Kosova16 Tetor 2019, 19:30

Rrugëtimi politik i ‘’Komandant Çelikut’’. Fatmir Limaj, nga njeriu më i votuar në PDK, te dështimi për të kaluar

Shkruar nga Pamfleti
Rrugëtimi politik i ‘’Komandant Çelikut’’.

Rrugëtimi politik i ‘’Komandant Çelikut’’. Fatmir Limaj, nga njeriu më i votuar në PDK, te dështimi për të kaluar pragun

Rrugëtimi i Fatmir Limajt nga komandat, në njeriun që arriti të jetë në qendër të vëmendjes, nën dyshimin se ka keqpërdorur miliona euro me tenderë të MTPT-së, për çka është shpallur i pafajshëm, në zgjedhjet e kaluara arriti të bëhet zëvendëskryeministër falë koalicionit PAN. Por, në zgjedhjet e fundit ai u ndëshkua me moskalim pragu. Kështu, Nisma, së bashku me partnerin e tij të koalicionit pësuan një dështim të madh. Në këto zgjedhje kjo parti është duke u përpëlitur që të fitojë së paku disa karrige në Kuvendin e Kosovës.

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limaj, është duke u përpëlitur ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind.

Sado që të martën kishte arritur ta kalonte këtë prag, pas rinumërimit të një numri kutish votimi, të mërkurën sërish ka rënë nën këtë prag. Janë votat e diasporës ato që e kanë vështirësuar ecjen e këtij subjekti si parti parlamentare. Shumica prej tyre i kanë shkuar Vetëvendosjes së Albin Kurtit, e cila doli fituese me diferencë të vogël me LDK-në.

Si nisi rrugëtimi politik i “Komandant Çelikut” ?

Fatmir Limaj, ishte i njohur si njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i njohur me nofkën “Komandant Çeliku”. Ai ishte emëruar si Komandant i Brigadës 121 – “Kumanova”.

Pas përfundimit të luftës, Limaj ishte bërë nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme. Në zgjedhjet e vitit 2010, të cilat atë kohë i kishte fituar PDK-ja, Limaj kishte dal si njeriu i parë më i votuar në Kosovë.

Limaj atë kohë ishte zgjedhur Ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës (MTPT). Gjatë mandatit të tij 3 vjeçar ai kishte shtruar 1300 kilometra rrugë për të cilat edhe u akuzua për keqpërdorim të fondeve.

Ai është politikani i cili më shpesh ka dalë në bankën e të akuzuarve. Disa herë është hetuar nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare për krime të dyshuara gjatë luftës, derisa së fundmi është akuzuar dhe gjykuar për korrupsion. Edhe për këtë akuzë qe shpallur i pafajshëm.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 2013 në Kosovë, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi kishin dalë haptazi kundër Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kundërshtimet e tyre ndaj PDK-së, ata i bënë duke përkrahur Iniciativën Qytetare nëpër vendlindje, duke hapur kështu rrugën për formimin e partisë Nisma Socialdemokrate, me në krye Fatmir Limajn.

Rrugëtimi i Nismës Socialdemokrate

Në shkurt të 2014-së, dy ish-zyrtarët e PDK-së, prezantuan subjektin e tyre politik, me ç’rast në krye të saj ishte vendosur Fatmir Limaj ndërsa, Jakup Krasniqi, mori postin si  Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës.

E Limajn, nuk e kishte lënë vetëm për asnjë minutë, asistenti i tij në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës (MTPT), Endrit Shala. Ai ishte bërë pjesë e Nismës, dhe kështu vazhdoi karrierën e tij politike jo edhe shumë të bujshme.

Endrit Shala së bashku me shefin e tij, kishte qenë njëri prej të akuzuarve të rastit të famshëm të MTPT-së. Por historia tetë vjeçare e hetimeve dhe gjykimeve të Fatmir Limajt dhe Endrit Shalës, kishin marrë fund para dy vitesh.

Këtë përfundim të hetimeve Limaj dhe Shala e kishin kurorëzuar me një festë, festë kjo që kishte nisur hetime të reja për vepra të reja penale.

Limaj kishte mbledhur miq e dashamirë në odën e tij në Banjë të Malishevës për t’i gostitur ata pas lirimit nga akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.

