Kosova14 Tetor 2019, 17:01

Shefja e BE në Kosovë: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit, kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave

Shkruar nga Pamfleti
Shefja e BE në Kosovë: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit,

Shefja e BE në Kosovë: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit, kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka përsëritur se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave, teksa shpreson që lëvizja e lirë për kosovarët të realizohet gjatë presidencës finlandeze.

Ajo gjithashtu ka këshilluar që sistemi arsimor në Kosovë të fuqizohet në bazë të transparencës dhe stabilitetit dhe emërimet në qendrat e arsimit të bëhen përmes procesit të selektimit.

“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vlera esenciale të Bashkimit Evropian. E di shumë mirë se çfarë është të sugjerohesh për viza dhe t’i humbësh disa mundësi për të shkuar diku për shkak të vizave”, ka thënë Apostolova, shkruan Kosovapress, duke këshilluar që sistemi i arsimit duhet të vendoset në bazën e transparencës dhe stabilitetit.

“Çfarë dua të shoh në këto emërime në menaxhment dhe lidership në qendrat e arsimit të bëhet përmes një procesi të duhur të selektimit. Ne nuk duam të shohim nepotizëm në sektorin e arsimit sepse ndikimi politik në këta sektor është krim dhe ne nuk mund ta lejojmë që këtë krenari të të rinjve të Kosovës ta prishim vetëm sepse një ditë ju do të konkurroni në tregun e punës me të gjithë tregun Evropian”, ka thënë ajo, në hapjen e vitit të ri akademik të Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova teksa ka folur për Kolegjin IBCM tha se ky institucion synon të sjellë vlera të BE-së në Kosovë, një edukim cilësor që i përgatit të rinjtë për tregun e punës, në pajtim me rajonin e Ballkanit duke i tërhequr të rinjtë e komuniteteve të ndryshime dhe duke i shtyrë në bashkëpunim në forma të veçanta.

Sipas saj, ky kolegj nga Bashkimi Evropian është mbështetur me 2.4 milionë euro me qëllim që ky institucion arsimor të luajë rol kyç drejt edukimit të të rinjve në të ardhmen.

Drejtori i Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM), Harri Tuomola tha se ky kolegj ka një model i cili lidh aspektin pedagogjik me atë praktik sa i takon fushës së biznesit dhe profesioneve agrokulturore. Më tej ai tha se ndihet mirë që mbi 80 për qind e studentëve të këtij kolegji kanë siguruar punësimin./Kosovapress

Prishtine Nataliya Apostolova shefja e BE-së në Kosovë