Sandër Lleshi ka çmontuar tezat kontradiktore të Schmit-it, akti i refuzimit dekodon shumë “kode” të fshehura të politikës shqiptare

Sandër Lleshi ka çmontuar tezat kontradiktore të Schmit-it, akti i refuzimit dekodon shumë “kode” të fshehura të politikës shqiptare

Sandër Lleshi mund të jetë përtej mundësive të Shqipërisë së sotme politike

Shkruan Ndue Ukaj

Populli shqiptar vazhdon të udhëhiqet nga koncepte bashibozuku, të inatit, të mllefit e të klaneve të pështira, prandaj, profili i Sandër Lleshit, mund të jetë përtej mundësive që ofron Shqipëria e sotme politike, e shndërruar në një kënetishte, ku gëlojnë maskarallëqe të pafundme. Natyrisht, në një vend, ku i duartrokitet marrëzisë, është vështirë të pranohet profili i një gjenerali të mençur, me edukatë e kulturë fisnike, sepse, ai është emancipues për politikën dhe shoqërinë.

Kur e lexova nëpër portale se, Presidenti i Shqipërisë, kishte refuzuar dekretimin e tij për ministër të Brendshëm, mbeta i habitur, dhe, dilema e parë që më erdhi në mendje ishte: Sandri mund të jetë përtej mundësive të Shqipërisë. Po, ai mund të jetë përtej mundësive të Shqipërisë politike, meqë është i pajisur me dije e kulturë, dhe ajo ndriçon në errësirën morale në të cilën është katandisë politika shqiptare.

Dihet, ithtarët e errësirës, s’e duan dritën.

Këtë vikend e kam rilexuar librin e Sandër Lleshit, “Skënderbeu” ose misioni i pamundur i Shchmitt-it”, për mua, një libër i jashtëzakonshëm, i shkruar me shumë kulturë e logjikë argumentuese mahnitëse.

Arsyeja pse e lexova këtë libër të shkurtër, nuk kishte të bënte asgjë me zhvillimet politike, më së paku me ato që lidhen me emrin e tij. Librit iu ktheva për shkak të mbresave që më pati lënë nga leximi i parë, por edhe për punë të informacioneve, fakteve të renditura me mprehtësi dhe analizës skrupuloze që ai u bën tezave të Schmit-it. Në fakt, libri, duke qenë një polemikë e hollë dhe e mbrehtë me tezat e tij, ai në të njëjtën kohë, i godet edhe krejt mohuesit tjerë, të cilët, nuk rreshtin së punuari për ta tërheqë popullin shqiptar drejt Azisë, ashtu siç vepron sot një pjesë e pjesë e politikës shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë.

Ajo që të befason për të mirë në këtë libër është forca e argumenteve dhe kultura e spikatur gjuhësore e autorit, fakt të cilin e hasim rrallë në botimet e kësaj natyre. Libri i Lleshit, i ka çmontuar tezat kontradiktore të Schmit-it, ndërkaq, akti i refuzimit të presidentit të Shqipërisë për të dekretuar atë si ministër, dekodon shumë “kode” të fshehura të politikës së sotme shqiptare.

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti