e tij, motra 14-vjeçare dhe vëllai 12 vjeç. Repishti jeton sot në SHBA në moshën 92-vjeçare, por ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe në një komunikim me kryeredaktorin e gazetës “Panorama”, e quan prof. Pëllumb Xhufin një figurë tragjike, simbol i mendjeve të mbyllura që në Europë kanë shkuar deri aty sa të mbrojnë edhe krimet nazifashiste.

Në 27 mars 1968, profesor Repishti i ka dërguar një letër ministrit francez të Shtetit të Ngarkuar me Çështjet Kulturore, Andre Malraux, ku i përshkruan me detaje torturat dhe persekutimin në kampe e burgje për 14 vjet (1945-1959) derisa është arratisur nga Shqipëria.

KOMUNIKIMI I PLOTE ME E-MAIL I KRYEREDAKTORIT TË “PANORAMA” ME PROF. SAMI REPISHTI

Përshëndetje profesor Repishti,

Besoj se i keni ndjekur debatet këtu në Shqipëri për kampin e Tepelenës. Autoriteti Shtetëror për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka propozuar që ky kamp të shpallet muze i represionit komunist, por një historian i njohur dhe me peshë në Shqipëri, Pëllumb Xhufi, e ka kundërshtuar këtë nismë duke publikuar disa dokumente të CIA-s dhe argumenton se aty nuk ka pasur represion.

Sipas tij, në atë kamp në vitet 1948 deri në 1953 janë zhvendosur familjet e të arratisurve politikë nga veriu, që vinin në Shqipëri dhe ushtronin terror. Nuk e di nëse keni diçka për të thënë për këtë çështje dhe sidomos për një tendencë, që po shfaqet hapur këtu për të mohuar krimet e komunizmit.

Me respekt të lartë për ju, Robert Rakipllari

I ndereumi Z. Rakipllari

Lexova me shqetësim mesazhin tuej. Nuk ishte i pari, por kur vjen nga ju merr nji karakter ma te theksuem. Familja ime, Nana 60- vjeçare, motra 14-vjeçare dhe vëllau 12- vjeçar kane kalue dy vjet ne atë kamp.(1949- 51) Simbas tregimeve të tyne, “kanë heq të zezën e ullirit”, qoftë nga pikëpamja e trajtimit, mungesa e ushqimit, të ftohtit të padurueshëm dhe erën e Tepelenës (Veliqot) dhe sidomos vdekjet pothuejse të përditshme nga plasja e mbeturinave të ushtrisë, bomba e municione të pazbulueme, viktima të të cilave kanë qenë zakonisht femijte qe luenin ose gratë, që ndeznin zjarrin për të gatuar diçka për të ngranë.

Bomba pëlciste dhe çdoherë kishte të vramë e të plagosun. Kjo ngjiste sidomos me familjet e malësive te Veriut. Simbas thanjeve të Nanës, pastë dritë, nuk ka familje malësore -sidomos nga Mirdita,- që nuk ka humbë nji, dy ose ma shumë fëmijë nga ajo që kanë jetue e vuejtë në Tepelenë. Mbas dy vjet qëndrimi, Nana ashtë amnistue, por nuk kishte harrue asgja nga ajo që kishte pësue në Tepelenë.

Motra ime 14-vjeçare ashtë përdorë në vend të kalit për tërheqje të karrocës së ushqimit për oficerët e policët e kampit, bashkë me nji vajzë moshatare shkodrane. Në lidhje me prof. Pllumb Xhufin dhe deklaratat e tij, unë mendoj se ai ashtë nji figure tragjike, simbol i mendjeve të mbylluna, i paaftë me dalë jashtë rrethit vicioz ku e ka hjedhe fanatizmi i tij, rezultat i indoktrinimit në shoqëni dhe familje.

I zanë rob në këtë situatë, ai lufton kundër çdo përpjekjeje me e nxjerrë nga “robënia” ku ka mbetë. Nji fatkeqësi që e kanë pësue shumë të tjerë në Europë e në botë, sidomos me krimet nazifashiste. Kam shumë dëshirë të shkruej diçka për këtë subjekt, por jam i lodhun, me të vërtetë i lodhun.

Ju uroj shumë shëndet e çdo të mirë!

Sami Repishti

PS. Po të dëshironi, mund të botoni të plotë letrën time dërgue ministrit e shkrimtarit të madh francez, Andre Malraux, më 1968. Do ta gjeni të plotë korrespondencën në librin: Sami Repishti: “Dialektika e Rendit dhe e Rebelimit tek Andre Malraux”. Përkthye nga Fotaq Andrea, Tiranë, Onufri) SR

Dossier Rrëfimi rrëqethës nga SHBA i profesorit të persekutuar: Motra ime 14- vjeçare përdorej në vend të kalit për tërheqje të karrocës