Kosova 7 Dhjetor 2022, 10:37

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk janë krijuar kushtet e duhura për momentin që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Kështu ka deklaruar ai përmes një reagimi në Twitter të mërkurën.

Hovenier ka shtuar se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioritet më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar ai në Twitter.

Të martën, në veri të Kosovës ka pasur shpërthime me granata dore dhe shok-bomba.

Sulmet nisën pas mbërritjes së zyrtarëve zgjedhorë nëpër komisionet komunale zgjedhore në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Për sulmet reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili paralajmëroi shtim të forcave policore në veri, ndërsa fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç për orkestrimin e bandave kriminale në këtë pjesë të Kosovës.

Prishtine SHBA veriu i Kosovës zgjedhjet e jashtëzakonshme

Kosova