“Rrëzimi i kufirit Shqipëri-Kosovë”, Majko i kundërpërgjigjet deputetit demokrat

Ministri i Diasporës Pandeli Majko, i është përgjigjur deputeti demokrat Tritan Shehu. Majko shprehet se deklarata e bërë nga ai lidhur me rrëzimin e kufijve Shqipëri-Kosovë, është keqinterpretuar nga deputeti demokrat.

Në një status në Facebook, ministri sqaron:

Tritan Shehu ka deklaruar se ideja për ndryshimin e kufijve e hapur së fundmi…”E mori zanafillën në një deklaratë të ministrit Majko… në një ambient të papërshtatshëm duke hedhur një ide të tillë që nga janari kryeministri do rrëzojë kufirin Shqipëri-Kosovë.” (!?) (As serbi Gjuric nuk e rëndoi kaq shumë këtë deklaratë të pathënë)

Të lidhësh dëshirën për lëvizjen e lirë të njerzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën ndryshimit të kufijve është papërgjegjshmëri. Kjo temë është dakordësuar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe u ripohua sërish nga Kryeministri Haradinaj gjatë vizitës së fundit në Vlorë.

“Rrëzimi i kufirit” si term, përdoret në rastet e embargove… Lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë. Ndryshimi i kufirit nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit europian. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bëjnë dy gjëra të kundërta në të njëjtën kohë. Këto dy shtete nuk mund të “ndahen” për tu integruar. Integrimi europian është një proces ku shqiptarët kanë hyrë pasi aty përfaqësohen edhe interesat e tyre. Kjo i bën ata protagonistë dhe jo frikacakë. Sigurisht.