Kosova 3 Nëntor 2022, 11:40

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, derisa ka folur për tri marrëveshjet që do të nënshkruhen të enjten në Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, ka përmendur edhe dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka deklaruar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të përshpejtohet duke prodhuar rezultate.

“Koha është të tejkalojmë konfliktet rajonale, që ju mbajnë të përçarë gjatë. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, posaçërisht që të prodhojë rezultate. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin te Gjermania e të llogarisin në Procesin e Berlinit”, ka thënë Scholz.

Marrëveshjet që do të nënshkruhen sot në Berlin, Scholz i ka quajtur tejet të rëndësishme për rajonin.

Këto tri marrëveshje do të jenë për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve, diplomave e kualifikimit profesional.

“Sot po bëni tre hapa madhor në këtë rrugëtim duke nënshkruar tri marrëveshje tejet të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj, marrëveshjet do t’i mundësojnë qytetarëve tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup. Kjo ju përafron me standardet evropiane”, është shprehur kancelari gjerman.

Prishtine dialogu Kosovë-Serbi Olaf Scholz samiti i Berlinit