Rrjedhje gazi në Ballsh/ Banorët gjenden pa ndjenja në ara, mes tyre edhe fëmijë

Rrjedhje gazi në Ballsh/ Banorët gjenden pa ndjenja në ara, mes tyre edhe fëmijë

Prej më shumë se një muaji, banorët e zonës afër uzinës së naftës në Ballsh përballen me toksikimin nga gazi. Më të prekur janë banorët e fshatit Panahor të Mallakastrës.



Ata theksojnë se çarja e një tubi gazi pranë banesave të tyre ka ndikuar që shumë persona të pësojnë shenja toksikimi dhe për pasojë kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Më i fundit i helmuar nga gazi është një banor i zonës, i cili është transportuar nga spitali i Ballshit në Fier, raporton Panorama. Shyqo Hoxha, 36 vjeç, ka qenë duke korrur barin, kur ka rënë në tokë pa ndjenja. Ai është përmendur vetëm në spital, ndërsa thekson se fatmirësisht është gjetur nga kalimtarët, të cilët e ëshkanë çuar në kohë për ndihmë mjekësore.

“Desh vdiqa. Rashë siç isha në këmbë duke korrur barin. M’u zu fryma. Mirë që më kishin gjetur kalimtarët aty se do kisha vdekur pa më parë njeri. Kam pasur edhe herë të tjera shtrëngime në gjoks nga era e gazit, por ai kur të zë nuk e ndien, vjen papritur e të bllokon. Kisha dëgjuar dhe për banorë të tjerë që përfunduan kështu si unë në spital, me të njëjtat shenja”, u shpreh dje Shyqo Hoxha, i cili po merr trajtim mjekësor në spitalin e Fierit.

Sipas banorëve të zonës, edhe të tjerë janë shtruar në spital, mes tyre edhe fëmijë. Për këtë arsye, dje ata këmbëngulën se duhet të ndërhyhet në mënyrë emergjente, pasi amortizimi tej mase i uzinës po i shkatërron. Banorët theksojnë se shumë tubacione shkarkohen në terren të hapur, duke ndotur të gjithë ambientin.

“Po na vriten pak e nga pak fëmijët. Këtu afër janë 50 familje dhe rreth 1 kilometër më larg jetojnë edhe 500 familje të tjera. Gjithë zona është në hall të madh. Askush nuk na sheh ne. Uzina punon për hesap të vet, ndërsa shteti nuk e kontrollon. Vapa e ka ndezur edhe më shumë erën mbytëse. Duam zgjidhje se po na vdesin fëmijët”, thonë banorë të zonës.

Ata shprehen se nuk dinë se ku të ankohen, ndaj kanë shkuar vetë në ambientet e uzinës për të diskutuar problematikën.

Por, sipas tyre, askush nuk i ka pritur për të dëgjuar hallin që kanë, ndërkohë që banorët njëri-pas tjetrit po gjenden pa ndjenja nëpër ara. Sipas banorëve, përveç gazit, edhe hidrokarburet e tjera bëhen shkak për ndotje të përhershme në këtë zonë. Aktualisht, sipas burimeve nga uzina, edhe linja e tubacionit të djegies është jashtë funksionit.

Nëse ajo do të funksiononte, mbetjet e uzinës do të digjeshin nën kontrollin e autoriteteve të uzinës dhe jo në hapësirë, siç po ndodh këto kohë. Prej shumë kohësh, zonat përreth po pësojnë ndotje të madhe deri në helmimin e banorëve.

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.