Kosova27 Dhjetor 2022, 10:06

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç dhe komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç, kanë vizituar forcat ushtarake serbe në Rashkë.

Pas kësaj vizite, gjashtë automjete ushtarake të vendosura dy kilometra larg Jarinjës, janë kthyer në kazermë, ka raportuar mediumi serb “N1”.

Sipas njoftimit, gjatë vizitës Vuçeviç, ka biseduar me ushtarë serbë, të cilët janë duke kryer detyra përgjatë vijës administrative.

Të hënën mediat serbe kanë raportuar se në rrugën drejt pikës kufitare të Jarinjës, në Rudnicë nga ana e Serbisë, dy kilometra larg Jarinjës, janë vendosur gjashtë automjete ushtarake (topa me rreze të gjatë veprimi) të ushtrisë serbe dhe një numër i caktuar i policisë ushtarake.

Së fundmi edhe BBC-ja ka raportuar se Serbia ka rritur gatishmërinë e ushtrisë, pas sulmeve të zhvilluara në Zubin Potok dhe mbledhjes së qeverisë nga ana e kryeministrit Albin Kurti, së bashku me KFOR dhe EULEX.

Sipas raportimit, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka pretenduar se do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin dhe për të ruajtur Serbinë.

Po ashtu Vuçiç, ka pretenduar se Prishtina po përgatit “një sulm” ndaj zonave etnike serbe në veri të Kosovës.

Prishtine Automjete ushtarake Jarinjë Millosh Vuçeviq Serbia tensionet ne veri te kosoves