Politike26 Gusht 2018, 11:31

SHBA presion Ilir Metës që të mos bllokojë marrëveshjen me Greqinë, i kujtojnë këshilltarin spiun rus dhe lobimin me ish

Shkruar nga Pamfleti
SHBA presion Ilir Metës që të mos bllokojë marrëveshjen

SHBA presion Ilir Metës që të mos bllokojë marrëveshjen me Greqinë, i kujtojnë këshilltarin spiun rus dhe lobimin me ish- KGB. Presidenti kërkon pazar me Ramën

Partneri ynë kërkon stabilitet kufijsh në Ballkan, Presidenti kërkon të realizojë me kryeministrin interesat e tij financiare, politike dhe të shpëtojë nga burgu. Rama mund ta zvarrisë, nuk përbën garanci për ta mbajtur jashtë qelisë Metën, promotorë të futjes në burg të “peshqve të mëdhenj” janë SHBA e BE. Tsipras dhe Rama, të interesuar për shtyrjen e marrëveshjes deri në shtator 2019

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë seriozisht rajonin e Ballkanit, në të cilin duan siguri dhe stabilitet te plotë.

Të gjendur përballë një situate aspak të qetë në kufijtë lindorë të NATO-s, konkretisht me Rusinë dhe ato Juglindore me Turqinë, pa përjashtuar investimin në Siri dhe Irak, SHBA kërkon që në Ballkan të mos ketë përplasje dhe konflikt.

Për këtë arësye, gjërat janë marrë me radhë për të qetësuar këtë rajon tepër të trazuar dhe që shpesh ka shërbyer dhe si fuqi baruti, duke u transformuar në shesh lufte.

Pa iu rikthyer më tej historisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe marrja e ftesës përe anëtarësim në NATO të Shkupit shënoi hapin e e mirëpritur drejt një Ballkani stabël.

Ndërkohë që Mali i Zi ishte pranuar më parë, pas pranimit të “demarkacionit” me Kosovën, pas hezitimeve të kësaj të fundit, duke sjellë dhe një qetësim të situatës. Dhe për pasojë dhe një vendim të shpejtë për heqjen e regjimit të vizave mes vendeve të BE dhe Kosovës, që pritet të merret në muajt e ardhshëm.

Njëherësh vijojnë dhe bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ku pas tezës së Thaçit ka dalë në skenë ridefinimi i kufijve mes dy vendeve dhe ku SHBA po luan kujdesshëm.

Por në rrugën e zgjidhjes është vënë dhe marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë, për kufirin detar, atë tokësor, heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë nga Greqia, çështjen e emigrantëve, minoriteteve dhe një sërë çështjesh të tjera.

SHBA është shumë e interesuar që përballë një Lindjeje të trazuar dhe aspak miqësore, dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të jenë stabël.

Investimi amerikan në këtë drejtim ka qënë domethënës, pasi Greqinë e shkëputi nga “flirti” me Rusinë, ndërsa Shqipërinë e përzgjodhi si vendin ku do të ndërtohet bajza ajrore e NATO-s, në Kuçovë më konkretisht.

Dhe duke qënë se SHBA-të janë shumë të interesuara për marrëdhënit të mira mes Greqisë dhe Shqipërisë, qëndrimi dhe dëshira e tyre ka rënë ndesh me zvarritjet e presidentit Ilir Meta për dhënie autorizimi, plotfuqishmërie për qeverinë për të nënshkruar marrëvëshjen me Greqinë.

Teksa kanë parë dhe rastin e bllokimit më të fundit që Meta i ka bërë negociatave përmes përfaqësuesit të tij në grupin negociator Ksenofon Kristafi, që nuk pranon asgjë nga ato që hidhen në tryezë, përfaqësuesit e SHBA janë shfaqur tepër të shqetësuar për këtë proces. KU vlen të theksohet se parashikimi ishte që duhej të përfundonte kjo fazë deri në fund të gushtit.

Për këtë arësye përfaqësues të SHBA i kanë kërkuar Metës që përtej “piruetave” politike duhet t’i hapë rrugë marrëveshjes mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe të mos bëhet bllokues i saj.

Për më tepër presioni i SHBA ka qënë direkt mbi Metën, duke i përmendur dhe lobimet që ka bërë në SHBA me para ruse por dhe me faktin se në grupin e këshilltarëve ai ka një spiun të përgatitur në Rusi dhe në shërbim të drejtpërdrejtë të spiunazhit rus.

Por dhe Meta bën presion ndaj kryeministrit Rama, me të cilin kërkon të realizojë  objektivat e veta, që kanë një shtrirje të gjërë interesash, nga ato politike deri në interesa financiare e garanci për të shpëtuar nga burgu.

Garanci të cilën, gjithsesi nuk e jep Rama, pasi promotorët më të mëdhenj për futjen e “peshqve të mëdhenj” të politikës shqiptare në burg janë SHBA e BE. Rama vetëm mund ta zvarrisë por jo ta bllokojë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Mësohet se Meta do të zvarrisë marrëveshjen e Shqipërisë me Greqinë, por pa mundur ta bllokojë atë, pasi presioni amerikan do të jetë në disa nivele deri në realizimin e paktit mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke.

Për hir të së vërtetës sikurse ka shkruajtur dhe “Pamfleti” për zvarritjen e marrëveshjes mes dy vendeve janë të interesuar dhe kryeministrat respektivë Aleksis Tsipras dhe Edi Rama.

Dhe interesi i tyre është thjeshtë dhe vetëm sepse duan të fitojnë zgjedhjet respektive në të dy vendet që zhvillohen vitin e ardhshëm, Tsipras ato parlamentare dhe Rama ato vendore. Pra kërkojnë që minimumi nënshkrimi përfundimtar i marrëveshjes të bëhet në shtator 2019./Pamfleti

Politike i kujtojnë këshilltarin spiun rus dhe lobimin me ish- KGB. Presidenti kërkon pazar me Ramën SHBA presion Ilir Metës që të mos bllokojë marrëveshjen me Greqinë