Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka ngritur shqetësime në lidhje me sigurimin e vaksinës anti-Covid edhe në vendet më të varfëra në botë. Në samitin G20 shumë drejtues premtuan se vaksina do të shpërndahej në të gjitha vendet, por Merkel u shpreh se procedurat janë të ngadalta.
“Tani do të flasim me GAVI se kur do të fillojnë këto negociata sepse jam disi e shqetësuar se asgjë nuk është bërë ende për këtë,” tha ajo.
Këto shqetësime vijnë në një kohë SHBA njoftoi se disa amerikanë do të fillojnë të vaksinohen që në 11 dhjetor.
Takimi i nivelit të lartë G20 të fuqive kryesore ekonomike në botë u prit nga Arabia Saudite. Për shkak pandemisë takimi u mbajtën virtualisht. Liderët e 20 shteteve më të fuqishme të botës janë shprehur se do të bëjnë gjithçka për kapërcimin e kësaj krize që ka tronditur të gjithë botën.
”Ne kemi shprehur angazhimin tonë për të mobilizuar urgjentisht burimet dhe të gjithë jemi zotuar, në fillimin e krizës, për financimin e mbi 21 miliardë dollarëve për të mbështetur përpjekjet globale për të luftuar këtë pandemi.
Ne kemi për detyrë t’i qëndrojmë sfidës së bashku gjatë këtij samiti dhe t’u japim një mesazh të fortë shprese dhe sigurie popujve tanë përmes miratimit të politikave për të zbutur këtë krizë”, theksoi mbreti saudit, Selman bin Abdulaziz Al Saud.
Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se ”pandemia COVID-19 mbetet një sfidë për të gjithë botën dhe një sfidë për G20-n në veçanti” duke shtuar se ”që nga kriza ekonomike e vitit 2008, G20-a është përballur me shumë sfida dhe kërkon të formulojë më së shumti zgjidhjet e duhura për të”.
”G20-a duhet të shkojë përpara për të siguruar një përgjigje ndërkombëtare ndaj kësaj krize duke diskutuar iniciativat që synojnë arritjen e sigurisë shëndetësore për popujt e botës”, tha Macron.
Kancelarja gjermane Angela Merkel vuri në dukje se pandemia COVID-19 mund të kapërcehet vetëm me një përpjekje globale dhe G20 ka një përgjegjësi thelbësore në këtë fushë.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte tha se “G20 vetë ka marrë masa të paprecedenta… të cilat lejuan arritjen e objektivave të rëndësishme”.
”Pavarësisht nga një fakt kaq i dhimbshëm si pandemia, lajmi i mirë është aftësia jonë për të konsoliduar dhe realizuar një tubim në të gjithë botën për të luftuar pandeminë”, deklaroi Conte.