Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu reagoi për herë të parë për rastin e sanitares së Shefqet Ndroqit.
Ministrja Ogerta Manastirliu tha se publikimi i rastit të korrupsionit në spitalin Covid 2 është një ditë e mirë për mjekësinë. Sipas ministres ajo ka ngritur një grup pune për të zbuluar nëse sanitarja ka punuar e vetme për mashtrimin e të afërmve të pacientëve, apo ka persona të tjerë të implikuar.
Në të njëtën gjuhë si kryeministri Rama, i cili e quajti ‘derr pylli’, ministrja e quajti sanitaren që i mori 8 milion lekë vajzës së një paciente, çibane që duhet pastruar nga sistemi. PS ka mbajtur këtë qëndrim për tu distancuar, me qëllim që të tregojë se nuk është në dijeni se ç’po ndodh brenda mureve të spitaleve, fenomeni i ‘rryshfetit’ i jetësuar prej vitesh në Shqipëri.
“Këto nuk janë ditë të këqija, janë ditë të mira, është ditë e mirë sa herë që një qytetar bën denoncim me fakte, dhe na jep ne mundësinë që ti heqim këta cibanë nga sistemi. Nuk është çudi që një person, dy apo tre,nuk mund të përfaqësojnë armatën e mjekëve dhe atyre që sakrifikojnë përditë.
Mund të kemi raste të tjera denoncimesh, kemi mijëra të tjerë që janë falenderues për ata mjekë dhe infermierë që janë shumicë dërrmuese, dhe që e nderojnë bluzën e bardhë, gazetarët ti shkojnë deri në fund qoftë edhe indicieve më të vogla. Unë e kam ngritur një grup pune nga MSH që do të kryejë një hetim të plotë administrativ dhe verifikim të çdo akuze. Mos bini pre e askujt, nëse u cënohet e drejta për shëbim njoftoni autoritetet. Lajmi i mirë nuk bën lajm, lajmi i keq bën lajm në media”, tha ministrja.
Në një deklaratë për mediat, Komiteti i Ekspertëve që sot po përfaqësohet nga ministrja Manastirliu tha se së fundi ka pasur një rritje të rasteve me Covid, por masat do të jenë të njëjta. Sipas ministres së Shëndetësisë vendi do të vazhdojmë të njëjtën mënyrë, atë të ndalimit të qarkullimit pas orës 22:00 të darkës deri në orën 6:00 të mëngjesit.
E njëjti orar do të vijojë për baret dhe restorantet, ndërkohë që Universitetet do vijnë sërish mësimin online deri në një vendim të dytë. Po ashtu Komiteti i Ekspertëve ka dalë në vendimin se fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara dhe kësaj radhe deri në 1 shkurt.
“Duke qenë se data 18 ishte dita e fundit që do vlerësonim fluturimet e Britaninë e Madhe, duke qenë se ka informacione të shtuara për rritjen e rasteve të infektuar me variantin e ri të COVID-19, Komiteti ka marrë vlerësim që fluturimet me Britaninë do të mbeten të pezulluara deri në datën 1 shkurt”,tha ajo.