Aktualitet11 Korrik 2019, 15:55

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës/ Çfarë thanë në zyrën e Ramiz Alisë; Berisha, Godo, Agolli, Çarçani

Shkruar nga Pamfleti
Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës/ Çfarë thanë

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës/ Çfarë thanë në zyrën e Ramiz Alisë; Berisha, Godo, Agolli, Çarçani

Ngjarja si ajo e 20 shkurtit të vitit 1991, ditë kur u rëzua busti i Enverit në sheshin “Skënderbej”, janë të atilla që ngjajnë me galeri ku minerali nuk soset kurrë; pra të dhënat e faktet që dalin kohë pas kohë.

Kështu, nga libri memuaristik  i Preç Zogajt, një prej protagonistëve të atyre ngjarjeve, “Fillimi” po publikojmë pjesën ku tregohet se çfarë u tha një ditë më vonë në zyrën e Ramiz Alisë, ku të pranishëm qenë: Sali Berisha, Sabri Godo, Dritëro Agolli, Adil Çarçani e të tjerë.

Dhe është interesante ajo që, ndërsa Dritëroi është i drejtpërdrejtë në mendimet e tij anti-Enver, edhe pse figurë e pushtetit, Berisha tregohet më i rezervuar, deri aty sa mohon ndikimin e PD-së në grevën e urisë së studentëve, shkaku kryesor i vërshimit të turmave në shesh për të tërhequr zvarrë bustin e dikaktorit. “Shoku Ramiz…”, i drejtohet në një moment Berisha presidentit komunist në detyrë…

Pjesë nga libri:

Mes zallamahisë dhe rrëmujës që po pushtonte qytetin “Studenti,” Berishën e njoftuan se në orën 15.00 duhej të shkonte në Presidencë, në një mbledhje urgjente të thirrur nga Ramiz Alia. Mori me vete Blerim Çelën dhe u nis mënjëherë.

Përveç krerëve të partive politike, në atë mbledhje ishin thirrur edhe drejtuesit e organizatave të masave. Alia ishte i zbehtë, nervoz dhe i prerë. Blerim Çela mbajti shënim çfarë u tha.

– Kam dy ditë me rradhë që bëj përpjekje me PD dhe PR për të mos arritur puna deri këtu me rrëzimin e momumentit të komandantit të Luftës Nacionalçlirimtare – ia nisi Alia. Ky është një akt vandal i turpshëm e fashist, prandaj unë do të vendos gjendjen e jashtëzakonshme si dhe mobilizimin ushtarak, pasi asgjë nuk do të tolerohet. Ky është një skenar i përgatitur nga PD dhe ne do t’i gjejmë autorët, patjetër që do t’i gjejmë. Me këtë rast t’i bëhet thirrje popullit të rrijë në shtëpi, pasi po dolën në rrugë do të fillojë gjakderdhja.

Kryetari i Partisë Republikane, Sabri Godo ndërhyri me takt: – Ju shoku Ramiz nuk na latë shteg të flasim, të paktën nga ne nuk ka hile. – Ashtu është, nga ju nuk ka hile! – e siguroi Alia. – Para se të vendosni gjendjen e jashtëzakonshme, na merrni mendimin edhe neve. Krijoni një këshill presidencial dhe një qeveri pune si dhe dilni me një komunikatë në TV, – vazhdoi Godo me të folurën e tij të ngadalshme, por të rrjedhshme e të saktë.

Sali Berisha puliti sytë dhe mblodhi buzët e tij të holla pa rënë në sy, ashtu siç e kishte zakon kur pikaste një ushtrim politik të zgjidhur ku ai nuk kishte marrë pjesë.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli, të cilit i lejohej kudo ushtrimi i vesit robërues të duhanpirjes, thithi cigaren dhe lëshoi tymin para se merrte fjalën. Tha: – Jam i mendmit të mos shpallet gjendja e jashtëzakonshme, pasi kjo do ta acarojë më tepër popullin. Duhet të hiqet emri i Enver Hoxhës nga universiteti i Tiranës, të dëgjohet zëri i masës. Do të ishte mirë që familja e tij të dalë në TV me një deklaratë ku të pranohen disa gabime të Enver Hoxhës për hir të shpëtimit të kombit. Të krijohet një këshill presidencial e një qeveri pune. Po nuk dhanë rezultat këto, të vendoset gjendja e  jashtëzakonshme. – Pra të vendos gjendjen e jashtëzakonshme pasi të jetë varrosur gjithçka !- replikoi Alia. Mbështetësit e vijës së ashpër morën zemër nga ky qëndrim. – Studentëve u kanë çuar sheqer të helmuar!- tha një grua. – Kemi të dhëna të sigurta se sheqerin e helmuar e ka çuar PD-ja, por ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë!- e përforcoi Alia.

Sali Berisha kundërshtoi: – Nuk është e vërtetë se kemi çuar ne sheqer të helmuar. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me helmimin e sheqerit. Shteti me të gjitha strukturat e tij nuk po kontrollojnë situatën. Në takimet që kemi patur me ju, shoku Ramiz, kemi insistuar për stabilizimin e gjendjes. Grevën e urisë të studentëve nuk e kemi organizuar ne. Kemi punuar tri ditë rresht për të mos ndodhur, por ata nuk na kanë dëgjuar. Ne mbështesim kërkesat e tyre… – Këtu duket fytyra juaj, ju i keni organizuar të gjitha! – shpërtheu kryeministri Adil Çarçani. – Ata në qytetin “Studenti” bërtisnin duam gjak. Shpërfillës ndaj shpërthimit jashtë kohës të kryeministrit, Sali Berisha iu drejtua Ramiz Alisë: – Ju bëjmë thirrje të merren masa të tjera para se të vendoset gjendja e jashtëzakonshme pasi gjithçka po bëhet për të ruajtur pushtetin e Partisë në pushtet. – Jam për të mos e shpallur gjendjen e jashtëzakonshme! – tha Marash Hajati. – Të gjitha këto ndodhin prej figurës së Enver Hoxhës, emri i tij duhet hequr nga universiteti, – e plasi me te folurën e tij pa doreza Dritëro Agolli. – Këtë skenar e ka përgatitur PD nëpërmjet aktivistëve të saj në çdo ndërmarrje, – përsëriti kryeministri Çarçani.

Sali Berisha kundërshtoi. Debati po kthehej sërish në pikën e nisjes. Ramiz Alisë i mbëriti sakaq një pusullë, përmbajtjen e së cilës ua bëri me dije të pranishmëve. – Studentët kërkojnë të dalë një dekret për heqjen e emrit të Enver Hoxhës, ndryshe do të shkatërrohet me forcë varri i tij dhe Blloku. – Ne distancohemi nga ky veprim pasi nuk është në zakonet e shqiptarit!- reagoi Blerim Çela. – I zhvarrosni ju, i zhvarrosni!- u hodh një grua.

Spiro Dede, personi që përfaqësonte zyrtarisht Partinë e Punës në atë takim, mori fjalën dhe tha: – Mendoj të dalim në një deklaratë të përbashkët për qetësi. Sot nuk duhet të mendojmë për parti, por për popullin. Rendi të forcohet pa derdhur gjak dhe të hiqet emri i Enver Hoxhës nga universiteti. Ramiz Alia nuk priti sa të mbaronte. – Ju jap tri ditë afat, – tha duke shikuar nga Spiroja, ndërsa në fakt e kishte me Berishën, me Partinë Demokratike. – Po nuk u sigurua qetësia, gjendja e jashtëzakonshme do të vijë duke u shkallëzuar… Do të shikojmë mundësinë e një Këshilli Presidencial dhe të një qeverie pune. Po qe se TV jep në orën 18.00 dhe 20.00 ngjarje nga këto të sotmet për monumentin do të ndodhë katastrofa sonte në Shqipëri. Këto ka mundësi të jepen, se në TVSH ka seksion të PD dhe ata do ta organizojnë. -Drejtori i TVSH-së është anëtar i PP-së, Sefedin Cela, – saktësoi Berisha. – Ashtu është, por ai është treguar liberal, – ia ktheu Ramiz Alia dhe vazhdoi me ton: -Në orën 18.00 unë do të shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe aktin do ta quaj vandal, këtë ta dini të gjithë. Problemin e veprës së Enver Hoxhës ta bëjmë me kulturë, me të mirat e të këqijat e tij. Spiro Dede nxitoi të merrte edhe njëherë fjalën para se mbledhja të shpërndahej në shenjën e një kërcënimi si ai që kishte bërë shefi i tij. -Në qoftë se jepet deklaratë në emër të PP-së, – tha me qetësinë dhe vendosmërinë e dikujt që nuk di të luajë dhe nuk ka ndërmënd të luajë kukafshehazi,- nga ana ime do të kërkoj të hiqet emri i Enver Hoxhës.

Mbedhja u shpërnda pa një tërheqje të qartë të Alisë nga ideja e tij për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshm. Por kishte hasur kundërshtime me peshë që nuk mund t’i injoronte. Edhe po ta kishte përnjimend.

Marrë nga libri “Fillimet” me autor Preç Zogajn

Histori Agolli Çarçani Godo Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës/ Çfarë thanë në zyrën e Ramiz Alisë; Berisha