Me sofra të shtruara e me muzikë nga folklori shqiptar, të ftuarit kishin festuar së bashku. E muzikës e mishit nuk i kishin munguar as të shtënat me armë.

I ulur këmbëkryq në odën e Limajt, Sami Lushtaku nuk e merr mundimin as të ngrihet në këmbë. Ai nxjerr armën dhe shtie diku jashtë, pa pasur idenë ku mund të bjerë ai plumb. Pastaj ngrihet të festojë me armë edhe Endrit Shala, i cili po ashtu ishte i akuzuar në grupin e MTPT-së dhe i liruar nga akuzat.

Armët ishin ‘mollë sherri’ e tyre.

Kështu, prokuroria kishte nisur hetime të reja për gjuajtje me armë ndaj, Endrit Shalës, i cili gjatë Qeverisë Haradinaj ishte ministër i Tregtisë. Kurse shefi i tij, mbeti i “pastër” nga këto akuza.

E, për Limajn që zgjedhjet e 2017, ishin të parat si një lider partie, ai kishte arritur që të bënte koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kishin krijuar të famshmin ‘Koalicionin PAN’. Në këtë rast Nisma kishte siguruar gjashtë vende në parlament.

Nisma një hap para pragut

Nisma garës së 6 tetorit, i hyri me një koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re (AKR).  E pak më vonë nën ombrellën e këtij koalicioni mori edhe Partinë e Drejtësisë (PD).

Ndonëse ishin bërë “Bashkë për Shtetin”, ky koalicion nuk rezultoi i suksesshëm. Madje, madje AKR-ja thuhet se është shkaku që Limaj rrezikon të mos ketë asnjë vend në Parlamentin e Kosovës.

Nisma Socialdemokrate me Aleancën Kosova e Re, arritën të merrnin vetëm 39.495 vota të elektoratit, apo 4.96 për qind të tyre – nga numërimi i 100 për qind të votave të rregullta.

Teksa kanë mbetur pa u numëruar të gjitha votat, koalicioni ndërmjet Nismës dhe AKR-së duket se për më pak se 200 vota nuk po arrin ta kalojë pragun zgjedhor.

Por, në partinë e Fatmir Limajt, shpresat nuk janë shuar, që ata të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë dhe ta kalojnë pragun zgjedhor deri në certifikimin e rezultateve të 6 tetorit.

Shefi i Shtabit, i kësaj partie, Bilall Sherifi, ka thënë për Gazetën Insajderi, se Nisma ka arsye të festojë dhe pashmangshëm do të jetë pjesë e qeverisë.

“Nëse të tjerët, mund të festojnë që kanë dalë të parët ose të dytët, Nisma Socialdemokrate feston dhe ka arsye të festojë sepse është bërë pjesë e parlamentit dhe pashmangshëm do të jetë edhe pjesë e qeverisë, sepse numrat thonë se pa këto mandate të Nismës do të jetë vështirë të arrijnë këtë 61-shin magjik që po thonë”, ka thënë Sherifi për Insajderin.

Sherifi thotë se nga votat e diasporës presin të marrin rreth 3 mijë vota duke thënë se këto vota i ka të konfirmuara.

“Nga diaspora na kanë konfirmuar po ashtu nga kandidatët tanë që kanë patur një bashkëpunim me familjarët e tyre, me miqtë e tyre dhe disa organizimeve të cilat i kemi bërë në diasporë në funksion të përkrahjes së Nismës, presim të marrim diku 3 mijë e 500 apo 400 vota, pra në total Nisma Socialdemokrate, koalicioni jonë vetëm me votat e Nismës pa AKR-në”

“Pra në total koalicioni do të sillet prej 44 mijë deri në 45 mijë vota të vlefshme dhe sipas përllogaritjeve të votave të vlefshme, koalicioni Nisma-AKR-PDK, do të ketë mbi 5.5 përqind që do të thotë gjashtë mandate janë të sigurta, madje mund të luftojmë edhe për mandatin e shtatë”, është shprehur Sherifi. /Insajderi.com

Prishtine ''Komandant Çeliku'' Fatmir Limaj Nisma Socialdemokrate